89-shi 'blindon' futbollistët, gati për festë

Sport May 26, 2017 - 11:50

Trepça ’89 të dielën do ta çojë lart trofeun e titullit të kampionit menjëherë pas ndeshjes së fundit kampionale kundër Feronikelit, shkruan sot gazeta Zëri.

Me këtë rast, klubi nga Mitrovica do ta festojë me tifozët e saj titullin e parë në histori. ’89-shi ka njoftuar se në stadiumin “Riza Lushta” do të ketë edhe koncert, në të cilin do të përforcojnë grupi “Marigona”, MC Kresha, Ganimete Asllani, Gramos Shabani, ansambli i valleve “Drenica”, orkestra “Arena”, DJ Drit’on, DJ Shotts, etj.

Për festën e ’89-shit çmimi i biletave për meshkuj do të kushtojë 1 euro, kurse për femra hyrja në stadiumin “Riza Lushta” do të jetë falas.

Trepça ’89 titullin e kampionit e ka siguruar katër javë para përfundimit të kampionatit, por trofeu sipas Rregullores i dorëzohet në fund.

Mitrovicasit kanë fituar të drejtën për pjesëmarrje në gara evropiane. Ky klub ka vazhduar kontratat thuajse me të gjithë futbollistët. /Zëri/