Kërkohet largimi i ministrave me aktakuza

Kronika April 11, 2018 - 08:02
Lexo detajet

Aktakuzat për “Korrupsion”, “Konflikt interesi” e “Shpërdorim të detyrës zyrtare” nuk i ndalin zyrtarët e lartë shtetërorë që të vazhdojnë punën e tyre në institucionet më të larta shtetërore. Kjo çështje është shumë shqetësuese për zyrtarë të shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që kjo praktikë të ndalet pasi ndikon në zbehjen e imazhit të  institucioneve, pjesë e të cilave janë këta persona të akuzuar, si dhe në punën e pavarur të sistemit të drejtësisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Të gjithë zyrtarët e lartë shtetërorë të cilët përballen me aktakuza duhet të japin dorëheqje ose të suspendohen nga postet e tyre deri në vendimin e gjykatës për fajësinë apo për pafajësinë e tyre.

Kështu po vlerësojnë zyrtarë të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë rastet e korrupsionit.

LEXO EDHE: 13 milionë euro për zgjerimin e rrugës

Sipas tyre, zyrtarët aktualë të cilët përballen me aktakuza të ndryshme, duke përfshirë Besim Beqajn, ministër i Ministrisë së Inovacionit dhe të Ndërmarrësisë, i cili akuzohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në rastin e njohur si afera “Pronto”, pastaj Valdrin Llukën, ministër i Zhvillimit Ekonomik, i cili në këtë pozitë kishte ardhur edhe pse po akuzohej për “Konflikt të interesit”, duhet të lirohen nga detyrat e tyre deri në aktgjykimin e gjykatës.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se në Kosovë tanimë është ndërtuar kultura se ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit e saj.

Sipas tij, në Kosovë zëvendëskryeministrat, ministrat e zyrtarë të tjerë të lartë vazhdojnë punën e tyre edhe pse kanë aktakuza, kurse e njëjta nuk ndodh me zyrtarët e shërbimit civil, shumica prej të cilëve në rast të ngritjes së aktakuzave suspendohen nga puna.

“Në Qeverinë e Kosovës zëvendëskryeministrat, ministrat vazhdojnë të qetë t’i ushtrojnë funksionet e tyre pavarësisht faktit se kanë aktakuza dhe në shumë raste atyre u është rastisur që në të njëjtën ditë në mëngjes ta gjejnë veten në gjykatë si të akuzuar për vepra penale të korrupsionit, ndërsa pasdite të udhëheqin me ministrinë që udhëheqin.  Përderisa e njëjta nuk vlen për pozitat në shërbimin civil të Kosovës kur me rastin e ngritjes së aktakuzës ata në shumicën e rasteve suspendohen”, shprehet Miftaraj.  

Ai thotë se një qeverisje me zëvendëskryeministra e ministra të akuzuar në shtetet e Bashkimit Evropian është e paimagjinueshme.

“Qeverisja me ministra me aktakuza dëshmon më së miri integritetin e kësaj Qeverie dhe standardin që kjo Qeveri e zbaton. Përderisa një praktikë e tillë është e paimagjinueshme në shtetet e BE-së, sigurisht se në Kosovë tanimë kjo po shndërrohet në praktikë pavarësisht faktit se një gjë e tillë bie në kundërshtim të plotë me vlerat dhe me parimet ndërkombëtare të qeverisjes së mirë”, thotë Miftaraj.

KDI: Zyrtarët me aktakuza mund të ndikojnë në drejtësi

Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, për “Zërin” thotë se të gjithë ata zyrtarë, pavarësisht pozitave të tyre, duhet të japin dorëheqje në momentin që ndaj tyre ngrihet një aktakuzë.

Sipas tij, në rastet kur zyrtarët e lartë ofrojnë dorëheqjen  tregon që kanë një lloj gatishmërie për t’i shërbyer publikut. Nëse ata nuk japin dorëheqje siç është bërë tashmë praktikë në Kosovë, atëherë kjo është një shenjë e keqe, pasi mund të ketë influencë të politikës në gjyqësi.

“Të gjithë zyrtarët e lartë, pavarësisht nivelit të pozitës së tyre, ishte dashur që në momentin kur kanë aktakuzë ta ofrojnë dorëheqjen deri në vendimin e gjykatës. Normalisht edhe gjykata në këto raste duhet të jetë më e shpejtë, më efikase që këto lëndë t’i përfundojë sa më shpejt që është e mundshme, brenda afateve ligjore apo edhe më shpejt për shkak të rëndësisë që kanë këto lëndë”, deklaron Spahija.

Ai thotë se shefi i Qeverisë ishte dashur të jetë më i kujdesshëm që personat të cilët kanë aktakuza të mos i përfshijë fare në Qeveri.

Më të kujdesëm, sipas tij, duhet të jenë vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët nuk ishte dashur ta votojë një kabinet qeveritar në të cilin personat janë të përfshirë në aktakuza, siç ka ndodhur me rastin e ministrit Valdrin Lluka.

Rastet kur një person ka aktakuzë dhe pavarësisht kësaj ai person e merr bekimin prej Parlamentit të Kosovës për ta vazhduar punën dhe të jetë pjesë e Qeverisë me aktakuzë, sipas tij në këtë rast bëhet shkelja e ligjit.

Spahija nuk e përjashton mundësinë që zyrtarët të cilët akuzohen dhe nën aktakuzë vazhdojnë të mbajnë pozitën e tyre mund të ndikojnë më lehtë në vendimin e gjykatës ndaj tyre.

“Dyshimi mund të jetë te ndikimi, sepse kur shkon në gjykatë në cilësinë e ministrit është shumë më lehtë, duke marrë parasysh në rrethanat ku jetojmë, sesa në cilësinë e një qytetari të thjeshtë, edhe pse para ligjit të gjithë duhet të jenë të njëjtë pavarësisht pozitës”, pohon Spahija.

Kalaja: Zyrtarët e akuzuar që nuk japin dorëheqje duhet të shkarkohen

Ndërsa Fidan Kalaja, drejtor i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsion, thotë se aktualisht nuk ekzistojnë norma ligjore që e ndalojnë një gjë të tillë, mirëpo kjo normë e zyrtarëve, sidomos të atyre të lartë, nuk do të thotë që është standardi i cili duhet ndjekur.

Në shumicën e rasteve duke përfshirë edhe rastin e fundit ku Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për zyrtarë të lartë shtetërorë në rastin “Pronto”, sipas tij, kanë të bëjnë më aktakuza për “Shpërdorim të detyrës zyrtare” e afera të tjera korrupsioni e krimi të organizuar. Kalaja thotë se deri më tash në Kosovë vetëm dy zyrtarë me poste ministrore janë treguar të përgjegjshëm duke dhënë dorëheqje nga postet e tyre pas ngritjes së aktakuzës ndaj tyre. “Kanë qenë vetëm dy raste, një lirim nga detyra për ish-zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës z. Bujar Bukoshin pas ngritjes së aktakuzës në rastin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe pas presionit të shoqërisë civile dhe vetëm një rast ku është treguar përgjegjësi nga ana e ish-ministrit të Planifikimit Hapësinor z. Ferid Aganit kur ai vetë ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria”, shprehet Kalaja.

Ai thotë se kur zyrtarë të tillë hezitojnë të japin dorëheqje ata duhet të shkarkohen nga udhëheqësit e institucionit, pjesë e të cilit janë këta zyrtarë të akuzuar. “Duke i pasur parasysh ngecjet në sistemin e drejtësisë që Kosova ballafaqohet, duke e pasur parasysh rritjen e besueshmërisë dhe të integritetit të institucioneve të Kosovës zyrtarët të cilët ballafaqohen me aktakuza duhet të japin dorëheqje ose të shkarkohen nga udhëheqësit e institucioneve dhe të partive politike”, thotë Kalaja.

Ndryshe ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe të Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, bashkë me dhjetë ish-zyrtarë të tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe të banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga Neni 193, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Përveç ministrit Beqaj pjesë e aktakuzës që është ngritur ditë më parë nga Prokuroria Speciale për rastin e njohur si afera “Pronto”,  është edhe deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës Zenun Pajaziti. Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe të përparësive të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe duke kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Ndërsa Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, po gjykohet për “Konflikt të interesit”. Ministri Lluka akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë (MTI), njëkohësisht edhe kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014 kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë eurove për organizatën joqeveritare “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.