Jeta e Ronaldos, ndërmjet parajsës e ferrit

Sport May 23, 2017 - 11:59

Jeta e Cristiano Ronaldos nuk është e shtruar me lule ashtu siç duket në shikim të parë. Pas fitores së fundit, në udhëtim te Malaga, ylli portugez e ka hapur zemrën dhe për gazetën “Marca” ka thënë diçka më tepër se zakonisht

Cristiano Ronaldo është zyrtarisht futbollisti më i mirë në botë. Tash e sa vjet rivali i tij kryesor është argjentinasi i Barcelonës, Lionel Messi.

Ndërmjet tyre vazhdimisht zhvillohet “lufta” për “Topin e Artë“, shkruan sot gazeta Zëri.

Portugezi sivjet është më afër qëllimit, pasi e ka fituar titullin e kampionit të Spanjës, ndërsa më 3 qershor mund të stoliset edhe me titullin e kampionit evropian, pasi Real Madridi do të luajë në finale të kësaj gare me Juventusin.

Reali i sivjetmë ka shkruar një tjetër faqe të historisë, pasi ka arritur të shënojë gol në të gjitha ndeshjet (38) e kampionatit të Spanjës, ndërsa për titull do të shpërblehet me 20.8 milionë euro nga të drejtat televizive.

Dy vjet më parë është nënshkruar marrëveshja sipas së cilës kampioni përfiton më tepër se të tjerët, prandaj “Mbretërit” sivjet do të pasurohen më shumë se në vitin e kaluar, kur nuk ishin kampionë.

Skuadrat spanjolle nga të drejtat televizive përfitojnë 122.5 milionë euro, të cilat shpërndahen në përqindje sipas renditjes përfundimtare në tabelë.

Real Madridi do të përfitojë 20.8 milionë, Barcelona 18.4 milionë, Atletico Madridi 16 milionë..., ndërsa e fundit Granada përfiton 300 mijë euro. Por kjo nuk është shuma e vetme që përfiton Real Madridi.

Ronaldo: Nuk jam kriminel

Për këto sukses të skuadrës madrilene kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë Cristiano Ronaldo.

Ai për të tetin vit me radhë i ka shënuar 25 ose më tepër gola, duke u barazuar me Lionel Messin.

Mirëpo jeta e portugezit nuk është e shtruar me lule ashtu siç duket në shikim të parë. Pas fitores së fundit, në udhëtim te Malaga, ylli portugez e ka hapur zemrën dhe për gazetën “Marca” ka thënë diçka më tepër se zakonisht.

“Njerëzit flasin për mua sikur të isha një delikuent. Nuk jam kriminel, nuk jam as djall. Ata që flasin për mua nuk e kanë idenë se çfarë jam unë në të vërtetë”, ka thënë Ronaldo, duke shtuar:

“Nuk shikoj TV, sepse aq keq flitet për mua, për jetën jashtë futbollit saqë mund të mos jetoja fare. Sa herë që flitet për Cristianon, flitet keq”. 

Kritikat

Ndryshe nga fjalët që i adresohen për jetën jashtë fushave të lojës ai nuk brengoset për kritikat që kanë të bëjnë me futbollin.

“Kritikat që kanë të bëjnë me futbollin nuk më bëjnë përshtypje, sepse e di se nuk kanë çfarë të thonë. Sa herë flas unë, njerëzit në dorë ‘i mbajnë dy gurë’. Edhe unë kam familje, kam nënë, djalë dhe nuk dua që ata të dëgjojnë njerëzit duke më krahasuar me dikë që bën marrëzira. Unë nuk bëj gjëra të pakuptimta”, është shprehur Ronaldo, fjalët e të cilit kanë qenë shumë ndryshe nga ato që pritej të jenë pasi skuadra e fitoi titullin e kampionit.

Në nëntë ndeshjet e fundit që i ka zhvilluar Real Madridi, duke përfshirë të gjitha garat, Ronaldo i ka shënuar 14 gola.

“E patëm një përfundim spektakolar të edicionit, më të mirin në vitet e fundit. Patëm udhëheqje të shkëlqyeshme, fituam me ndihmën e trajnerit dhe të lojtarëve që kanë luajtur më pak”, ka theksuar portugezi, i cili vetëm në dy ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionit kundër Bayern Munichut i ka shënuar pesë gola.

Nëse merren parasysh të gjitha garat, Real Madridi ka shënuar gol në 64 ndeshjet e fundit, që është rekord i një skuadre duke përfshirë pesë ligat më të forta evropiane.

Kujt nuk i ka shënuar Reali së fundi? Manchester City është skuadra e fundit që nuk ka pësuar gol përballë madrilenëve dhe kjo ka ndodhur në prill të vitit të kaluar, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Reali e ka arritur edhe një rekord tjetër duke shënuar 58 gola brenda një edicioni në ndeshjet që i ka zhvilluar si skuadër mysafire.

Në të gjitha këto rekorde kontributin më të madh e ka dhënë njeriu i rekordeve Cristiano Ronaldo, për të cilin rekordet në aspektin personal janë në numër shumë më të madh. /Zëri/