Gjykata liroi policët në rastin Ivanoviq, edhe pse u konstatuan shkeljet

Kronika February 12, 2018 - 23:10

Gjykata sot vendosi t'i lërë të lirë dy policët që dyshohet se manipuluan provat në rastin Ivanoviq.

Klan Kosova ka siguruar vendimin e gjykatës Themelore të Mitrovicës, me të cilin refuzohet kërkesa për paraburgimin e dy policëve, të dyshuar për asgjësimin e provave në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

LEXO EDHE: Lirohen policët e dyshuar për fshehje të provave në rastin Ivanoviq

Në dokumentin që mban emërtimin e Republikës së Kosovës në tri gjuhë, por që ai në shqip është shkruar me gabime, gjyqtarja e procedurës paraprake, Lidija Vuquroviq, ka pranuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë konstatuar shkeljet dhe lëshimet e të dyshuarve.

Mirëpo, sipas saj Prokuroria me asnjë rrethanë apo fakt nuk e ka vërtetuar kërkesën e saj, se Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, mund të ndikojnë në dëshmitarë, apo të dëmtojnë dëshmitë.

Për më tepër, ajo e ka konsideruar të pabazë arsyetimin e prokurorisë, se të dyshuarit mund të përsërisin veprën penale për të cilën janë arrestuar.

Në vendim, thuhet se vepra e bërë në këtë rast, nuk ka mundësi të përsëritet më.

E kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqri Syla, ka paralajmëruar se nesër do të bëjnë ankesë ndaj këtij vendimi.