Ronaldinho i mungon botës së futbollit

Sport April 27, 2017 - 16:13

Edhe zogjtë në qiell e dinin që dëshira e Ronaldinhos ishte të bëhej braziliani i parë që do të luante për Manchester Unitedin. Mirëpo Alex Ferguson nuk dëgjoi për dëshirën e tij dhe ndoshta Dinho është gabimi më i madh i skocezit legjendar. Ronaldinho sot po i mungon futbollit

Cristiano Ronaldo, Lionel Messi apo dikush tjetër! Cili është më i miri? Kjo është pyetja e cila assesi nuk po gjen përgjigje, shkruan sot gazeta Zëri.

Sigurisht fansat e futbollit nuk e kanë harruar edhe një “magjistar” tjetër, mjeshtëritë e të cilit po i mungojnë sot futbollit, përkundër që shkëndijat e Messit dhe të Ronaldos po na përcjellin gjatë gjithë kohës.

Emri i tij është Ronaldo de Assis Moreira, shkurt Ronaldinho. Është vështirë të harrohet arti i tij i bërë në fushat e blerta.

Fati i tij ishte në dorën e Zotit

Ronaldinho gjatë karrierës së tij ka kaluar gjithçka që mund të kalojë një futbollist nga një vend siç është Brazili.

U lind në Porto Alegre dhe u rrit në pjesën e varfër të qytetit brazilian. Dashurinë ndaj futbollit e kishte derisa gjendej në barkun e nënës, ashtu si çdo brazilian tjetër.

Botës së futbollit iu prezantua si 18-vjeçar në vitin 1999 te Gremio, atëherë kur filloi ta shkruante historinë.

Në Porto Alegre edhe sot flitet për një driblim të tij në vitin 2001, me të cilin e pati “poshtëruar” Carlos Dungën.

Pak kush e di se a ishte afër kalimit te Arsenalit, madje marrëveshja ishte arritur, por nuk u realizua për shkak të lejes së punës.

Një ide tjetër ishte huazimi në ST. Mirren të Skocisë, por duket se Zoti kishte një plan tjetër për djaloshin që me durim po e priste momentin e tij.

Pak muaj më vonë arriti oferta nga PSG-ja dhe kontrata u nënshkrua brenda disa orësh. Ai nënshkroi për pesë vjet dhe aventura në Evropë mund të fillonte.

Botërori 2002, momenti i kthesës së madhe

Megjithëse në edicionin e parë në Paris nuk tregoi diçka të veçantë, ish-përzgjedhësi Felippe Scolari e ftoi për Botërorin e vitit 2002 në Korenë Jugore dhe në Japoni.

Së bashku me Ronaldon e Rivaldon, Ronaldinho ishte fantastik dhe me një treshe të tillë titulli i kampionit pothuaj ishte i sigurt. Pas Botërorit u kthye në Paris, por aty qëndroi vetëm edhe një vit.

Edhe zogjtë në qiell e dinin që dëshira e tij ishte të bëhej braziliani i parë që do të luante për Manchester Unitedin.

Mirëpo Alex Ferguson nuk dëgjoi për dëshirën e tij dhe ndoshta Dinho është gabimi më i madh i skocezit legjendar.

Barcelona e shfrytëzoi momentin dhe në vitin 2003 e transferoi në radhët e saj.

Presidenti i atëhershëm, Joan Laporta, u kishte premtuar tifozëve se do ta transferonte anglezin David Beckham, i cili përfundoi te Real Madridi.

Mirëpo 14 vjet më vonë është e lehtë të vlerësohet se kush fitoi më tepër. Ronaldinho arriti në “Nou Camp” për 30 milionë euro e vetëm pak kohë më vonë Barcelona u bë skuadra më e mirë në botë.

Më 3 shtator të vitit 2003 ai e shënoi golin e barë për katalonasit. Ishte ndeshja kundër Sevillas, ndërsa ai gol shikohet në internet edhe sot e kësaj dite.

“Magjistari” brazilian i solli Barcelonës shumë tituj, ndër të cilët edhe triumfin në Ligën e Kampionëve. Në vitin 2005 u shpall futbollisti më i mirë në botë, ndërsa dy vjet më vonë ishte e qartë se motivi tek ai kishte filluar të bjerë.

Largimi nga Barcelona

Në vitin 2008 “u thyen” zemrat e shumë tifozëve të Barcelonës, pasi zyrtarët vendosën ta shesin te Milani.

Në atë kohë Ronaldinho jetën e natës e vendosi para futbollit dhe ishte e qartë se nuk ishte më në nivelin e tij më të lartë.

Para vetes e kishte edhe një qëllim, të cilin duhet ta arrinte. Trofeu i “Copa Libertadores” e shtyu të kthehej në Brazil.

Në vitin 2014 u bashkua me Atletico Mineiron me të cilën e fitoi edhe atë titull, prandaj në historinë e futbollit shkruhet si njëri nga lojtarët me më së shumti trofe.

Ndeshjen e fundit e luajti në “Maracana” me Fluminensen, pas së cilës e paralajmëroi një pushim të shkurtër.

Fatkeqësisht, ai pushim nuk përfundoi kurrë. Gjenialiteti i tij përshkruhet edhe me faktin se atij i ka duartrokitur i tërë “Santiago Bernabeu”, stadiumi i rivalit të përbetuar të Barcelonës. /Zëri/