Prekazi i bashkon shqiptarët

Aktuale March 07, 2018 - 09:04

Kulla e Jasharëve në Prekaz ka qenë e hapur për të gjithë ata që kanë dëshiruar ta ndajnë dhembjen dhe krenarinë me burrat e familjes Jashari, e cila sakrifikoi 20 anëtarë të saj që Kosova të jetë e lirë. Rifat Jashari, kryefamiljari i familjes së komandantit Adem Jashari, edhe një herë ka bërë thirrje për unitet dhe bashkim, por janë njerëzit e politikës dhe të tillët që udhëheqin me shtetin ata që krijojnë ndasi dhe hendeqe e madje edhe me familjen Jashari, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Dita e dytë e manifestimeve “Epopeja e UÇK-së” ka mbledhur në Prekaz, në kompleksin memorial “Adem Jashari”, qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët kanë nderuar veprën sublime të ikonës së luftës së UÇK-së, Adem Jashari, gjakun e derdhur të Jasharëve dhe të të gjithë dëshmorëve.

LEXO EDHE: Tërhiqen investimet në industri e në bujqësi, rriten në patundshmëri

Vizitorët e shumtë në Prekaz, të martën, nuk janë mjaftuar vetëm me pamjet madhështore të kolonave të njerëzve, të cilët prisnin në radhë për ta nderuar komandantin Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë në kompleksin e varrezave.

Ata kanë pritur që në këtë përvjetor (20-vjetori i luftës së lavdishme të Jasharëve) më në fund t’i bashkojë shqiptarët, ta unifikojë faktorin shqiptar në Kosovë për ta bërë një tani kur Kosova ka shumë punë për të kryer. Kështu mbase kishte pritur të ndodhte edhe vetë Rifat Jashari, i cili të martën herët ka hapur derën e Kullës për vizitorët.

“Falënderoj të gjithë ata që kanë ardhur ta ndajnë këtë dhimbje dhe këtë krenari bashkë me ne. Falënderoj kryeministrin Haradinaj, i cili gjithashtu ka ardhur dhe na ka nderuar.  Shfrytëzoj rastin t’ua urojë të gjithë shqiptarëve festat e marsit dhe ishalla asgjë e keqe më në jetë nuk na ndodh, ishalla gjithmonë jemi bashkë, jemi vigjilentë që ta çojmë Kosovën përpara”, tha Rifati pasi që kishte pritur në Kullën e tij kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit, i cili mban raporte shumë të mira me familjen Jashari, posaçërisht me Rifatin dhe me Muratin, ndryshe nga presidenti Hashim Thaçi, i cili që disa vite nuk e ka vizituar Kullën e Jasharëve, ka thënë se 20 vjet më përpara Prekazi u bë ag i lirisë së Kosovës. “Sakrifica kulmore e familjes Jashari do t’i ndriçojë shekujt tanë”, ka thënë Haradinaj, i cili bashkë me disa nga bashkëpunëtorët e tij ka kaluar disa çaste në Kullën e Jasharëve.

Homazhe dhe vizitë familjes Jashari i ka bërë edhe ministri i FSK-së Rrustem Berisha, i cili tha se këto ditë të vështira që kaluan familja Jashari dhe populli shqiptar janë frymëzim për të punuar të gjitha institucionet. Berisha shpreson se në çdo përvjetor do të vijnë në raporte të mira për qytetarët e Kosovës.

Te varri i komandanti legjendar të UÇK-së Adem Jashari ka nderuar edhe lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, me grupin e tij e në mesin e të cilëve ndodheshin edhe deputetët Rexhep Selimi e Glauk Konjufca. Kurti tha se para dy dekadave tre breza të kësaj familjeje u flijuan për popullin. Sipas tij, Hamza dhe Ademi bashkë me Zarifen, Hidajeten, Selveten e të tjerët luftuan dhe u sakrifikuan, sepse e deshën lirinë dhe tokën më shumë se jetën.

“Epopeja ndodhi midis dy demonstratave të fuqishme në Prishtinë. E mbaj mend se si aq masive ishte demonstrata e 9 marsit, dy ditë pas ‘Epopesë së UÇK-së’, saqë edhe Policia e Serbisë frikësohej të ndërhynte. Atë ditë në banesat e Prishtinës nuk kishte mbetur asnjë person. Jasharët e ndryshuan popullin sepse e bashkuan atë. Ato tri ditë ishin më shumë se 20 vjet e këto 20 vjet nuk duken as 3 ditë”, u shpreh Kurti.

Tashmë është bërë e zakontë që kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, të shkojnë bashkë kudo, nëpër Kosovë, në Skenderaj, Drenas e edhe jashtë vendit, siç ishte rasti i fundit kur ata kishin shkuar bashkë në Londër në mes tjerash edhe për ta përcjellë takimin në mes të Arsenalit dhe Manchester Cityt.

Ata bashkë kanë bërë homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz, të martën. Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se vetëm kështu nderohen të rënët për liri.

“Vetëm kështu mund t'i nderojmë dëshmorët dhe obligimin tonë që e kemi, amanetin e dëshmorëve që ta ndërtojmë këtë vend drejt zhvillimit ekonomik, që rinia jonë ta shohë perspektiven në vendin e vet”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Komunës se Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se me nderime kryhet obligimi ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Ky nderim na bën të kujdesemi dhe t’i kryejmë detyrat edhe obligimet që i kemi ndaj qytetarëve. ‘Epopeja e Jasharëve’ është një histori së cilës i përkulen të gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha ai.

Homazhe te varri i komandantit Adem Jashari dhe vizitë familjes së komandantit ka bërë edhe Lëvizja për Bashkim.