Hetohen zyrtarët që 'e fshehën' pasurinë

Kronika August 18, 2018 - 08:01
Lexo detajet
Image

Zyrtarët shtetërorë të cilët kanë tentuar ta fshehin pasurinë e tyre, duke mos e bërë publike për qytetarët, janë futur nën llupën e hetimeve. Nëse Prokuroria e Shtetit gjen elemente të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj tyre mund të ushtrohen edhe kallëzime penale, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lista e gjatë e zyrtarëve publikë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit të caktuar kohor i ka kaluar Departamentit të Hetimeve pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Kështu ka konfirmuar drejtori i këtij institucioni, Shaip Havolli.

LEXO EDHE: Në gusht diskutohet për vizat, liberalizimi vitin e ardhshëm

Havolli në një prononcim për gazetën “Zëri” ka sqaruar edhe procedurat e mëtejme të ecurisë së hetimeve.

“Shumica e zyrtarëve që nuk kanë dhënë arsyetime nuk kanë pasur dëshmi të mjaftueshme për arsyen pse e kanë vonuar deklarimin, kanë kaluar të gjitha rastet në Departament të Hetimeve. Prej listës së hetimeve ne i filtrojmë ata të cilët kanë dëshmi”, ka deklaruar udhëheqësi i Antikorrupsionit.

Kallëzimet penale ndaj zyrtarëve shtetërorë të cilët e kanë fshehur pasurinë mund të ngrihen vetëm në rast se Prokuroria vlerëson se ka elemente të mjaftueshme në ngritjen e aktakuzave.

“Procedura kalon në hetime, në rast se hetimet bindin që s’kanë arsyeshmëri pse s’e kanë deklaruar në afat, atëherë ushtrohet kallëzim penal dhe dërgohen në Prokurori, ajo e vlerëson a ka elemente të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë ose mundet të hedhë poshtë kallëzimin tonë penal”, ka theksuar ai.

Duke iu referuar statistikave të Antikorrupsionit, 31 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë, 6 e kanë deklaruar pas afatit, ndërsa 12 prej tyre nuk i kanë dorëzuar formularët e deklarimit të pasurisë gjatë afatit të rregullt vjetor me arsyetimin se kanë deklaruar pasurinë në dhjetor të 2017-ës me marrjen e detyrës në pozitën e anëtarit në kuvendin komunal përkatës.

Ndërsa më shumë se 98 për qind e zyrtarëve publikë, sipas Antikorrupsionit, e kanë deklaruar pasurinë e tyre në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

Zyrtarët e fituan pasurinë në mënyrë korruptive

Fakti se një pjesë e zyrtarëve shtetërorë nuk kanë pranuar ta deklarojnë pasurinë e tyre u ka lindur dyshimeve njohësve të fushës së sundimit të ligjit se pasurinë zyrtarët e kanë fituar në mënyrë korruptive.

Kështu ka thënë njohësi i fushës së sundimit ligjor, Riza Smaka.

Smaka në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka sqaruar faktin se deklarimi i pasurisë përveç obligimit ligjor është edhe moral njëkohësisht.

“Është tepër keq për zyrtarët publikë të cilët ushtrojnë funksione publike dhe paguhen nga paratë publike e nuk e deklarojnë pasurinë. Ky është obligim ligjor, por edhe moral. Kjo lë për të dyshuar se një pjesë të pasurisë ose gjithë pasurinë e kanë të fituar në mënyrë korruptive. Ndryshe do ta kishin deklaruar”, ka shpjeguar Smaka.

Por pa kritika nuk e ka lënë as sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Ana tjetër e medaljes, organet e ndjekjes vënë dyshime po ashtu korruptive që nuk i ndjekin këto raste, që nuk i posedojnë këto raste deri në ndërmarrjen e masave ligjore kundër atyre që nuk e paraqesin pasurinë e vet, nuk e kryejnë obligimin ligjor. Ligji në fuqi nuk aplikohet. Ka vend për t’u qortuar administrata publike. Në anën tjetër, titullarët e caktuar të sistemit të drejtësisë që këtë çështje e heshtin të rafinuar dhe nuk e posedojnë”, është shprehur ai.

Me një short të hedhur nga Agjencia Kundër Korrupsionit 950 zyrtarë të përzgjedhur do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë.

Përtej kësaj liste thuhet se Agjencia ka mandat që të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë dhe të zyrtarëve të tjerë të cilët nuk kanë qenë pjesë e shortit.

Proces ky që mund të realizohet sipas detyrës zyrtare të Agjencisë me kërkesë të publikut ose të personave të tjerë të interesuar në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara në saktësinë dhe në korrektësinë e deklarimeve.

Dështimi i Prokurorisë dhe i gjykatave

Për ngecje në hetimin e zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë përfaqësues të shoqërisë civile e kanë kritikuar sistemin e drejtësisë në vend, Prokurorinë dhe gjykatat.

Drejtori i qendrës kosovare kundër korrupsionit “Kund 16”, Fidan Kalaja, e ka quajtur dështim punën e Prokurorisë dhe të gjykatave në këtë drejtim.

“Në vitin 2013 mosdeklarimi ose deklarimi i rrejshëm i pasurisë është vepër penale dhe jo siç ka qenë më herët vepër kundërvajtëse. Kjo i ka dhënë mandat AKK-së, Policisë dhe Prokurorisë që të iniciojnë hetime penale për mosdeklaruesit e pasurisë, pra është një përparësi ligjore mjaft e fuqishme sa i përket këtij aspekti. Fatkeqësisht edhe pse para 5 vjetëve kjo ka hyrë në fuqi, nuk kemi parë veprime serioze të institucioneve gjegjëse që t’i trajtojnë këto raste në këtë mënyrë”, ka thënë Kalaja.

Ai i ka quajtur qesharake edhe masat sanksionuese të institucioneve për zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë.

“Edhe nëse shihen masat sanksionuese nga këto institucione për zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë qesharake dhe kjo tregon qartë se interesimi dhe vullneti i këtyre institucioneve për këtë çështje është shumë i ulët. Kjo ka shkaktuar dhe ka thelluar kulturën e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve që nuk deklarojnë pasurinë ose deklarojnë atë rrejshëm”, ka sqaruar më tej drejtori ekzekutiv i “Kund 16”. Në përfundim të deklaratës Kalaja ka shtuar se nuk pritet më shumë nga institucionet e drejtësisë në vend, të cilat i ka cilësuar të politizuara.

“Fatkeqësisht nuk pritet më shumë nga institucionet e drejtësisë në vend, të cilat janë thellësisht të politizuara e edhe në ato pak raste kur prokurorë e gjykatës me integritet moral e profesional kanë tentuar ta kryejnë punën sipas ligjeve në fuqi, janë përballur më kërcënime, shantazhe e sabotime nga vetë brenda sistemi i drejtësisë dhe elementeve nga politika dhe krimi i organizuar”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në vitin 2016 numri i zyrtarëve që kanë deklaruar pasurinë ka qenë 4320, nga 4352 sa kanë qenë të obliguar gjithsejtë.