Realizimi i një ëndrre

Sport May 22, 2018 - 12:12

Në mbrëmjen e së dielës pati festë të madhe në Gjilan, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo për shkak se në këtë qytet skuadra e Dritës e dërgoi titullin e kampionit të Kosovës në futboll pas plot 15 vjetësh.

Futbollistë dhe tifozë kanë festuar me orë të tëra pasi ky titull i kampionit ishte bërë ëndërr për çdo tifoz të Dritës.

Duke e mbyllur kampionatin kosovar në vendin e parë Drita e ka prerë një biletë për parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku tani mezi pret të debutojë.

Kryetari i këtij klubi Valon Murseli thotë se Drita po bëhet evropiane, ashtu siç e dëshironin dashamirët e saj.

“Do të angazhohem me të gjithë kapacitetin që kam që Dritën ta bëj ekip të njohur në botën e futbollit bashkëkohor. Kjo për t'ua plotësuar amanetin atyre që nuk kursyen asgjë që futbolli i Kosovës të njihet ndërkombëtarisht”, ka theksuar Murseli. Ai thotë se Drita do t’i përfaqësojë vlerat shqiptare dhe të Kosovës në Evropë.

“Kombi ynë simbolizon mikpritje, traditë e zemërgjerësi. Të gjitha këto tipare do t'i shfaqim kudo që do të na jepet mundësia ta përfaqësojmë Kosovën tonë të dashur. Një Dritë evropiane, po vjen kjo ditë!”, ka potencuar Murseli.

Sipas kryetarit të Dritës, në rrugëtimin drejt këtij suksesi gjilanasit kanë dhënë shumë nga vetja.

“Gjilani është kryeqytet i sportit, këtë e kemi dëshmuar gjithmonë, por e vulosëm tani me titull. Mundi i të gjithë atyre që kontribuuan për Dritën për të ardhur kjo ditë mund të themi se sot është shpaguar me këtë arritje, me këtë titull që Drita dhe ‘Intelektualët’ e presin qe 15 vjet”, ka nënvizuar Murseli.

Ai thotë se me këtë titull të fituar Drita e ka nisur një kapitull të ri.

“Titulli është gërshetim i një historie të lavdishme të këtij qyteti me nam. Titulli simbolizon sakrificë, punë e angazhim të pashoq të një numri shumë të madh të njerëzve që kontribuuan në Dritë që kjo të shndritë. Trofeu shënon fillimin e një epoke të re, sfidat që kaluam së bashku u bënë trase e rrugës që e nisëm. Sot u shkrua historia”, ka potencuar prijësi i Dritës, skuadër kjo që i kaloi 29 ndeshje pa pësuar humbje në rrugën deri te titulli i kampionit.

Prishtina rezultoi rivalja e vetme dhe më e forta e saj, ndonëse Bardhekaltrit gjatë gjithë kampionatit kanë luajtur jashtë Prishtinës në mungesë të stadiumit në kryeqytet. /Zëri/