Prishtina zyrtarizon edhe një përforcim

Sport June 14, 2018 - 17:09
Lexo detajet

Me synimin për të pasur paraqitje sa më të mirë në Ligën e Evropës, por edhe në kampionatin e ardhshëm vendor, Prishtina ka vazhduar me përforcime. Kryeqytetasit së fundi kanë arritur akordin për kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër me sulmuesin boshnjak nga Maqedonia, Alen Jasharoski.

26 vjeçari i lindur më 6 nëntor 1991 në Shkup, së fundi ka luajtur në edicionin e sapo përfunduar në skuadrën e madhe shqiptare nga Maqedonia, FC Shkupi me të cilën ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. I gjatë 186 cm, sulmuesi i qendrës dhe i krahut, me Shkupin në edicionin 2017/18 ka zhvilluar 35 ndeshje, ka shënuar 13 gola dhe ka regjistruar 5 asistime.

Jasharoski më herët ka luajtur edhe për skuadrat tjera maqedonase, Horizont Turnovo, Rabotniçki, FK Skopje, Euromilk Gorno Lisice dhe para Shkupit në Makedonija Gjorgje Petrov – më këtë fundit para se të kalonte në FC Shkupi, në sezonin 2016/17, nga 32 ndeshje i kishte shënuar 12 gola.

“E di që Prishtina është klub i madh dhe ka luajtur në ligën e fortë të atëhershme të Jugosllavisë. E di që ka tifozë të zjarrtë dhe për mua Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe kjo më ka tërhequr më së shumti që të jem pjesë e Prishtinës. Pres që me skuadrën të shkojmë sa më lartë në Kupat e Evropës, ndërsa të jemi kampion dhe të synojmë Kupën në Kosovë. Ardhja nga një klub i madh siç është Shkupi në Maqedoni, do të më ndihmoj që sa më lehtë të përshtatem me klubin e ri dhe të ambientohem me qytetin e Prishtinës”, ka thënë sulmuesi i ri i skuadrës, Alen Jasharoski.

Jasharoski do t’i bashkohet skuadrës të shtunën në përgatitjet e Banjës së Pejës. /Insport/