Qytetarët, të rrezikuar nga vaji i palmës

Ekonomia April 13, 2018 - 07:51
Lexo detajet

Mishi me afat të skaduar nuk është ushqimi i vetëm  “i dyshimtë” që qytetarët e Kosovës mund ta kenë konsumuar. Ata po del të jenë të rrezikuar edhe nga vaji i palmës, i cili po importohet në masë të madhe në Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në bazë të statistikave që gazeta “Zëri” ka siguruar nga Dogana e Kosovës shihet se vetëm për tre muaj e gjysmë të vitit 2018 në Kosovë përmes rrugëve doganore kanë hyrë jo më pak se 889 mijë e 703 litra vaj palme në vlerën e 684 mijë e 94 eurove.

LEXO EDHE: Qeveria shpreson në vlerësim pozitiv për vizat

Malajzia figuron në listën e furnizuesve kryesorë të Kosovës me këtë lloj vaji.

Duke iu referuar të dhënave tabelore të importit, që Dogana i ka ofruar gazetës, nga ky shtet për vetëm tre muaj e gjysmë janë importuar 427 mijë e 719 litra vaj palme në shumë prej 298 mijë e 860 eurosh.

Menjëherë pas Malajzisë shteti i dytë renditet Indonezia.

Nga ky vend gjatë periudhës së lartcekur është importuar vaj palme në sasi prej 236 mijë e 484 litrash, në shumë prej 166 mijë e 82 eurosh.

Nga Holanda janë importuar 197 mijë e 480 litra vaj palme, në vlerë prej 186 mijë e 440 eurosh, nga Turqia 17 mijë e 117 litra, me vlerë 19 mijë e 548 euro.

Në mesin e shteteve kryesore, prej të cilave Kosova po furnizohet me vaj palme, Italia po del të jetë vendi prej të cilit importohet më së paku.

Nga ky shtet në Kosovë kanë hyrë 10 mijë e 903 litra vaj palme në vlerë prej 13 mijë e 161 eurosh, që krahasuar me vendet tjera po del të jetë importuesi më i vogël.

Duke iu referuar gjithmonë shifrave të Doganës shihet se sasia e importuar të këtij produkti është rritur ndër vite.

Prej 1 janarit të 2016-s e deri më 12 prill të 2018-s Kosova ka importuar në total 5 milionë e 202 mijë e 492 litra vaj palme, nga e cila është arkëtuar vlera prej 4 milionë e 331 mijë e 726 eurosh.

MTI-ja fillon hetimet për produktet e qumështit me vaj palme

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që konsiderohet një nga institucionet kompetente për  kontrollin e produkteve ushqimore, të cilat në përmbajtje mund të kenë këtë lloj vaji, thonë se kanë kërkuar sqarime nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës për sasinë e lejuar të përdorimit të vajit të palmës, në mënyrë që të fillojnë me masa të tjera.

Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe i Industrisë (MTI)-së, në një prononcim për “Zërin” ka treguar se tashmë kanë filluar t’i hetojnë disa produkte të qumështit.

“Kemi filluar disa hetime të qumështit që janë duke u bërë për disa produkte dhe jemi ndalur pa dashje edhe në këtë vit kemi parë se në bazë të statistikave që janë në rritje të importit. Kemi frikë se mos po përdoret në sasi më të lartë sesa është e lejuar dhe kjo është rrezik për shëndetin e qytetarëve”, i ka thënë “Zërit” ministri Hasani.

Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Bajram Hasani, ndër të tjera ka treguar se kanë kërkuar sqarime nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës për këtë çështje.

“Kemi kërkuar një sqarim nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës për shkak se informatat që i kemi, Departamenti konkret i Tregtisë që na i ka dhënë, thotë se nëse përdoret me një sasi mbi 20 për qind që përdoret sot në Bashkimin Evropian, madje Zvicra e ka të sanksionuar, mendohet që mund të jetë kancerogjene nëse përdoret në sasi më të madhe sesa 20 për qind. E ne sot nuk kemi kontroll se sa përdoret në Kosovë. Nuk e dimë saktë”.

Në rast se vazhdon kjo sasi e madhe e importit në Kosovë ministri Hasani paralajmëron ndalim të importit të këtij produkti ose vendosjen e një tarife për rritje të çmimit, në mënyrë që të mos ndodhin keqpërdorime.

“Shqetësimi ynë është që ne duhet të jemi të bindur se nuk është duke u përdorur në sasi më të madhe, por në bazë të të dhënave që i kemi nga Dogana lë të dyshohet se mund të përdoret sasi e madhe në produktet e qumështit. Në rast se kemi një përgjigje të ardhshme prej Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinës, sepse duhet të na sjellin një përgjigje, për shkak se i kemi kërkuar me shkrim nëse kemi bazë që nuk është e lejuar në sasi më të madhe, por përdoret më tepër, ndoshta duhet bërë analizat e produkteve të prodhimit tonë, i djathit dhe i qumështit. Ka shumë produkte që përdoren këto që janë ushqimore, në rast se ka elemente të tilla jemi të obliguar të ndalim sasinë e importit ose të marrim masa që të vendoset një tarifë për të rritur çmimin që të mos bëhen keqpërdorime. Tash për tash është çmimi më i lirë se i qumështit”, ka përfunduar ndër të tjera ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani.

Qumështarët, të zhgënjyer me institucionet

Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Ramadan Memaj, në një prononcim për “Zërin” ka shprehur shqetësimin e tij për neglizhencës e institucioneve lidhur me këtë çështje.

“Kohët e fundit kemi pasur një reagim. Ne jemi shumë të shqetësuar, pavarësisht faktit se kemi alarmuar tash e sa vite për këtë lloj të zëvendësimit të qumështit vendor me prodhime të falsifikuara, sidomos të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. I kemi njoftuar institucionet përkatëse dhe jemi shumë të zhgënjyer për faktin se nuk ka asnjë masë e cila do ta ndalonte këtë lloj tregtimi të produkteve të tilla, të cilat jo vetëm që nuk po ndalohen por përkundrazi po rritet sasia e prodhimit vendor, por edhe të importit”, ka deklaruar Memaj.

Sipas Memajt, përgjegjësia kryesore për rrezikun e produkteve rëndon mbi Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë, ndërsa mënyra e shitjes në treg kalon nën përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë.

“Sa i përket sigurisë së produkteve të rrezikshmërisë të produkteve me vaj të palmës përgjegjësinë kryesore e mban AVUK-u, ndërsa sa i përket mënyrës se si po shiten produktet në treg atëherë kjo është përgjegjësi  e MTI-së. Ne kemi pasur disa kontakte me MTI-në, ua kemi dhënë disa sugjerime, disa propozime si të dilet prej kësaj situate dhe jemi në pritje. Ju e dini se ata kanë deklaruar se e kanë formuar një komision i cili ka konstatuar  në terren gjendjen siç e kemi prezantuar, i kanë mbledhur faktet në terren dhe është e çuditshme si deri më sot nuk kanë marrë asnjë masë”, ka shtuar ai.

Përdorimi enorm i vajit të palmës është i rrezikshëm

Për përdorimin në sasi të tepruar të vajit të palmës po alarmojnë edhe organizatat që mbrojnë shëndetin e konsumatorëve.

Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës “Konsumatori”, thotë se qytetarët nuk janë në dijeni për ushqimet që konsumojnë e që në përmbajtje kanë këtë lloj vaji.

“Ne nuk jemi të vetëdijshëm se në të gjitha biskotat, keksat  ka vaj palme, nuk e dimë se në të gjitha ëmbëlsirat, çokollatat ka vaj palme. Ne nuk e dimë se në ajkat artificiale ka vaj palme. Një duzinë e djathërave, në veçanti e kaçkavallit të destinuar për picë ka vaj palme. Nëse në gjithë këtë gamë e kalojmë ditën del se ne si qytetarë konsumatorë duke iu falënderuar neglizhencës së institucioneve, asociacioneve, mekanizmave të tregut të prodhuesve dhe përpunuesve i jemi nënshtruar një bombardimi të vrazhdë me vaj palme, i cili natyrisht se ka për të reflektuar me probleme shëndetësore”, ka alarmuar Kaçaniku.

Kryetari i organizatës “Konsumatori” thotë se yndyra e palmës në trajtim me temperatura plus 200 gradë më tepër mund të jetë e rrezikshme.

AVUK-u hesht:

Ndonëse përgjegjësia kryesore po kalon tek Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës së Kosovës (AVUK), në këtë institucion nuk po deklarohen për këtë problem. Gazeta përveçse ia ka përcjellë pyetjet me shkrim zyrës për informim këtij institucioni, ka kontaktuar edhe me zyrtarin për informim në AVUK Lamir Thaçin, por nuk ka marrë përgjigje. Thaçi është arsyetuar se gjatë kohës sa i është kërkuar përgjigje gjendet në terren.