Kosova Olimpike

Sport May 26, 2018 - 09:03
Dita Olimpike është shënuar dje edhe në Kosovë

Dita Olimpike është shënuar të premten edhe në Kosovë.

Rreth 5 mijë fëmijë të lindur në vitin 2008, përkatësisht në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kanë marrë pjesë në shënimin e Ditës Olimpike, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), shkruan "Zëri".

Kjo ditë është shënuar në shtatë qendra të Kosovës: Prishtinë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe Ferizaj, në sheshet e të cilave edhe kanë vrapuar dhe kanë zhvilluar aktivitete sportive olimpike.

Natyrisht, aktiviteti kryesor i shënimit të Ditës Olimpike është mbajtur në kryeqytet, ku kanë marrë pjesë mbi 2 mijë fëmijë. Ata kanë vrapuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te sheshi “Skënderbeu” dhe po ashtu kanë zhvilluar aktivitete të tjera sportive të pentatllonit modern.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që me 100 sakrifica e mbajtën gjallë sportin kosovar në izolim dhe ata që e çuan deri në anëtarësim në Komitentin Olimpik Ndërkombëtar.

“Dita Olimpike është një rast i mirë për t’i kujtuar të gjithë ata që nga rrënojat e ngrenë, modernizuan dhe në fund e anëtarësuan sportin tonë, shtetin tonë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Falë këtij kontributi dhe talenteve të jashtëzakonshme flamuri i Kosovës valoi në garat më të mëdha ndërkombëtare, duke u lartësuar nga Majlinda Kelmendi në Olimpiadën e RIO-s”, ka theksuar presidenti, shkruan më tutje "Zëri".

“Çdo ditë të rinjtë tanë po i jetësojnë ëndrrat e sportistëve, që punuan pareshtur për ta parë Kosovën përkrah popujve të tjerë në garat botërore. Ata po i motivojnë edhe fëmijët tanë që përmes talenteve të tyre të bëhen pjesë e promovimit të Kosovës kudo në botë”, ka potencuar Thaçi.

Dita Olimpike në Kosovë është organizuar nga KOK-u dhe drejtoritë për Arsim të komunave të Kosovës.

Ky ishte edicioni i shtatë i shënuar në Kosovë, Dita Olimpike shënohej edhe në kohën e izolimit të sportit kosovar, që atëherë nuk pranohej dot nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organizatat e tjera sportive ndërkombëtare. /ZËRI/