'Tkurrje' të Qeverisë dhe borde profesionale

Aktuale July 20, 2016 - 07:51

Reduktimi i disa ministrive dhe largimi i militantëve partiakë nga bordet e ndërmarrjeve publike do të ndodhë para muajit tetor të këtij viti, kur Kosovën pritet ta vizitojë numri dy i SHBA-së, Joe Biden. Zyrtarët e ambasadave me më ndikim në vend thonë se reduktimi i ministrive është çështje e brendshme e Qeverisë, ndërsa theksojnë nevojën që në borde të dërgohen profesionistët  

“Tkurrja” e Qeverisë së Kosovës dhe largimi i militantëve partiakë nga bordet e kompanive publike duhet të ndodhë më së largu deri në tetor të këtij viti, kur Kosovën pritet ta vizitojë zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden.

Kështu bëjnë të ditur burime të mirëinformuara të gazetës “Zëri”, duke shtuar se paralajmërimi i zyrtarëve qeveritarë për zvogëlim të ministrive ka qenë në fakt kërkesë e bashkësisë së ndërkombëtarëve, pasi vlerësohet se punët e disa ministrive mund të kryhen në kuadër të ministrive tjera.

Këto burime po ashtu kanë sqaruar se në vend të militantëve partiakë nëpër borde duhet të dërgohen profesionistët, pasi që për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së profesionalizmit shumë ndërmarrje, që dikur ishin profitabile, po shkojnë drejt “humnerës”.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Qeverisë thonë për “Zërin” se ende nuk mund të flitet për afate kohore për reduktimin e ministrive, mirëpo pranojnë se po dëshmohet se kjo Qeveri mund të jetë edhe më efikase nëse bëhen reduktime.

Ndërsa përfaqësues të ambasadave me më ndikim në vend thonë se reduktimi i ministrive është çështje e brendshme e Qeverisë, megjithatë e theksojnë nevojën që nëpër institucione të rëndësishme, siç janë bordet, të emërohen njerëz profesionistë.

Kuykendall: Ndërmarrjet të udhëhiqen nga profesionistët

Zëvendëszëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Jessie Kuykendall, ka thënë për “Zërin” se popullit të Kosovës i shërbehet më së mirë kur agjencitë e pavarura dhe ndërmarrjet publike udhëhiqen nga njerëz profesionistë, kurse çështja e madhësisë së Qeverisë, sipas saj, duhet të vendoset nga të zgjedhurit e popullit.

“Ne besojmë se popullit të Kosovës i shërbehet më së miri kur të gjitha agjencitë e pavarura dhe ndërmarrjet publike janë të udhëhequra nga njerëzit me kualifikimet më të mira dhe që janë përzgjedhur në një proces transparent dhe të bazuar në merita. Madhësia dhe struktura e Qeverisë së Kosovës dhe ministrive të saj duhet të vendoset nga ata që janë zgjedhur nga populli i Kosovës”, ka deklaruar Kuykendall.

Ajo më tej ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë ndihmëssekretarja amerikane, Victoria Nuland, ka nxitur Qeverinë për punë të mëtejme në disa sfera.

“Ndihmëssekretarja Nuland nxiti Qeverinë që të vazhdojë adresimin e sfidave të rëndësishme të mbetura, duke përfshirë fushat e sundimit të ligjit dhe korrupsionin, si dhe zhvillimin ekonomik”, ka shtuar Kuykendall.

Kurse ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se çështja e reduktimit të ministrive është çështje e Qeverisë, ndërsa ka theksuar nevojën e bordeve profesionale.

“Çështja se sa ministri janë të domosdoshme është në kompetencë të secilës qeveri. Ne nuk e komentojmë këtë. Secili shtet që dëshiron të bëjë përparime thelbësore ka nevojë për borde profesionale”, është shprehur Viets.

Ndërsa, sekretari i dytë politik në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Robin Budd, ka thënë se ky shtet e ka inkurajuar qeverisjen e mirë si përbërës thelbësor për zhvillim ekonomik. Ai gjithashtu ka thënë se Britania do të mbështesë përpjekjet që bëhen në këtë drejtim.

“Mbretëria e Bashkuar ka inkurajuar prej kohësh angazhimin për qeverisjen e mirë në Kosovë si një përbërës thelbësor për zhvillimin ekonomik, të mbështetur nga strukturat e duhura të brendshme që janë transparente, profesionale dhe të përgjegjshme. Se si bëhet kjo është çështje për Qeverinë e vendit, nëpunësve civilë dhe qytetarëve. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë përpjekjet, të cilat japin rezultate në këtë drejtim”, ka theksuar Budd

Në anën tjetër Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se nuk mund të flitet për afate kohore për reduktimin e ministrive. Por, sipas tij, po dëshmohet se kjo Qeveri mund të jetë edhe më efikase nëse bëhen reduktime.

“Tani për tani në këtë periudhë kohore nuk mund të japim datë konkrete se kur do të bëhet kjo. Por, po dëshmohet në vazhdimësi se kjo strukturë qeverisëse me këtë numër dikasteresh sikundër është mund të jetë edhe më efikase nëse do të kemi reduktime. Natyra e reduktimit dhe e rikonsolidimit do të bëhet në bashkëpunim me partnerët e koalicionit. Kurse një veprim i tillë do të bëhet duke u nisur nga nevoja për efiçiencë më të madhe në qeverisje dhe në harmoni të plotë me aktet juridike dhe me ligjin që do të pasojë”, ka deklaruar Abdullahu, pa thënë nëse kjo ka qenë edhe kërkesë ndërkombëtare

Ndërkohë profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se Qeveria “Mustafa” e ka të vështirë të bëjë reduktimin e ministrive për shkak të subjekteve të vogla që janë pjesë e koalicionit. Sipas Burjanit, ky koalicion po bën përpjekje që të gjejë një konsensus të brendshëm për të reduktuar numrin e ministrive, por thotë se do të ketë probleme për shkak të apetiteve të individëve të caktuar.

“Nuk është lehtë për koalicionin aktual që të merret me reduktimin e ministrive për shkak se në përbërjen e vet ka edhe disa subjekte të vogla politike, drejtuesve të të cilave u janë dhënë poste ministrore, ndërsa tani është vështirë që t’u merren këto poste. Prandaj ky koalicion është i kujdesshëm në këtë aspekt dhe po bën përpjekje që të gjejë një konsensus të brendshëm për të reduktuar ministritë, por pa shkaktuar përçarje”, ka vlerësuar Burjani.

Sipas tij, kjo do të jetë sfidë për dy partnerët e mëdhenj të koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.