Ja sa ka mallra Kosova në rezervën shtetërore?
FOTO: Zëri

Ja sa ka mallra Kosova në rezervën shtetërore?

Ekonomia March 13, 2020 - 10:46
Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes në përmasa të mëdha të koronavirusit në Kosovë vlerësohet se gjendja mund të përballohet për sa i përket furnizimit me gjëra esenciale për mbijetesë, si ushqim dhe barna, ngase Kosova po del të ketë rezerva shtetërore të mjaftueshme të mallrave për ta përballuar situatën.

Përderisa virusi “COVID-19” është duke u përhapur shpejt nëpër botë, Kosova vazhdon të mbetet imune ndaj tij. Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes së koronavirusit në vend, Qeveria është e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve me ushqime e me barna esenciale, pasi qysh nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore, shkruan gazeta "Zëri".

Kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Rezerva Shtetërore, i cili është miratuar në vitin 2010. Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, të mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, të veprimeve terroriste, të veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore, të mjedisit, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Me planin strategjik bëhet sigurimi i depove për vendosje dhe për ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave teksa me ligj është e përcaktuar se plani strategjik, programi vjetor, si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekrete shtetërore.

Në ndërkohë nga OEK-ja është kërkuar hartimi i një plani i cili do ta paraqiste ndikimin e këtij virusi në ekonomi, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global.

Plani strategjik afatmesëm është dokument strategjik përmes të cilit sigurohen rezervat shtetërore e që administrohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike. Nga ky Departament i është thënë “Zërit” se duke u bazuar në planin strategjik aktual janë të gatshëm t’u ndalin në ndihmë qytetarëve në rast nevoje.

“Duke u bazuar në planin strategjik 2019 - 2021, të hartuar nga Departamenti i Rezervave Shtetërore (DRSH), në kuadër të ‘Meptinis’-it, në bashkëpunim me ministritë e linjave, buxheti është i konsiderueshëm sipas planifikimit të programit vjetor. Konsiderojmë se në rast të kërkesës për ndonjë intervenim të mundshëm emergjent DRSH-ja do t’i dalë në ndihmë gjithë popullatës së asaj zone ku kërkohet intervenimi”, thuhet në përgjigjen e lëshuar nga Divizioni për Komunikim me Publikun nga kjo Ministri për "Zërin".

Po ashtu është bërë e ditur se ka rezerva edhe të mallrave agroushqimore, si dhe të barnave esenciale.

“Rezerva shtetërore ka: mallra agroushqimore, grurë, naftë, barna esenciale etj. DRSH-ja vazhdimisht është duke e rritur stokun me produkte të rezervës shtetërore si në sasi, ashtu edhe në lloje të produkteve, ndërsa sa u përket nevojave për rritje ato janë të mirëseardhura”, thuhet tutje në përgjigje./ZERI