Bordi i KRU “Prishtina”: Një milion e 250 mijë euro investime në pjesën e parë të vitit

Bordi i KRU “Prishtina”: Një milion e 250 mijë euro investime në pjesën e parë të vitit

Ekonomia May 07, 2024 - 15:01

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike të martën shqyrtoi raportin e auditimit të performancës “Sistemet e informacionit në kompaninë e ujësjellësit rajonal ‘Prishtina’”, me ç’rast u tha se strategjia e punës është kryer në 80 për qind. Sfiduese për KRU-në mbetet çështja e sigurimeve.

Deputetja e Vetëvendosjes, Mirlinda Tushaj-Sadiku, si deputete raportuese prezantoi gjetjet dhe rekomandimet.

Bashkim Pllana, kryesues i Bordit nga Departamenti i IT-së, ka thënë se kanë përgatitur dokumentin zyrtar për politikat e punësimit brenda departamentit. Në vitin 2024 kanë përgatitur po ashtu strategji se si t’i qasen adresimit të këtyre rekomandimeve.

“Në këtë vit janë alokuar mjete të mjaftueshme financiare për t’i adresuar të gjeturat. KRU brenda rregullores së brendshme për sistematizimin e vendeve të punës, i ka të detajuara detyrat e secilit zyrtar dhe pozitë. Të gjitha kërkesat që janë bërë nga ky departament janë në aspektin financiar”, tha Pllana.

I njëjti raportoi në komision se kanë vendosur roje fizike te serverët, kanë ndërtuar databazë të sigurisë për të gjitha informatat, jashtë vendit, për shkak të rreziqeve natyrore.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, shtroi pyetjen se kur do të vendosen orët digjitale për të parandaluar humbjet dhe kur do të rregullohen numrat personal 4000.

Pllana nga KRU-ja tha se çdo shënim dhe çdo ndërhyrje është e gjurmueshme dhe dihet nga kush është bërë.

“Ujësjellësit sipas rregullores së ARRU-së secilit konsumator duhet t’i ndërrohet orëmatësi në të paktën 10 vite. Rreth 54 për qind në raportin e fundit të ARRU-së së muajit prill, inkasimi është 105 për qind. Kemi raste kur një pronar ka dy e më shumë njësi banesore, për këtë arsye ka duplifikim të personave që kanë më shumë orë”, tha ai.

Bajrami pyet Bordin se a ka autolarje që e përdorin ujin e pijshëm.

Pllana ka thënë se kanë inspektorë në treg dhe se autolarjet inspektohen rregullisht.

“Kemi inspektorë në treg, autolarjet inspektohen rregullisht. Nga 24 janari kur e kam marrë detyrën nuk ka pasur raste të tillë”, tha Pllana, raporton EO.

Anëtari i Bordit të KRU-së, Riza Spanca, tha se borxhi i akumuluar është 52 milionë euro që nga paslufta, nëse krahasojmë vlerën e faturimit dhe inkasimit në vitin 2023 me vitin paraprak është rritur vlera në 105 për qind.

“Shumicën e borxhit e përbëjnë amvisëritë, por edhe bizneset. Deri tani e kemi pasur këstin vjetor 2 milionë euro për shkak të ndërtimit të fabrikës ne Shkabaj, këtë vit e kemi 1 milion euro”, tha ai.

Spanca ka shtuar se janë duke bërë përpjekje për marrje të një donacioni.

“KRU i ka disa sisteme elektronike të cilat kërkojnë mirëmbajtje, dhe sistemi i serverëve është planifikuar 50 mijë euro, mirëpo kjo kosto do të ulet shumë pasi shumë kosto i kryejmë vetë si kompani. Jemi duke bërë përpjekje për marrje të një donacioni”, tha Spanca.

Ai ka shtuar se sistemi i vjetër ka pas disa module që sistemi i ri nuk i ka përmbajte, departamenti i IT-së, është duke ndërmarrë veprime për funksionalizimin e këtij sistemi.

Sa i përket investimeve në komunën e Shtimes, janë kryer 100 për qind.

Anëtari i Bordit të KRU-së, Riza Spanca, ka thënë se kanë bërë investime në komunën e Graçanicës dhe se Podujevës i mungon uji vetëm në tri fshatra.

“100 për qind kanë qasje në ujë të pijshëm, kemi bërë investime në komunën e Graçanicës. Podujevës mungon uji vetëm në tri fshatra. Fushë-Kosova i ka 680 kyçje të reja, kemi bërë 1 milionë e 250 mijë euro investime në pjesën e parë të këtij viti”, tha Pllana.