Në Kaçanik veç te dajtë, jo te Lepenci

Sport August 02, 2017 - 11:43

Futbollistët shqiptar viteve të fundit kanë vërshuar klubet dhe ligat e ndryshme evropiane. Madje, edhe ato më të forta. Mirëpo, LaLiga spanjolle ka qenë dhe mbetet mjaft e vështirë për t’u inkuadruar tanët. Enis Bardhi është ndër futbollistët e rrallë që ka arritur të bëj vend në një klub të madh spanjoll. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia është një blerje e re e Levantes. Në këtë afat kalimtar Bardhi u transferua në klubin e LaLiga’s  nga Ujpesti i Hungarisë, i cili përfitoi 1.5 milion euro nga shitja e kartonit të tij. Mesfushori ka nënshkruar kontratë trevjeçare me spanjollët, për të cilët po shkëlqen në ndeshje kontrolluese, e madje ka nis të paraqitet me fanellën numër 10, të cilën kryesisht e bartin futbollistë të dalluar. Bardhi në tri sezonet e fundit ka luajtur për ekipin hungarez, shkruan sot gazeta "Zëri"

Duke e parë këtë përparim të jashtëzakonshëm të tij, një ekip i kategorisë së tretë të futbollit kosovar të hënën pohoi se para disa vitesh Bardhi iu kishte ofruar, por trajneri nuk e kishte pranuar. Fjala është për Lepencin, i cili në atë kohë garonte në Superligë, ku drejtohej nga trajneri Muharrem Sahiti. “Lojtari që u injorua nga shtabi teknik i Lepencit. Bëhet fjalë për lojtarin e Levantes, Enis Bardhi, që në sezonin 2011/12 kishte kërkuar të stërvitej me Lepencin, pasi që edhe vëllai i tij, Behar Bardhi, ishte lojtar i klubit tonë, por një kërkesë e tillë nuk ishte aprovuar nga kryetrajneri i asaj kohe, Muharrem Sahiti”, theksuan “Fikshat”. Por kjo është mohuar kategorikisht nga Muharrem Sahiti, ish trajneri i Lepencit, i cili tani është ndihmëstrajner i përzgjedhësit të Kosovës, Albert Bunajkit, raporton Zëri

Trajneri gjilanas i ka thënë “Zërit” se Enis Bardhi asnjëherë nuk ka qenë pjesë e ekipit të tij, e as që i është ofruar apo i është propozuar nga ndokush. “Jo, nuk e kam idenë. Unë i mbajë të gjitha evidencat dhe askund nuk figuron emri i Enis Bardhit”, ka theksuar Sahiti.

Në anën tjetër, “Zëri” ka bërë përpjekje për ta zbardhur të vërteten nëse Enis Bardhi iu kishte ofruar para 5-6 vitesh Lepencit. Gazeta e kishte të pamundur ta kontaktojë futbollistin e ri të LaLigas, por ka arritur ta kontaktojë një familjar shumë të afër të tij, i cili ka mohuar që Bardhi ta ketë lutur ndonjëherë Lepencin.

Enis Bardhi dhe ish lojtari i Lepencit, Behar Bardhi, janë vëllezër. Ata janë nga Shkupi i Maqedonisë, kurse nëna e tyre është nga Kaçaniku i Kosovës. “Kjo nuk është e vërtetë. Ai nuk ka luajtur as në ekipe të mëdha të Maqedonisë. Enisi ka qenë jashtë dhe rrallë vinte. As te dajtë që i ka në Kaçanik nuk shkonte shpesh e lëre më për të luajtur atje”, tha familjari i Enisit, i cili deshi të mbetet anonim. 

Mediat spanjolle po e lavdërojnë përforcimin e ri të Levantes, për të cilin po e parashikojnë një të ardhme fantastike./Zëri