Tregtia me narkotikë rritet për 116%

Kronika March 07, 2018 - 09:11

Gjatë vitit 2017 Policia në Prishtinë ka evidentuar më pak vrasje, por më shumë raste të tregtisë me narkotikë. Gjatë vitit që lamë pas në rajonin e Prishtinës Policia ka regjistruar 5 vrasje, apo 7 më pak në raport me vitin paraprak. Derisa gjatë kësaj periudhe kohore janë 349 raste të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe të shitjes së substancave narkotike, ose një rritje prej 116,77%, në vitin 2016 kemi pasur 161 raste, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Njëqindegjashtëmbëdhjetë për qind është rritur tregtia me narkotikë në rajonin e Prishtinës gjatë vitit që lamë pas. Këto të dhëna alarmuese janë publikuar të martën në raportin vjetor të punës për vitin 2017 nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës.

LEXO EDHE: Prekazi i bashkon shqiptarët

Derisa gjatë kësaj periudhe kohore janë 349 raste të blerjes, posedimit, shpërndarjes e të shitjes së substancave narkotike, ose një rritje prej 116,77%, në vitin 2016 sipas Policisë kemi pasur 161 raste të blerjes, posedimit, shpërndarjes e të shitjes së substancave narkotike.

2259 persona të arrestuar gjatë vitit që lamë pas

Sipas të dhënave që janë publikuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, shihet se për këtë periudhë analizuese (viti 2017) janë evidentuar nga Policia 19.358 raste, nga të cilat janë  hetuar, zbuluar dhe janë përcjellë në institucionet përkatëse 67,99% e tyre.

Po ashtu sipas Policisë, janë goditur dhjetëra grupe e rrjete kriminale dhe janë arrestuar 2.259 persona si të dyshuar për vepra të ndryshme.

“Gjatë periudhës analizuese është bërë rivlerësimi i prezencës së fenomenit të krimit në rajonin e përgjegjësisë dhe mbi këtë bazë u përcaktuan individët dhe grupet kriminale që veprojnë në çdo drejtim, u hartuan planet e masave me detyra për goditjen e tyre përgjatë gjithë kësaj periudhe, u forcua bashkëpunimi me Prokurorinë dhe me gjykatat, si dhe u aplikuan më me sukses teknikat speciale të hetimit, si njëra nga format më efikase në goditjen e individëve, të grupeve dhe të rrjeteve kriminale.

Njohja e situatës kriminale për trafiqet e paligjshme, evidentimi, ndjekja në dinamikë e grupeve kriminale për këto tendenca, organizimi i punës për parandalimin, goditja dhe dokumentimi ligjor i aktivitetit të tyre, si dhe përforcimi i bashkëpunimit dhe i bashkërendimit të veprimeve me strukturat e tjera të administratës shtetërore ka qenë një drejtim mjaft i rëndësishëm i strukturave regjionale në luftën kundrejt krimit”, thuhet në raportin vjetor të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Aty më tutje thuhet se është rritur niveli i bashkëpunimit me të gjitha strukturat pjesëmarrëse në zbatimin e ligjit, si dhe shërbime të tjera të angazhuara në luftën për parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale. Sipas Policisë, ky bashkëpunim është realizuar si nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve të ndërsjella, ashtu edhe me kryerjen e veprimeve të përbashkëta në fushën operacionale.

“Gjatë kësaj periudhe analizuese janë realizuar me sukses mbi 700 operacione nga më të ndryshmet, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 2.259 personave të dyshuar. Vëmendja është përqendruar në ndjekjen e situatës kriminale dhe në mënyrë të veçantë për krimet e rënda, në goditjen e grupeve e të rrjeteve kriminale, si dhe në harmonizim të punës së strukturave policore regjionale e ndëregjionale me qëllim dominimin e situatës kriminale. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe punës lidhur me mbrojtjen e fëmijëve, ku për këtë qëllim janë hartuar programe të veçanta, janë realizuar disa detyra dhe është bashkëpunuar ngushtë edhe me institucione të tjera dhe me organizata jofitimprurëse që kryejnë veprimtari në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve”, thuhet më tutje në raport.

5 vrasje gjatë vitit 2017

Gjatë kësaj periudhe analizuese, sipas raportit të Policisë, në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës janë evidentuar 5 vrasje, numër ky që është për 7 raste më i ulët sesa në vitin 2016, ku Policia ka evidentuar 12 vrasje, ose shprehur në përqindje këtë vit kemi një rënie prej 58,33%. Sa u përket tentimvrasjeve, për vitin 2017 Policia ka evidentuar 47 raste, ndërsa përgjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016 kemi pasur 45 raste, pra këtë vit kemi 2 tentimvrasje më shumë, ose një ngritje prej 4,44%.

“Rastet e lëndimit të rëndë trupor kanë pësuar një rënie prej - 7,77%. Në këtë periudhë analizuese kemi pasur 95 raste të lëndimit të rëndë trupor, për dallim nga viti 2016 që kemi pasur 103 raste. Ndërsa rastet e lëndimit të lehtë trupor janë ngritur për 6,63%, në vitin 2016 kemi pasur 981 rase të lëndimit të lehtë trupor, ndërsa në vitin 2017 janë raportuar 1.046 raste. Edhe rastet e kanosjes i kemi pasur në ulje. Në këtë periudhë analizuese kemi pasur 626 raste të kanosjes për dallim nga e njëjta periudhë e vitit 2016 që kemi pasur 677 raste, pra kemi një rënie prej -7,53%”, thuhet në raportin vjetor të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës për vitin 2017.

Sipas Policisë, ulja e numrit të veprave penale kundër jetës dhe trupit dhe rritja e fuqisë zbuluese ndaj tyre ka ardhur si rrjedhojë e punës më të mirë që është bërë nga ana e hetuesve rajonalë, aplikimi i taktikave dhe i teknikave më të avancuara të hetimit, sqarimit dhe të zbulimit të rasteve të tilla.

“Mandej analizimi i informacioneve dhe konflikteve për interesa të ndryshme nga rianalizimi që u është bërë rasteve të ndodhura më parë, nga analizat e bëra lidhur me personat në konflikt, nga përcaktimi i detyrave konkrete për ndërhyrjen dhe zgjidhjen e tyre në kohë, si dhe nga forcimi i bashkëpunimit me qytetarët, pushtetin vendor dhe me institucionet e tjera shtetërore që merren me luftën kundër krimit”, thuhet më tutje në raport.

Rritet tregtia me narkotikë

Sa u përket rasteve të blerjes, posedimit, shpërndarjes e shitjes së substancave narkotike gjatë vitit që lamë pas, sipas Policisë së Kosovës, kemi pasur një rritje të konsiderueshme. “Gjatë kësaj periudhe kemi pasur 349 raste të blerjes, posedimit, shpërndarjes e shitjes së substancave narkotike, ose një rritje prej 116,77%, përderisa në vitin 2016 kemi pasur 161 raste”, thuhet në raportin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës për vitin 2017.

Në këtë kontest strukturat hetimore të regjionit të Prishtinës kanë treguar një efikasitet zbulimi shumë të lartë dhe veçanërisht në disa nga operacionet e veçanta, ku janë kapur sasi të mëdha të drogave. Në një rënie të lehtë prej 0,27% janë edhe krimet kundër pasurisë. Këtë vit janë evidentuar 6.730 vepra penale kundër pasurisë, nga 6.748 vepra penale kundër pasurisë të evidentuara në vitin 2016. Po ashtu rastet e vjedhjeve kanë qenë në ulje gjatë vitit 2017. Përgjatë periudhës analizuese kemi pasur 2.265 vjedhje, duke i krahasuar me 2.276 raste vjedhjesh sa kemi pasur gjatë vitit 2016, pra është shënuar një rënie prej 0,48%.

2.541 vjedhje të rënda gjatë vitit 2017

Sipas të dhënave të Policisë, një ngritje kemi pasur te rastet e vjedhjeve të rënda, ku për dallim nga periudha e njëjtë analizuese e vitit 2016, që kemi pasur 2.463 raste të vjedhjes së rëndë, në këtë periudhë analizuese kemi pasur 2.541 raste, pra 78 raste më shumë apo shprehur me përqindje 3,17% ngritje. Sipas Policisë, shqetësuese mbetet ngritja e numrit të rasteve të falsifikimit të parasë dhe falsifikimit të dokumenteve. Në vitin 2016 kemi pasur 289 raste të falsifikimit të parasë, përderisa për këtë periudhë analizuese kemi pasur 348 raste të tilla ose 59 raste më shumë, 20,41% ngritje. Ndërkaq sa u përket rasteve të falsifikimit të dokumenteve, gjatë vitit 2016 kemi pasur 38 raste të tilla, përderisa në vitin 2017 kemi pasur 56 raste ose 18 raste më shumë.

Bie numri i aksidenteve

Përgjatë gjithë periudhës analizuese, sipas Policisë, është rritur përgjegjësia në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore. Kanë vazhduar në të gjithë rajonin operacionet e kontrollit për evidentimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve, që përbëjnë burim aksidentesh.

Gjatë kësaj periudhe analizuese në funksion të preventivës së ngjarjeve aksidentale në komunikacion ka pasur 36.341 pika kontrolli. Sa i përket numrit të aksidenteve, në përgjithësi kemi pasur rënie prej 7,16%.

Në këtë periudhë janë evidentuar 7.643  aksidente, ose 589 aksidente më pak sesa në vitin 2016, kur kemi pasur 8.232 aksidente trafiku.

“Në ngritje janë rastet e aksidenteve me persona të lënduar, ku për vitin 2016  kemi pasur 2.258 raste të tilla, përderisa në vitin 2017 kemi 2.346 raste ose 88 raste më shumë. Por, megjithatë kemi një ngritje të treguesve të sigurisë në trafik. Kështu, për këtë periudhë analizuese janë në rënie aksidentet e trafikut me fatalitet, si dhe pasojat që kanë ardhur nga këto aksidente. Në vitin 2016 kemi pasur 33 aksidente fatale me 38 persona të vdekur, ndërsa në vitin 2017 kemi pasur 31 aksidente fatale, ku për pasojë kemi 35 persona të vdekur. Pra, kemi 3 aksidente fatale më pak se në vitin e kaluar. Numri i viktimave nga aksidentet rrugore me gjithë rënien e tij përsëri është mjaft i lartë dhe në përmasa shqetësuese. Gjatë kësaj periudhe Policia e Kosovës, përveç fushatave, kampanjave dhe apeleve të ndryshme për parandalim aksidentesh, gjithashtu ka gjobitur kundërvajtësit në trafik. Numri i tiketave të shqiptuara nga njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës gjatë vitit 2017 është 104682”, thuhet më tutje në raportin vjetor të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës.