Shkëndija 'miqasohet' me Evropën, eliminon edhe Helsinkin

Sport July 20, 2017 - 19:50

Shkëndija është lidhur ngushtë me Evropën. Kuqezinjtë e kanë kaluar edhe “pengesën” e dytë në Europa League, të quajtur Helsinki, të cilin e eliminuan pas dy ndeshjesh të zhvilluar në mes vete me rezultat të përgjithshëm, 4:2.

Në fakt, Kuqezinjtë e kishin fituar ndeshjen e parë në Strumicë javën e kaluar me rezultat 3:1 falë tregolëshit të Besart Ibraimit, ndërsa e konfirmuan kualifikimin në fazën e tretë eliminatore falë barazimit me rezultat 1:1, që e nxorën në kryeqytetin finlandez.

Skuadra tetovare ka bërë lojë të kujdesshme duke e menaxhuar mjaft mirë rezultatin nga ndeshja e parë, derisa e ka “goditur” kundërshtarin në momentin e duhur, shkruan zeri.info.

Në fakt, Kuqezinjtë e kanë gjetur veten në disavantazh në minutën e 28-të kur pa dashje shënoi në portën e tij Marjan Radeski, shkruan zeri.info.

Megjithatë, ekipi i Qatip Osmanit diti të reagojë dhe në minutën e 70-të e shënoi golin e qetësisë me anë të Ivan Celikovicit.

Ky gol ua “këputi këmbët” finlandezëve, të cilët më nuk e gjetën forcën për t’u rikthyer pasi iu nevojiteshin së paku edhe dy gola, për t’i siguruar vazhdimet.

Me këtë rast, Shkëndija e thelloi “miqasinë” me Evropën, pasi është bërë njëra prej skuadrave më të suksesshme shqiptare në garat evropiane viteve të fundit.

Tetovarët e kishin kaluar pa problem rrethin e parë kualifikues pasi e kishin eliminuar Daçian pas rezultatit të përgjithshëm 7:0.

Ata e vazhduan ritmin edhe me finlandezët, të cilët u dorëzuan para “Stuhisë Kuqezi”.

Ëndrra evropiane e Shkëndijës do të vazhdojë dhe javën tjetër do të luajë në kuadër të rrethit të tretë kualifikues.

Synim i Shkëndijës është kualifikimi në fazën e grupeve të Europa League, të cilën e kishte arritur vetëm një skuadër shqiptare në histori, Skënderbeu i Korçës.

Paraprakisht, këtë sezon nga Europa League janë eliminuar skuadrat tjera shqiptare, FC Prishtina, Tirana dhe Partizani. /Zëri/

Europa League

Helsinki – Shkëndija 1:1 (1:3)

Në kllapa, rezultati i ndeshjes së parë