Pazzini ia mohon fitoren Real Madridit me një barazim në minutat e fundit të ndeshjes

Sport February 03, 2018 - 22:52

Kur Real Madridi mendoi se po shkonte drejt fitores së tretë më radhë në La Liga në një ndeshje të javës së 22-të kundër Levantes, sulmuesi italian, Gianpeiro Pazzini doli në skenë për t'ia mohuar atë.

Levante dhe Real Madridi u ndeshen në kuadër të javës së 22-të të La Ligës spanjolle, në një takim që u mbyll me rezultat 2-2, të shtunën mbrëma, raporton Express.

Pas vetëm 11 minutave lojë, kapiteni Sergio Ramos shënoi për epërsinë e Real Madridit duke e futur me kokë topin në rrejt pas një harkimi të saktë të Toni Kroos.

Levante reagoi tre minuta para intervalit, duke e barazuar rezultatin në 1-1, përmes Boateng.

Ndërkohë, Isco që u fut në lojë në vend të Bale, shënoi për 1-2 në minutën e 81-të.

Dhe kur u mendua se Reali e kishte siguruar fitoren, blerja më e re dhe i sapo futuri në lojë nga banka rezervë, Pazzini, shënoi gol në minutën e 89-të, për të barazuar gjithçka.

Pas këtij barazimi, Reali shkon në kuotën e 39 pikëve në vendin e katërt në tabelë. Kështu me një fitore të mundshme nesër mbrëma, lideri Barcelona mund ta çojë epërsinë ndaj Realit në 21 pikë.

Ndërkohë, Levante, me këtë pikë mbetet në vendin e 17-të me 20 pikë.