Çerekfinalja e Kupës: Vardari – Shkëndija

Sport February 20, 2018 - 17:52

Vardari dhe Shkëndija do të vihen përballë njëra tjetrës një javë pas barazimit 1:1 në Tetovë në kuadër të xhiros së 20-të në LPFM.

Kampionati lihet anash për një moment, pasi vëmendja kthehet ka Kupa, garë ku kuqezinjtë gjithashtu pretendojnë trofeun.

Pas fitores 0:3 ndaj Shkupit të dielën në kampionat, skuadra ka punuar për takimin e parë të çerekfinales së Kupës me Vardarin në Shkup.

Stafi teknik në maksimum është munduar të regjenerojë ekipin nga lodhja pas dy ndeshjeve të kaluara, ndërsa me formacion të kompletuar pritet sfida e të mërkurës kur pas pauzës kundër Shkupit shkaku i pesë kartonave të verdhë në ekip rikthehet Egzon Bejtullai.

Përballja Vardari-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin “Filipi Dytë” në Shkup me fillim në orën 14:00, ndërsa ndeshja e kthimit në Tetovë është programuar për datën 7 mars.

Tradita me Shkëndijën në ndeshjet e Kupës

Në gjashtë vitet e fundit kjo do të jetë hera e pestë që në kuadër të Kupës përballen mes veti Shkëndija dhe Vardari, me ekipin tonë që ka bilans pozitiv pasi ka eliminuar rivalin tre herë në katër edicione.

Kundërshtari i është gëzuar kualifikimit vetëm në sezonin 2014/2015 kur në Tetovë fitonte Shkëndija 2:1, mirëpo mundej 0:3 në Shkup.

Në rastet tjera gjithnjë fituese dilte skuadra jonë.

Fillimisht në vitin 2013 Shkëndija preki finalen e Kupës pasi që eliminoi me dy barazime Vardarin (0:0 në Tetovë dhe 1:1 në Shkup), falë golit të shënuar si mysafir.

Në sezonin 2015/2016 Shkëndija për herë të parë fitoi trofeun e Kupës, ndërsa në rrugën drejt finales eliminoi Vardarin në çerekfinale kur e mundi dy herë, fillimisht 3:0 në Çair dhe 2:1 në Gjorçe Petrov.

Vitin e kaluar kuqezinjtë tanë luajtën në finale të Kupës, ndërsa në gjysmëfinale edhe një herë eliminuan Vardarin pas fitore 3:1 në Shkup dhe humbjes 0:1 në Tetovë.

Tani shpresohet të vazhdohet tradita dhe për të shpresuar gjysmëfinalen Shkëndija kërkon rezultat pozitiv nga ndeshja e parë në Shkup të mërkurën në orën 14:00.