BE-ja mund ta ndihmojë vetingun në drejtësi

Aktuale August 28, 2018 - 07:52
Lexo detajet

Image

Image

 

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses për politikë të jashtme të BE-së Federica Mogherinit, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse Kosova ose partnerët e tjerë kërkojnë mbështetjen e Komisionit Evropian (KE) ky i fundit do t’i shqyrtojë rrethanat specifike, duke përfshirë edhe proceset e mëparshme për vlerësimin e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të profesioneve të tjera ligjore, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Bashkimi Evropian (BE) mund ta ndihmojë Kosovën për ta realizuar procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë nëse institucionet vendore kërkojnë mbështetjen e tyre.          

LEXO EDHE: Ish-ambasadori amerikan: Ndryshimi i kufijve mund të sjellë pasoja në Ballkan

Pas dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakajt, siç ka thënë ai për shkak të hetimeve që i ka zhvilluar për fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së, shoqëria civile ka nisur protestat duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe një veting për gjyqësorin në vend.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses për Politikë të Jashtme të BE-së Federica Mogherinit, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse Kosova ose partnerët e tjerë kërkojnë mbështetjen e Komisionit Evropian (KE) ky i fundit do t’i shqyrtojë rrethanat specifike, duke përfshirë edhe proceset e mëparshme për vlerësimin e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të profesioneve të tjera ligjore. 

“U takon institucioneve të Kosovës të vendosin për organizimin e sistemit gjyqësor të Kosovës në përputhje me kornizën e saj kushtetuese dhe ligjore. Nuk ka një mënyrë të përshtatshme për të gjithë. Nëse Kosova ose partnerët e tjerë kërkojnë mbështetjen e Komisionit për të kryer procese të ngjashme Komisioni do të shqyrtojë rrethanat specifike, duke përfshirë proceset e mëparshme ose ekzistuese për vlerësimin e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të profesioneve të tjera ligjore. Një proces i tillë do të kërkonte një konsensus të gjerë midis të gjithë akterëve në shoqëri”, është shprehur Kocijançiq.                                                               

Në përgjigjen e tyre Bashkimi Evropian ka bërë të ditur që e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt një sistemi të drejtësisë efektiv. “BE-ja mbështet të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, në përpjekjet e tyre drejt një sistemi gjyqësor efektiv. Procesi i verifikimit në Shqipëri është pjesë e një programi gjithëpërfshirës të reformës së drejtësisë, që Shqipëria ka nisur dhe e cila mbështetet nga BE-ja. Ajo u vendos në përputhje me Kushtetutën e saj dhe e përshtatur sipas kontekstit dhe nevojave të vendit”, ka shtuar Kocijançiq. 

Edhe zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë thonë për “Zërin” se duhet të punohet për zhvillimin e një sistemi funksional që mundëson integritet në karrierë për të gjithë hisedarët në sistemin e drejtësisë. “Siç tha ambasadori Delawie në konferencën e fundit vjetore të Gjyqësorit:

“Duhet të punohet ende për t’i mbyllur vrimat ligjore në legjislacionin e Kosovës për luftimin e korrupsionit, për promovimin e emërimeve në bazë të meritave dhe për zhvillimin e një sistemi funksional që mundëson integritet në karrierë për të gjithë hisedarët në sistemin e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade. 
Në anën tjetër, gazeta “Zëri” për këtë çështje ka kontaktuar ministrin e Drejtësisë Abelard Tahirin, i cili pavarësisht faktit që kërkoi që pyetjet rreth kësaj çështjeje t’i dërgohen në e-mail ose në mesazh telefonik nuk ka kthyer asnjë përgjigje për 7 ditë radhazi. 
As kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të tij rreth çështjes së verifikimit të mundshëm në sistemin prokurorial dhe në atë gjyqësor.
Derisa kreu i KPK-së ka heshtur rreth kësaj çështjeje, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, është pro një procesi të verifikimit për sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Neziri: Vetingu të mos bëhet sa për “sy e faqe”
Procesi i verifikimit nuk paraqet problem për të parin e KGJK-së, por shprehet skeptik se ky proces mund të jetë edhe humbje kohe nëse nuk bëhet siç duhet. “Ka diskutime, ka kërkesa, ka debate lidhur me këtë çështje, varet tash nga Ministria e Drejtësisë nëse ata nxjerrin ligje, që e mundësojnë një gjë të tillë. Nëse është e arsyeshme dhe ka nevojë lirisht le ta bëjnë. Personalisht mendoj që njëherë duke i parë rrethanat ndoshta është e nevojshme, por nganjëherë kam frikën mos po humbim shumë kohë”, është shprehur Idrizi.
Për kreun e KGJK-së  nuk ka rëndësi nëse vetingu do të bëhej nga ndërkombëtarët ose nga vendorët, me rëndësi sipas tij është të mos bëhet sa për sy e faqe. “Nëse bëhet veting i mirëfilltë krejt në rregull, mirëpo nëse bëhet vetëm sa për sy e faqe dhe sa për ta bërë, aty mendoj se veç humbim kohë. Kushdo le ta bëjë, ose ndërkombëtarët ose vendorët, por nëse vendosin ta bëjnë, atëherë vërtet duhet të bëhet një veting i mirëfilltë”, është shprehur Idrizi. 
Njohës të çështjeve të drejtësisë pohojnë se është i domosdoshëm një proces i verifikimit në sektorin e drejtësisë. 


KDI: Vetingun ta bëjnë ndërkombëtarët
Këshilltari ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Florent Spahija, thotë se verifikimi në sistemin e drejtësisë do të duhej të bëhej nga ndërkombëtarët. “Në lidhje me procesin e verifikimit të të gjithë prokurorëve, por pse jo edhe të gjykatësve, jemi plotësisht për një gjë të tillë, bëhet nga trupa të pavarur dhe me integritet të plotë dhe jo nga struktura të politikës ose të caktuar nga politika, ose të interferuara nga ajo. Ndërkombëtaret do të ishin të mirëseardhur, por edhe ata paraprakisht duhet të ishin njerëz me integritet të plotë moral e profesional”, ka thënë Spahija. 
Sipas tij, në verifikimin e sektorit të drejtësisë do të duhej të parashihej edhe përfshirja e Policisë dhe e zyrtarëve policorë, sidomos atyre zyrtarëve hetues. 
Ai pohon se një verifikim i tillë nevojitet të bëhet menjëherë.

“Se a është e nevojshme aktualisht, themi se po, sidomos pas daljes në publik të letrës së ish-prokurorit Blakaj si sinjalizues i parregullsive që po ndodhin brenda sistemit prokurorial të Kosovës. Letra e tij e dëshmon kapjen e thellë që politika ia ka bërë Prokurorisë e që të dhënat në letër konfirmohen edhe në paraqitjet publike të kryeprokurorit të Shtetit, të kryeprokurorit të Speciales dhe të prokurores speciale”, është shprehur Spahija.
Ndryshe, ish-prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i tij pas kërcënimeve që kishte marrë derisa po hetonte dyshimet për manipulime me listat e veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përveç kërcënimeve që kishte marrë, Blakaj ka deklaruar se kishte pasur ndërhyrje edhe nga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, i cili i kishte kërkuar llogari për intervistimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli në cilësinë e dëshmitarit.