Po ndahet shapi prej sheqerit

Sport March 13, 2018 - 13:55
Po hiqet mjegulla

Përfundimi i fazës së dytë të sezonit në Superligë deri diku e ka ndarë shapin prej sheqerit. Prishtina është shkëputur në krye dhe është bërë kandidatja më e madhe për titull të kampionit. Edhe pse deri në fund të kampionatit duhet të zhvillohen edhe 11 xhiro, Drita dhe Liria tani shihen si “kërcënueset” kryesore të Prishtinës. Kurse Trepça ’89, Llapi, Feronikeli e Gjilani aktualisht janë më afër barazhit sesa vendit të parë. Fakti që këto ekipe në njërën anë ende matematikisht kanë gjasa për titull dhe në anën tjetër shihen si të rrezikuara nga barazhi tregon se kampionati ka hyrë në një fazë tejet të rëndësishme, ku një gabim mund të kushtojë tepër shtrenjtë

Superliga e futbollit nga kjo mesjavë po hyn në fazën e saj të tretë dhe të fundit të sezonit. Dalëngadalë gjërat kanë nisur të qartësohen, edhe pse kampionati vazhdon të jetë mjaft interesant.

Rezultatet e xhirove të fundit ua kanë zbehur gjasat për titull disa skuadrave, ndërsa disa prej tyre e shohin veten më afër barazhit sesa titullit. Prishtina është e vetmja që po shfaq siguri dhe stabilitet, ndërsa të tjerët po “kiksojnë” kohë pas kohe. Derisa Bardhekaltrit janë shkëputur në krye të tabelës, “luftë” e nxehtë pritet deri në fund në garën për barazh dhe për t’i shpëtuar rënies nga Superliga.

Njohësit e futbollit mendojnë se prishtinasit kanë diçka më shumë se ekipet e tjera, derisa shtojnë se tashmë ka nisur të ndahet shapi prej sheqerit.

“Po zhvillohet një luftë shumë e madhe. Gjërat po kristalizohen gjithnjë e më shumë. Deri më tash ishin 5-6 skuadra që luftonin për titull, por në xhirot e fundit janë qartësuar më shumë gjëra. Kjo është një fazë e cila kërkon sa më pak gabime, pasi ekipet nuk kanë kohë t’i rikuperojnë ato. ’89-shi dështoi në ndeshjet e fundit njëjtë si Llapi dhe Drita, që po ashtu ngecën”, thotë për “Zërin” trajneri Gani Sejdiu.

“Këto ia mundësuan Prishtinës ta bëjë shkëputjen e merituar, pasi po e menaxhon me mençuri situatën. Kjo skuadër po ka qëndrueshmëri dhe stabilitet dhe e shoh favorite për ta fituar titullin. Ka siguri të plotë dhe është stabile. Atë do ta rrezikojë gjithnjë Drita, ndërsa Liria, edhe pse është afruar, nuk ma thotë mendja se mund ta fitojë titullin”, vazhdoi ai.

Rezultatet e fundit i kanë afruar skuadrat si Feronikeli, Gjilani e Llapi më shumë me barazhin sesa me titullin.

“Janë disa skuadra që po luftojnë për titull, por që rrezikojnë të përfundojnë edhe në barazh”, shton ai.

Sipas trajnerit mitrovicas, interesante do të jetë edhe pozita e nëntë e që çon në barazh, pasi, shton ai, janë disa skuadra që kanë mundësi të përfundojnë aty për faktin se Vëllaznimi po fiton pikë dhe ka ngritje graduale.

Flamurtari, Vllaznia dhe Besa kanë mbetur larg ekipeve të tjera dhe Sejdiu shprehet se është ditur qysh nga fillimi i sezonit që këto tri skuadra do të ngecin. Ai mendon se këto tri ekipe kanë gjasa të njëjta për ta kapur atë pozitën e 10-të, e cila çon në barazh, edhe pse flamurtarët i sheh me një avantazh të lehtë për shkak të organizimit që e kanë bërë së fundmi.

Duraku: Gjërat kanë nisur të qartësohen

Edhe trajneri Fahredin Duraku thotë se dita-ditës gjërat po qartësohen në Superligë. Ai mendon se Prishtina po bën çdo ditë hapa të mëdhenj drejt titullit, ndërsa më poshtë sheh ende mundësi të befasive deri në fund të sezonit.

“Kampionati po shkon e po bëhet gjithnjë e më interesant. Kanë nisur të qartësohen gjërat. Prishtina po tregon kontinuitet të fitoreve dhe për këtë është shkëputur. Skuadrat e tjera po bëjnë gabime, sikur po kanë presion të rezultateve dhe po u mungon mentaliteti i fituesit. Llapi ka rënie, ndërsa gabimet mund t’i kushtojnë edhe Dritës. Prishtina e ka bërë një shkëputje, ndërsa Drita prapë se prapë është aty, në garë për titull”, deklaroi Duraku për gazetën.

Sipas tij, ekipet e tjera kanë nisur të bien. Nga pozita e tretë deri në të shtatën, nënvizon ai, ekipet nuk po kanë stabilitet dhe me një apo me dy humbje mund ta shohin veten të rrezikuar për të përfunduar në barazh.

Sa u përket ekipeve të rrezikuara për të rënë nga liga ai e sheh Vllazninë pak më prapa Flamurtarit dhe Besës, për të cilat mendon se do të luftojnë për ta kapur pozitën e 10-të, e cila çon në barazh.