Jashanica i solli siguri mbrojtjes së Kosovës

Sport October 17, 2017 - 12:33

Bajram Jashanica i ka sjellë siguri mbrojtjes së Përfaqësueses së Kosovës. Qendërmbrojtësi i Skënderbeut ndihet i privilegjuar që i është dhënë rasti në katër ndeshjet e fundit në eliminatoret e Botërorit, ku i tregoi vlerat e tij. Ai është i gatshëm t’i përgjigjet thirrjeve të Kosovës edhe në të ardhmen, duke premtuar se do ta japë maksimumin nga vetja. 27-vjeçari insiston se Verdhekaltrit janë rritur dukshëm dhe beson se në eliminatoret e Evropianit do të jenë më të suksesshëm

Mbrojtja e Përfaqësueses së Kosovës ka qenë gjithnjë reparti më i kritikuar në ndeshjet e para të eliminatoreve të “Botërorit 2018”.

Mirëpo në katër ndeshjet e fundit reparti defanziv i Verdhekaltërve shfaqi siguri dhe pësoi më pak gola, respektivisht 6 sosh, karshi 18 të tjerëve që i kishte pësuar në 6 ndeshjet e para.

E për këtë ndryshim pozitiv merita të mëdha ka edhe Bajram Jashanica, shkruan sot gazeta Zëri.

Përzgjedhësi Albert Bunjaki e riktheu në Përfaqësuese qendërmbrojtësin e Skënderbeut dhe nuk gaboi.

Madje, e vendosi në formacionin titullar në ndeshjet e fundit dhe mbrojtja filloi “të lulëzojë”.

27-vjeçari ofroi siguri dhe kjo u vërejt nga të gjithë. Jashanica ndihet i lumtur që u ftua fillimisht, pastaj që i është dhënë rasti për të luajtur dhe për efektin pozitiv që e pati në ekip.

“Normalisht që është një nder dhe privilegj të luash për Kosovën. Kam qenë edhe më herët pjesë e Përfaqësueses dhe jam rikthyer prapë në katër ndeshjet e fundit dhe jam i kënaqur për këtë”, theksoi fillimisht ai për “Zërin”.

Ai madje kishte ëndërruar që nga fëmijëria të luajë për Kosovën. Dhe tash po e shijon këtë ëndërr të tij të madhe.

“Besoj se çdo futbollist e ka ëndërr ta përfaqësojë shtetin e vet. Normalisht që ka qenë njëra prej ëndrrave që më është realizuar dhe jam krenar që jam pjesë e Përfaqësueses së Kosovës”, vazhdoi ai.

Kosova në rritje

Në katër ndeshjet e fundit Kosova pati fytyrë krejt tjetër. Madje mund edhe ta shkëpuste ndonjë pikë, por i mungoi edhe fati.

“Është e vërtetë se i kemi zhvilluar katër ndeshje shumë të mira. Jemi në rritje si skuadër, kemi shumë kualitet brenda grupit dhe besoj se në këto katër ndeshje kam bërë paraqitje të mirë. Këtu ka edhe përgjegjësi. E falënderoj trajnerin Albert Bunjaki që më ka besuar mua dhe besoj se ia kam shpërblyer besimin për të mirë. Për mua si futbollist është shumë që jam në Përfaqësuese, pasi edhe vlera e një lojtari rritet kur është pjesë e Përfaqësueses”, nënvizoi Jashanica.

Ai thotë se trajneri Bunjaki ka bërë punë shumë të madhe dhe se falë tij Përfaqësuesja ka arritur deri këtu.

Pavarësisht se kush do të vijë si trajner i ri i Kosovës ai thotë se do të mundohet të bëjë paraqitje të mira me Skënderbeun, në mënyrë që ta fitojë besimin e trajnerit të ri.

“Trajneri i ri do ta vendosë se a e meritoj të jem në Përfaqësuese si rezultat i paraqitjeve me Skënderbeun. Por, unë besoj se do të jem edhe në të ardhmen aty dhe ta jap kontributin tim për Kosovën. Çdo futbollist dëshiron të luajë titullar dhe këtë e mendoj edhe unë”, shprehet futbollisti defanziv.

Në Evropian më mirë se në Botëror

Kosova e mbylli kampanjën kualifikuese të Botërorit me 9 humbje dhe një barazim. Sidoqoftë, Jashanica beson se në kualifikimet e ardhshme Verdhekaltrit do të dalin më mirë.

“Kjo ka qenë hera e parë për Kosovën që mori pjesë në kualifikuese. Ka qenë shumë e vështirë, por një eksperiencë shumë e mirë, e cila na ndihmon shumë për ndeshjet e tjera dhe një përvojë shumë e madhe që të piqemi si skuadër. Besoj se në ndeshjet e fundit kemi treguar karakter shumë të fortë”, mendon ai.

“Para eliminatoreve të Evropianit e kemi Ligën e Kombeve, e cila do të jetë një mundësi për ne që të rritemi akoma edhe më shumë dhe të arrijmë rezultate të mira. Do të përpiqemi si skuadër të bëjmë paraqitje të mira”, thotë Jashanica.

Në fund, ai foli edhe për eksperiencën në ekipin e Skënderbeut. Sipas tij, skuadra korçare është në formë shumë të mirë, si në kampionat, kupë dhe në grupet e Europa Leagues.

Edhe ai personalisht është i kënaqur me formën në të cilën gjendet dhe e falënderon nusen e tij për mbështetjen dhe që i gjendet gjithmonë përkrah. Brenda një kohe të shkurtër ai shprehet optimist se do ta gjejë veten në një kampionat më të fortë.

“Dua ta provoj një eksperiencë më të madhe. Dua të jem në nivele më të larta”, përfundoi Jashanica. /Zëri/