Katër ditë me Superligën

Sport April 06, 2018 - 11:30

Liria të premten do ta ketë një shans ideal për ta ruajtur hapin në luftën për titullin e kampionit të Kosovës në futboll. Kjo pasi ekipi prizrenas do të ketë punë me skuadrën e fundit të renditjes Vllazninë, e cila ka gjasa minimale për të mbijetuar në ligë, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Takimi në mes tyre i përket javës së 26-të të kampionatit dhe do të zhvillohet në Gjilan, ku ekipi nga Pozherani do të provojë të befasojë me një fitore eventuale, me të cilën do t’i rriste shpresat për t’i ikur zonës që dërgon në Ligën e Parë. Por, realisht ky do të jetë një mision tejet i vështirë për Vllazninë pasi përballë do ta ketë njërën prej skuadrave më të forta në vend.

Një ekip bardhezi, i cili aktualisht është i treti në Superligë me vetëm pesë pikë më pak sesa lideria Drita, së cilës deri para një jave i ishte afruar akoma më afër sesa kaq.

Ndërkohë e shtuna do të jetë tepër domethënëse për Dritën, e cila do të udhëtojë në Pejë për një fitore të madhe, që do t’ia përforconte pozicionin në krye. Mirëpo gjilanasit i pret punë e vështirë në këtë drejtim, pasi luajnë si mysafirë të Besës, për të cilën fitorja ka kuptim jetik për shkak se është tepër i rrezikuar për të rënë nga Superliga për herë të parë në historinë e saj.

Kjo xhiro do të jetë mjaft e rëndësishme edhe për Feronikelin, i cili po të shtunën do ta presë në Drenas kampionen në fuqi Trepçën ’89, së cilës i janë minimizuar gjasat për ta mbrojtur trofeun e çmueshëm. Feronikeli aktualisht i ka tetë pikë më pak sesa kryesuesja nga Gjilani dhe ky takim konsiderohet “treni i fundit” për të shpresuar akoma në vendin e parë. Çdo rezultat tjetër përpos fitore në njëfarë mënyre e eliminon “Niklin” nga lufta e rëndësishme.

Ndërkohë, të dielën zhvillohen dy ndeshje të tjera interesante: Vëllaznimi – Drenica luftojnë për t’i ikur barazhit, kurse Llapi me Gjilanin zhvillojnë derbi për prestigj pasi i kanë humbur me të madhe shanset për titull. Ndërkohë, të hënën zhvillohet beteja e madhe ndërmjet Flamurtarit tepër të rrezikuar dhe Prishtinës, që patjetër e do titullin. Bardhekaltrit kanë ngecur me tri pikë prapa lideres, Dritës. Kurse Kuqezinjtë po bëjnë përpjekje ta kalojnë Besën në renditje, vetë të mbesin në barazh e pejanët të bien nga liga./Zëri

Superliga – Xhiroja e 26-të

E premte

Vllaznia – Liria

E shtunë

Feronikeli – Trepça ’89

Besa – Drita

E diel

Vëllaznimi – Drenica

Llapi – Gjilani

E hënë

Flamurtari – Prishtina

Ndeshjet fillojnë në orën 14:00