Kthehet Championsi, këto janë duelet e 'nxehta' sonte dhe nesër

Sport November 21, 2017 - 16:10

Ndeshja kryesore e ditës së martë në Ligën e Kampionëve do të zhvillohet në grupin G, mes Napolit dhe Shakhtar Donetskut. Ukrainasve u mjafton një pikë në Itali për ta siguruar kalimin në fazën tjetër, kurse Napolit i nevojitet vetëm fitorja për t’i mbajtur shpresat gjallë për kalimin e grupit. Reali do të kërkojë ta sigurojë kalimin në fazën tjetër, kurse në Grupin E Sevilla dhe Liverpooli do të ndeshen kokë më kokë për vendin e parë

Napoli dhe Shakhtar Donetsku do ta luajnë ndeshjen kryesore të Ligës së Kampionëve gjatë ditës së martë, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubi ukrainas gjendet në vendin e dytë në grup dhe numëron 9 pikë, ndërsa italianët kanë 3 pikë në vendin e tretë.

Napoli do të luajë për “jetë a vdekje” dhe do t’i kërkojë vetëm tri pikët për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën tjetër, ndërsa klubi ukrainas do të ishte i kënaqur edhe më një barazim, i cili do t’i mjaftonte për ta siguruar pozitën e dytë dhe kalimin në fazën tjetër të këtij kompeticioni.

Në takimin tjetër të këtij grupi Manchester City, që tashmë e ka siguruar plasmanin në fazën tjetër, do të luajë në shtëpi ndaj Feyenoordit, klub i cili ende nuk ka grumbulluar asnjë pikë në fazën e grupeve.

Liverpooli dhe Sevilla luajnë për vendin e parë

Sevilla do të jetë nikoqire e Liverpoolit të martën në xhiron e pestë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Klubin anglez dhe atë spanjoll i ndan vetëm një pikë në renditje. Liverpooli zë vendin e parë me 8 pikë, ndërsa Sevilla të dytin me 7 sosh.

Kjo ndeshje do të qartësojë shumë gjëra sa i përket renditjes së grupit. Në ndeshjen tjetër të grupit E Spartaku i Moskës pret Mariborin.

Rusët do të kërkojnë fitore për të mbetur në garë për një kualifikim të mundshëm në 1/16-ën e finales.

Besiktas kërkon kualifikimin

Besiktasi do të kërkojë ta sigurojë kualifikimin në fazën tjetër të këtij kompeticioni në ndeshjen si vendas kundër Portos, që ka arkëtuar 6 pikë deri më tani.

Turqve do t’u mjaftonte një barazim për ta siguruar kualifikimin.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit G Leipzigu dhe Monaco do të luftojnë për t’i mbajtur gjallë shpresat për një kalim të mundshëm të grupit.

Klubi gjerman gjendet në vendin e tretë në grup me 4 pikë, kurse ekipi francez në të katërtin me 2 sosh. 

Reali kërkon kualifikimin në Qipro

Kampioni aktual i Ligës së Kampionëve, Real Madridi, do të kërkojë që ta sigurojë kualifikimin në fazën tjetër të kompeticionit më prestigjioz evropian.

Ekipi i drejtuar nga Zinedine Zidane do të udhëtojë në Qipro për t’u takuar me APOEL Nicosias.

Ndërkohë, ekipi tjetër i grupit H, që tashmë ka siguruar plasmanin në fazën tjetër, Tottenhami, do të luajë në udhëtim te Borussia Dortmundi, i cili ka grumbulluar vetëm dy pikë nga katër takime të luajtura deri më tani. /Zëri/

Liga e Kampionëve

E martë

Grupi E

18:00   Spartak – Maribor      

20:45   Sevilla – Liverpool     

Grupi F

20:45   Man City – Feyenoord           

20:45   Napoli – Shakhtar      

Grupi G

18:00   Besiktas – Porto         

20:45   Monaco – Leipzig      

Grupi H

20:45   APOEL – R. Madrid             

20:45   B. Dortmund – Tottenham    

E mërkurë

Grupi A

18:00   CSKA – Benfica        

20:45   Basel – Man United   

Grupi B

20:45   Anderlecht – B. Munich

20:45   PSG – Celtic

Grupi C

18:00   Qarabag - Chelsea

20:45   A. Madrid – Roma

Grupi D

20:45   Juventus – Barcelona

20:45   Sporting – Olympiacos