“Vol Travel” mashtroi 50 qytetarë, duke i dëmtuar me mbi 130 mijë euro

Kronika August 28, 2018 - 08:31
Lexo detajet
Image

Prokuroria Themelore në Gjilan është duke hetuar rastin e mashtrimeve të kompanisë turistike “Vol Travel” nga Gjilani, e cila sipas zyrtarëve të kësaj prokurorie dyshohet se ka mashtruar rreth 50 qytetarë të rajoneve të ndryshme të Kosovës në vlerë deri në 130 mijë euro. Prokurori i rastit është duke përgatitur kërkesën për vazhdim të paraburgimit ndaj të dyshuarit Granit Leka, të cilën këto ditë pritet ta dërgojë në Gjykatë, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Rreth 130 mijë euro është shuma e dëmit që kompania turistike “Vol Travel” nga Gjilani dyshohet t’ua këtë bërë rreth 50 qytetarëve nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët kishin paguar aranzhime me çmime të lira për t’i kaluar pushimet verore në bregdetin turk, por përveç parave që ua kishte marrë kjo kompani  nuk u kishte ofruar shërbime fare këtyre qytetarëve. Granit Leka është i dyshuari i vetëm i përfshirë në këtë mashtrim, i cili nga 1 gushti i këtij viti gjendet në paraburgim.

LEXO EDHE: BE-ja mund ta ndihmojë vetingun në drejtësi

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, i ka thënë gazetës “Zëri” se Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet ndaj kompanisë turistike “Vol Travel”, e cila dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë, numri i të cilëve ka arritur në 47 qytetarë të dëmtuar.

“Më 6 gusht 2018 prokurori i çështjes ka bërë aktvendim për fillim të hetimeve dhe kërkim për caktimin e paraburgimit, ku fillimisht numri i të dëmtuarve ka qenë më i vogël, ndërsa tash ka pranuar raport shtesë dhe numri i të dëmtuarve është rritur deri në 47 persona. Vlera e dëmit ende nuk dihet saktë, mirëpo arrin deri në 130 mijë euro”, ka bërë të ditur kryeprokurori MalokU. 

Sipas tij, Prokuroria është duke e përgatitur kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Granit Leka. “Prokurori i çështjes është duke e bërë një kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Kërkesa nuk është dorëzuar ende në Gjykatë, mirëpo është duke u punuar. Të dëmtuarit janë edhe të rajoneve të tjera, nuk janë vetëm nga Gjilani”, ka thënë ai. Mashtrimet e kësaj kompanie sipas Prokurorisë janë nga koha e papërcaktuar deri më 1 gusht 2018, kur është arrestuar i dyshuari. 
Kryeprokurori ka bërë të ditur se aktualisht është duke u hetuar vetëm një person, duke shtuar se nëse gjatë hetimeve del diçka tjetër, atëherë kjo do të bëhet e ditur. 
Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka pohuar se ky rast është në kompetencë të rajonit të Prishtinës, konkretisht në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, pasi Policia e rajonit të Gjilanit vetëm ka asistuar në këtë rast. Gazeta ka kontaktuar zyrtarë të Policisë së Kosovës në Prishtinë, të cilët kanë pohuar se pyetjet i janë përcjellë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, e cila është kompetente për këtë rast.

Megjithatë gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kjo Drejtori rreth kësaj çështjeje penale. Një ditë më parë gazeta “Zëri” kishte kontaktuar edhe disa nga viktimat e kësaj kompanie, të cilët kishin rrëfyer mashtrimin që ua kishte bërë tashmë i arrestuari Granit Leka. Njëri nga të dëmtuarit e kompanisë mashtruese “Vol Travel”, Valentin Quni, vëllai i deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Anton Qunit, kishte rrëfyer për “Zëri” se për ofertën joshëse për t’i kaluar pushimet verore në Turqi kishte mësuar përmes ofertave të prezantuara në rrjete sociale. 
Ai tregon se kur ka parë ofertën ka kontaktuar përmes telefonit në numrin e shfaqur në ofertë, ku në fillim ka kërkuar të dijë nëse oferta në fjalë është ende e vlefshme. “Kam biseduar me një djalë, të cilin e pyeta se a ka vende të lira në ofertën që ai ka prezantuar. Ai menjëherë ma konfirmoi se ka vende të lira, ku unë kërkova nga ai që t’i rezervoj 9 vende të lira, atij i thashë se paratë po ia dërgoj përmes llogarisë bankare. Mirëpo ai më tha se paratë duhet t’i jepen në dorë”, rrëfen Quni.

Më tutje Quni në rrëfimin e tij tregonte se për disa ditë i dyshuari nuk ishte lajmëruar fare, derisa pas një kohe ai sërish tregoi se e ka marrë në telefon personin tashmë të arrestuar. “E thirra sërish dhe e pyeta nëse kanë mbetur vende të lira. Ai më tha se më lajmëron pas pak. Pas nja 2 orësh më thirri në telefon, tha se ka vende të lira, por është obligative që pagesa të kryhet sot. Unë pas telefonatës shkova në Gjilan tek ai në zyre, ku aty pashë edhe prindërit e tij. Ai nisi t’i plotësojë biletat dhe më tha që duhet pak kohë. Unë dola jashtë zyrës dhe ika të ha bukë. Kur u ktheva ai kishte kryer të gjitha procedurat. Unë ia pagova 3300 euro për 9 persona”, vazhdonte rrëfimi i Qunit për gazetën “Zëri”.