Peja e do finalen e Ligës Ballkanike

Sport March 29, 2017 - 12:16

Klubi i basketbollit Peja do ta kërkojë kualifikimin në finale të Ligës Ballkanike, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhezinjtë e kanë fituar duelin e parë gjysmëfinal ndaj Kumanovës me katër pikë avantazh, 83:79 dhe do të mundohen ta ruajnë këtë kapital sado të vogël në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet sonte në Maqedoni.

Pejanët ishin në avantazh dyshifror në “Karagaç”, por në fund kumanovarët e ngushtuan rezultatin dhe tash shpresojnë ta përmbysin atë, për të shkuar në finale të këtij evenimenti.

Sidoqoftë, Alban Veseli me shokë do të mundohen t’i përsërisin ndeshjet e kaluara për ta kapur finalen e madhe, për herë të parë në histori të këtij klubi.

Peja është përfaqësuesi i vetëm kosovar në fazën finale të Ligës Ballkanike, pasi tri skuadrat tjera të këtushme, Sigal Prishtina, Trepça dhe Bashkimi, ishin eliminuar në fazën e parë të grupeve.

Siç dihet Bardhekaltrit janë fitues të dy edicioneve të fundit të BIBL-së, derisa kanë vendosur të mos marrin më pjesë në këtë garë. Ndeshja ndërmjet Kumanovës dhe Pejës fillon në orën 19:00, sonte. /Zëri/