Zyrtarët e dënuar për “Korrupsion” s’do të ushtrojnë funksion në shërbimin publik për 10 vjet

Kronika April 13, 2018 - 08:04
Lexo detajet

Në momentin e futjes në fuqi të Kodit të ri Penal të gjithë atyre zyrtarëve të cilët janë dënuar për vepra penale të “Korrupsionit” do t’u ndalohet ushtrimi i funksionit në  shërbimin publik deri në 10 vjet nga aktgjykimi dënues. Kështu ka deklaruar të enjten i pari i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë një konferencë për medie, ku ka prezantuar ndryshimet që janë në bërë në Kodin e ri Penal, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministri Tahiri tregoi se në hartimin e Kodit të ri janë bazuar në tri parime themelore, duke përfshirë përcaktimin e qartë për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, fleksibilitet më i madh në punën e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit, si dhe mbrojtje, promovim e avancim të nocionit të të drejtave të njeriut.

LEXO EDHE: Qytetarët, të rrezikuar nga vaji i palmës

Sipas tij, ndryshimet e parapara me koncept-dokumentin për suspendimin e zyrtarëve publikë në rast të ngritjes së aktakuzave për “Korrupsion” janë përfshirë në këtë Kod. 

"Rrjedhimisht, janë propozuar amendamentet e reja që i ndalojnë personit zyrtar ushtrimin e funksionit në administratën publike apo në shërbimin publik deri në 10 vjet nga aktgjykimi dënues. Kjo dispozitë parasheh që kur zyrtari publik të dënohet për vepër penale të ‘Korrupsionit’, atij t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbimin publik deri në dhjetë vjet”, ka thënë ministri Tahiri.

Ky Kod Penal, sipas tij, do t’ua japë mundësinë prokurorëve dhe gjyqtarëve të jenë të pamëshirshëm dhe të japin dënime ndaj keqpërdoruesve të parasë publike.

“Kodi Penal që është aktualisht në fuqi ka pasur hapësira që prokurorët dhe gjyqtarët të kenë mundësi të mos japin dënime të larta, mirëpo ky Kod i ri Penal nuk do t’u lërë mundësi prokurorëve dhe gjyqtarëve të hapin dënime të ulëta për rastet kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh ministri Tahiri.

Ai tha se nga e premtja Kod i ri do të jetë në Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se do të bëjë përpjekje që sa më parë të shkojë edhe në Kuvend për miratim.

Tutje ministri Tahiri tregoi se në nenet që përcaktojnë luftë më të ashpër ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ndryshuar nenet që nga Kontrabandimie e deri te Mashtrimi dhe Prodhimi i Produkteve të Dëmshme, si dhe ripërcaktimin e veprave penale të Korrupsionit, Të keqpërdorimit të pozitës apo të autoritetit zyrtar, Marrjen e dhënien e ryshfetit, Mashtrimin në detyrë.

Sipas tij, këto ndryshime do t’i japin  një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive në nivelin e ushtrimit të detyrës zyrtare.

“Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me ‘Korrupsionin’ kudo që ka pasur mundësi janë rritur dhe janë bërë kumulative në vend se alternative. Këto masa janë përkushtim konkret yni për të mbrojtur integritetin e institucioneve tona dhe për të parandaluar dhe për të luftuar korrupsionin në mënyrë të vazhdueshme dhe të pakompromis”, u shpreh Tahiri.

Në ndryshimin e mbi 100 neneve, sipas Tahirit, “janë përfshirë mbi 180 anëtarë të grupeve dhe nëngrupeve tematike nga konsorciume të mëdha të shoqërisë civile, medieve, institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në një proces transparent dhe demokratik për hartimin e këtij projektligji, që është njëri prej më të rëndësishmëve legjislativ të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Konsideroj se ky draft me të gjitha analizat paraqet draftinshënimin e një progresi të lartë”. Ministri tha se për sa kohë që është në krye të këtij dikasteri ka arritur të bëjë ndryshime.