E treta e vërteta nuk vlejti për Haxhi Krasniqin

Sport April 24, 2017 - 10:06

Haxhi Krasniqi e lëshoi edhe një mundësi për t’u shpallur kampion bote në versionin WBO, peshat super të mesme, shkruan sot gazeta Zëri.

Boksieri kosovar është mposhtur të shtunën mbrëma nga armeni me pasaportë gjermane, Arthur Abraham pas vendimit anonim të gjyqtarëve, pasi meçi prej 12 rundesh nuk solli fitues në ring.

Junikasi boksoi mirë në rundet e para, por në ato pasuese doli në skenë përvoja dhe forca e Abrahamit, i cili në fund festoi, duke ia hapur vetes dyert për të luftuar përsëri për titull të kampionit botëror, të cilin privilegj e kishte përjetuar për disa vite.

Nga ana tjetër, 30-vjeçari nga Kosova ka mbetur i zhgënjyer pas meçit, me shpresën se do të ngritet në të ardhmen dhe ta realizojë ëndrrën.

“Kam gjashtë muaj që ushtroj me mund dhe me sakrificë dhe të gjitha ishin më kot”, ka thënë Krasniqi në konferencë për shtyp pas meçit.

Ai e lëshoi mundësinë e tretë për ta kërkuar titullin e kampionit të botës, pasi në dy herët e kaluara kishte dështuar në meçin vendimtar për titull.

Sidoqoftë, ai e kishte përballë një “bishë” dhe assesi nuk është turp të humbësh nga Abraham.

Abraham: Fitova me 70 për qind të forcës

Arthur Abraham ka dalë me një deklaratë provokuese ndaj Haxhi Krasniqit, të cilin e mposhti në Erfurt të Gjermanisë pas vendimit unanim të referëve.

Armeni thotë se nuk iu nevojit ta përdorte të gjithë forcën për ta mposhtur boksierin kosovar.

“70 për qind e forcës ishte e mjaftueshme për ta mposhtur Krasniqin”, ka thënë 37-vjeçari, i cili do ta ketë mundësinë të luftojë për titull të kampionit botëror në vjeshtë të këtij viti. Nga ana tjetër Krasniqi i bëri disa hapa prapa në luftën për titull, por 30-vjeçari nuk dorëzohet kurrë.

Luan Krasniqi: Abraham fitoi me meritë

I pranishëm në palestër ishte edhe ish-boksieri i njohur kosovar, Luan Krasniqi, sipas të së cilit humbja e kushëririt të tij ishte e merituar pasi kundërshtari ishte më i fortë.

“Ishte një luftë e mirë, një publicitet për boksin. Abrahami është fitues me meritë”, ka thënë 45-vjeçari pas meçit.

Putz: Fitore e pastër

Presidenti i Federatës Gjermane të Boksit, Thomas Putz, e ka komentuar meçin ndërmjet Haxhi Krasniqit dhe Arthur Abrahamit. “Ishte një meç mjaft aktiv, një luftë sulmuese me një fitues të pastër”, ka thënë ai. /Zëri/