ZYRTARE: Kjo është e ardhmja e Cuadrados

Sport May 23, 2017 - 13:51

Juventusi e ka kompletuar blerjen definitive të mesfushorit Juan Cuadrado nga Chelsea për 20 milionë euro, raporton zeri.info.

Përfaqësuesi kolumbian ka nënshkruar kontratë trevjeçare me kampionin e Serie A, pasi i kishte kaluar dy sezonet e fundit në formë huazimi në Torino.

Cuadrado i ka ndihmuar “Bianconeri” ta fitojnë Scudetton dhe Kupën e Italisë në dy sezonet e fundit, ndërsa ishte pjesë e rrugëtimit për në finale të Champions Leagues këtë sezon.

“Juventusi njofton se pasi kushtet e parakontratës janë përmbushur, e kemi shfrytëzuar mundësinë e blerjes definitive të Juan Guillermo Cuadrado Bello nga Chelsea. Juventusi dhe lojtari kanë nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2020”, njofton klubi italian.

Cuadrado ishte transferuar në Chelsea në shkurt të vitit 2015 nga Fiorentina, ku kishte impresionuar. Ai ka realizuar 8 gola në 83 ndeshje me ekipin e Massimilano Allegrit. /Zëri/