Kronika

Lirohen policët e dyshuar për fshehje të provave në rastin Ivanoviq

Lirohen policët e dyshuar për fshehje të provave në rastin Ivanoviq
12 shkurt 2018 • 20 : 15

Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës u liruan në procedurë të rregullt pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Zharko J. dhe Dragisha M.

Të dyshuarit ishin arrestuar nën dyshimin se kishin zhdukur provat nga vendi i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Prokuroria pretendon se më 16 janar rreth orës 08:14 të dy kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë vepruar në mënyrë joprofesionale duke lejuar që të hyjnë dhe të dalin njerëz nga vendi ku kishte ndodhur ngjarja.

Sipas Prokurorisë, nga video-incizimet e kamerave të sigurisë shihet i dyshuari Zharko J. të ketë marrë një gëzhojë, ndërsa kolegu i tij vetëm e shikon e më pas të dy janë larguar nga vendi.

Po ashtu, Zharko J. i është gjetur edhe një armë pa leje.

Kurse Prokuroria kërkoi caktimin e masës së paraburgimit për policët, nën dyshimin për manipulim të provave.

LEXO EDHE: Provat që dyshohet se dy policët i zhdukën në rastin e vrasjes së Ivanoviqit

Zeqir Maxhuni, avokat i të dyshuarit të parë, tha se arsyeja e përmendur nga Prokuroria në kërkesën për masën e paraburgimit – se mund të ikë dhe të pengojë hetimet, nuk qëndron, sepse klienti i tij ka një adresë në Mitrovicë, ku jeton me familjen e tij.

Sa i përket peshës se veprës penale, avokati nuk e kundërshtoi por theksoi se kjo duhet të dëshmohet në procedurë të rregullt se a është ai kryes apo jo.

“Ndërsa sa i përket veprës penale mbajtje në pronësi të armës, në bisedë me të dyshuarin kam marr vesh se arma nuk ka qenë e tij dhe se nuk është e diskutueshme se është gjetur në shtëpinë e tij por se në të drejtën penale nuk ekziston përgjegjësia kolektive por individuale. Sipas kësaj, duke marrë parasysh faktin se i dyshuari ka qenë në marrëdhënie pune në Policinë e Kosovës dhe kurrë deri më tash nuk ka pasur ndonjë vërejtje në punën e tij si zyrtar policor, se është i martuar dhe ka fëmije dhe nuk ka arsye ta lëshojë Mitrovicën, kërkoj nga Gjykata të mos e pranojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës se paraburgimit por në këtë fazë t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak, sepse jam i sigurt se nuk do të pengojë rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, tha avokati Maxhuni, raporton Kallxo.com.

Ndërsa, edhe avokatja Zehra Verbovci e kundërshtoi propozimin e Prokurorisë pasi që, sipas saj, nuk ka bazë dhe as prova se i mbrojturi i saj, Dragisha M. ka kryer ndonjë vepër penale.

Ajo gjithashtu shtoi se nuk ekziston kurrfarë rreziku se i njëjti do të dëmtojë dëshmitë apo se edhe do të përsërisë veprën penale.

Ndërsa, dy të dyshuarit thanë në Gjykatë se kishin menduar se Oliver Ivanoviq kishte qene vetëm i alivanosur dhe kishin thirrur ambulancën por s’e kane ditur që ka qenë i vdekur.

Me vendim të Gjykatës, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

© zëri.info