Në gusht diskutohet për vizat, liberalizimi vitin e ardhshëm

Aktuale August 18, 2018 - 07:54
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Pas dhënies së rekomandimit pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian (KE), më 29 gusht të këtij viti procesi për vizat e Kosovës do të kalojë në komitetin LIBE të Parlamentit Evropian. Mirëpo pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës do të mundin të dalin përfundimisht nga “grilat” tek në gjysmën e dytë të vitit 2019, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përderisa ende Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ndonjë datë se kur Kosova përfundimisht do të marrë liberalizimin, zyrtarë të Bashkimit Evropian shprehen të bindur se Kosova i ka plotësuar kriteret e caktuara nga BE-ja dhe se tani vizat janë çështje procedurale.

LEXO EDHE: Konfirmohet: Telekomi humbi 66 milionë euro për 2 vjet

Edhe përfaqësues të institucioneve në vend vlerësojnë që këtë vit Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, pasi tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja.

Mirëpo njohësit e çështjeve të integrimeve thonë se deri në verën e vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës nuk do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm nëpër vendet e BE-së, sepse procedura për vizat e Kosovës mund të zgjatet nëse eventualisht Kosovës i vihet edhe ndonjë kriter joformal për vizat nga ana e BE-së.

Liberalizimi i vizave për Kosovën në agjendën e komitetit LIBE, më 29 gusht

ëKomiteti Parlamentar për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme të Parlamentit Evropian më 29 gusht të këtij viti e ka në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kështu të paktën ka bërë të ditur raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën Igor Sholtes, në një bisedë telefonike me ministren e Integrimeve, Dhurata Hoxha.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, në bisedë Sholtes e ka shprehur optimizmin e vet që Kosova do të marrë dritën e gjelbër për të ecur tutje, duke ofruar mbështetjen e plotë për të përshpejtuar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në anën tjetër, ministrja Hoxha e ka informuar deputetin Sholtes se Kosova është duke vazhduar reformat dhe zbatimin e MSA-së dhe kërkoi që procesi i vendimmarrjes sa i përket liberalizimit të vizave të përshpejtohet.

Sipas kumtesës së Ministrisë që ajo drejton, ajo e ka njoftuar raportuesin për Kosovën për fushatën e vetëdijesimit për liberalizimin e vizave, të cilën e ka filluar Ministria e Integrimit Evropian, me theks të veçantë informimin e qytetarëve sa i përket asaj se çka nënkupton liberalizimi i vizave, si dhe sanksionet që mund të pasojnë në rast të keqpërdorimit.

Po ashtu, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, gjatë ditës së enjte duke folur për procesin e liberalizimit të vizave ka deklaruar se heziton të flasë për data të sakta, për proceset që nuk mund t’i kontrollojë, por ka thënë se sa më shpejt që të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, do të jetë më mirë.

“Kjo kërkesë nga Kosova si vendi i vetëm në kontinent, në të cilin veçanërisht të rinjtë nuk janë në gjendje të udhëtojnë dhe të zbulojnë Evropën së cilës ata duhet t'i bashkohen, nuk është një gjendje e kënaqshme”, është shprehur ai.

Po ashtu Heldt ka thënë se liberalizimi i vizave është një proces ku nga pala kosovare janë përmbushur të gjitha kushtet në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe tani duhet të kalojmë nëpër procese në Bruksel dhe në kryeqytetet e shteteve anëtare, pasi Këshilli duhet të reflektojë mbi rekomandimet e Komisionit.

Kadrijaj: Këtë vit qytetarët lëvizin lirshëm

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën ka thënë se duke marrë parasysh që Kosova ka kryer punët e saj këtë vit do të marrë përfundimisht liberalizimin e vizave.

“Në momentin që BE-ja e ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizim dhe e ka pranuar që Kosova i ka plotësuar kriteret, tash do të kalohet në procedura të tjera të vizave në BE, në Këshillin e Ministrave etj. Deri në fund të vitit 2018 qytetarët do të lëvizin lirshëm”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Ndërsa e pyetur nëse institucionet e Kosovës kanë bërë mjaftueshëm për këtë proces, Kadrijaj shprehet e bindur që përfaqësues të pozitës së vendit dhe të opozitës janë angazhuar që ky proces të bëhet realitet për Kosovën.

“Në të njëjtën kohë të gjitha delegacionet e Kosovës që kanë lëvizur me detyra zyrtare nëpër vendet e BE-së kanë qenë lobuese pa dallim pozitë - opozitë, edhe para marrjes së rekomandimit pozitiv për vizat. Kosova vërtet padrejtësisht ka ngecur pa liberalizim të vizave sepse edhe nëse krahasohet me vendet e rajonit është dukshëm më përpara në kriteret që i janë kërkuar nga BE-ja”, ka thënë ajo.

Murati: Duhet mobilizim i të gjitha institucioneve që të përshpejtohet procesi i vizave

Në anën tjetër Artan Murati, nga KDI-ja, konsideron që liberalizmi i vizave për Kosovën mund të përfundojë këtë vit nëse institucionet e Kosovës lobojnë mjaftueshëm për këtë proces. Mirëpo Murati nuk e përjashton mundësinë që BE-ja në momentin e fundit të vendosë ndonjë kriter joformal për Kosovën.

“E mira është që jodomosdoshmërish vizat janë të lidhura me zhvillimet politike në vend, kështu që mund të ecë përpara agjenda e BE-së nëse ka interes të mjaftueshëm nga BE-ja dhe lobim të mjaftueshëm të institucioneve të Kosovës për një gjë të tillë. Varet shumë edhe nga institucionet e Kosovës se sa mund të jenë vigjilente në këtë drejtim”, ka thënë Murati për “Zërin”.

Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian është i vendosur që Kosova t’i marrë vizat këtë vit, atëherë kjo gjë është e mundur proceduralisht.

“Nëse BE-ja vendos dhe ka vullnet që ta kryejë këtë proces brenda këtij viti, atëherë proceduralisht mund të ndodhë një gjë e tillë, mirëpo sipas vendeve tjera që i janë nënshtruar këtij procesi zakonisht procedura ka zgjatur deri në 6 muaj prej momentit kur ka filluar trajtimi në Parlamentin Evropian, mirëpo BE-ja çdoherë mund ta përshpejtojë këtë procedurë nëse vetëm Republika e Kosovës është e vendosur në këtë aspekt”, ka theksuar Murati.

Ndërsa i pyetur se nëse është e mundur Kosovës t’i vihet ndonjë kriter në momentin e fundit, Murati duke e ditur praktikën e BE-së ndër vite nuk e ka përjashtuar një gjë të tillë.

“Në aspektin formal nuk ka kritere shtesë, por mund të ketë kritere joformale që mund të dalin aty për aty dhe BE-ja mund të kërkojë diçka në këmbim të përshpejtimit të procedurës për vizat e Kosovës. Këto janë gjëra që ndodhin çdoherë kur është e përfshirë BE-ja”, ka theksuar ai.

Ndërkaq ndryshe mendon Adrian Prenkaj, ish-diplomat i Kosovës në Washington, i cili ka thënë për “Zërin” që tek në gjysmën e dytë të vitit 2019 qytetarët e Kosovës do të mundin të lëvizin lirshëm.

“Procesi i vizave trajtohet në mënyrë shumë teknike, por megjithatë është edhe një proces politik sepse kërkon vullnet politik. Heqja e shumëpritur e vizave për shtetasit e Kosovës, sipas mendimit tim, ka gjasa të mos hyjë në fuqi deri në gjysmën e dytë të vitit 2019. Arsyeja ka të bëjë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në maj të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk pritet ndonjë befasi në procesin e vizave për Kosovën pasi kemi përkrahje të mjaftueshme në PE.

“Agjenda e takimit të komitetit LIBE ende nuk është publikuar, por zakonisht në dëgjimin e parë anëtarët e Komitetit e vlerësojnë përfundimin e procesit së bashku me raportin e raportuesit për Kosovën. Votimi ndodh në takimin e dytë të këtij Komiteti me shumicë të thjeshtë. Nuk pritet ndonjë befasi sepse Kosova ka përkrahje solide në Parlamentin Evropian”, ka potencuar ai.