Xavi: Pique, viktimë e rivalitetit Real – Barcelona

Sport December 30, 2017 - 21:53

Xavi Hernandez, në një intervistë për emisionin “Minuto0”, ka folur për shumë aspekte të jetës së tij, për planet mbi të ardhmen, por nuk ka ngurruar të hedhë dritë mbi transferimin e Neymarin, lajm të cilin e kishte marrë në dasmën e Messit.

Ish-mesfushori blaugran ka pranuar dëshirën për t’u bërë trajner duke sqaruar se:

“E di që më duhet shumë punë, megjithatë ideja kryesore është që t’i përkushtohem trajnimit. Edhe kur erdha në Katar, u mundova të ndihmoj nëpërmjet përvojës sime, por, pavarësisht gjithçkaje, nuk e di nëse mund ta nis nga ndonjë klub apo si asistent në ndonjë kombëtare”.

Teksa foli për Barcën ai tha: “Kur Barca humbi Superkupën ndaj Realit, u duk se klubi po lëkundej. Ardhja e Valverdes qartësoi gjithçka dhe solli ekuilibër. Në dasmën e Messit mora vesh për largimin e Neymarit. Ishte vetë braziliani që ma konfirmoi duke më thënë se ishte një hap për karrierën e tij. Nuk mund të bëja gjë tjetër, përveçse të respektoja vendimin e tij”.

Në fund, Xavi foli edhe për marrëdhënien e Gerard Pique me tifozët rivalë duke sqaruar: “Më vjen keq kur e vërshëllejnë sepse Pique është një nga ata lojtarë që japin shpirtin për skuadrën, sidomos në kombëtare. Kontestimet ndaj tij nuk kanë të bëjnë me politikën apo qëndrimin e tij për çështjen katalanase, por thjesht me rivalitetin Barca-Real”./PanoramaSport/