13 milionë euro për zgjerimin e rrugës

Ekonomia April 11, 2018 - 07:59
Lexo detajet

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka thënë se pjesa e rrugës me katër korsi nga Polluzha deri në autostradën Prishtinë – Pejë do të përfundojë sipas dinamikës së paraparë. Faza e parë e projektit nga Gllobari deri në Tërstenik ka filluar të realizohet javën që shkoi, ndërsa nuk dihet ende se a do të lidhet kjo rrugë me autostradën Prishtinë – Pejë në Komaran apo te Parku i Biznesit në Korroticë të Epërme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ditë të madhe për Drenicën e ka quajtur kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci fillimin e punimeve në realizimin e projektit të zgjerimit të rrugës nga Polluzha deri në Komaran.

LEXO EDHE: Gërmime në katër lokacione të dyshuara për varreza masive

Pjesa tjetër e rrugës Komaran – Drenas – Skenderaj – Klinë e Epërme, nga Polluzha deri në Klinë të Epërme ka përfunduar vetëm pjesërisht, pasi që për shkak të problemeve me shpronësimet në disa pjesë ende nuk ka përfunduar.

Duhen të paktën të shpronësohen e pastaj edhe të rrënohet edhe 4 shtëpi, një në Marinë dhe tri të tjera në Klinë të Mesme, që rruga të përfundojë ashtu siç është paraparë me projekt.

Nuk dihet akoma se ku do të dalë rruga në Komaran apo në Korroticë të Epërme, respektivisht te Parku i Biznesit, pasi që ideja e kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci që rruga të shkojë në drejtim të Komaranit nuk është përkrahur nga qytetarët e Drenasit e as nga ata të Skenderajt.

Madje, edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili bashkë me Lladrovcin janë nënshkrues të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës për financimin e projektit që ka koston prej 13 milionë eurosh, ka kërkuar që projekti të korrigjohet dhe që rruga të dalë te Parku i Biznesit, gjë që qytetarëve të Skenderajt ua shkurton rrugën për Prishtinë për gati 10 kilometra

. Opozita në Drenas ka konstatuar se me projektin ideor ishte planifikuar që pikërisht rruga me katër korsi të devijojë te “Kluzi” dhe të dalë në Korroticë të Epërme, në afërsi të Parkut të Biznesit, por që siç thotë opozita në Drenas, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci e ka ndryshuar projektin “për të kaluar rruga nëpër pronat e tij që i ka blerë nga AKP-ja”.

“Rrjetëzimi i Drenicës me autostradë do të jetë lehtësim për të gjithë qytetarët, jo vetëm të Drenicës por të gjithë atdhetarëve që vijnë me rastin e ditëve të shënuara në këtë zonë historike. Drenica i meriton gjithë të mirat e lirisë sonë. E falënderoj Kadri Veselin, Pal Lekajn dhe të gjithë ata që kontribuuan që projekti i kësaj rruge të realizohet”, ka thënë Lladrovci, duke e vlerësuar ndërtimin e kësaj rruge si projektin më të madh dhe më të rëndësishëm në Drenicë.

Lladrovci sqaroi se faza e parë e projektit ka filluar të realizohet nga Gllobari deri në Tërstenik, ndërsa në fazën tjetër nga Tërsteniku deri në Polluzhë ku do të kapet me pjesën e rrugës me katër korsi nga Klina e Epërme, e cila ka përfunduar vetëm pjesërisht.

Projekti i rrugës me katër korsi ka filluar të realizohet para më shumë se tri vjet në pjesën që i takon Komunës së Skenderajt, respektivisht nga Klina e Epërme e deri në Polluzhë, por në shumë pjesë të saj punët nuk kanë përfunduar për shkak të mosmarrëveshjeve për shpronësim.

Problemet më të mëdha janë në Klinë të Mesme, tek ura në Skenderaj (ka përfunduar vetëm një anë e urës), pastaj në Marinë dhe në Polluzhë. Punëkryesit, kompanitë “Al Trade” dhe “Conex” e Istogut, disa punë i kanë kryer vetëm në fund të vitit 2017.

Për t’i përfunduar punët në këtë pjesë të rrugës me katër korsi Ministria e Infrastrukturës e Republikës së Kosovës ka ndarë 1.7 milion euro, ndërsa për pjesën e rrugës nga Polluzha e tutje deri në autostradën Prishtinë – Pejë Ministria e Infrastrukturës ka ndarë 11 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili me kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovcin dhe me atë të Skenderajt Bekim Jasharin kanë nënshkruar memorandumin për financimin e projektit, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të investojë në rajonin e Drenicës.

“Si Qeveri jemi shumë të interesuar dhe të përkushtuar që të investojmë në Skenderaj dhe në Drenas, sepse këto dy komuna kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës e pos kësaj për një kohë të gjatë ato kanë qenë të lëna pas dore. Kjo rrugë me katër korsi do t’u shërbejë qytetarëve të Drenicës për qarkullim më të lehtë të automjeteve dhe qarkullim të mallrave e që do të ndihmojë edhe në zhvillimin e ekonomisë së kësaj ane”, ka thënë ministri Lekaj, duke precizuar se në përfundimin e plotë të projektit MI-ja do të investojë 12.7 milionë euro.