Komisioni për Buxhet s’i jep mbështetje Projektligjit për banim social
Foto: Laura Hasani

Komisioni për Buxhet s’i jep mbështetje Projektligjit për banim social

Aktuale May 08, 2024 - 13:58

Në Komisionin Parlamentar për Buxhet po shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredinë në mes të Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Banim social adekuat”.

Ankesa për këtë projekt patën deputetë të pozitës e opozitës, të cilët po ashtu kritikuan vonesat në realizimin e këtij projekti.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se përveç studimit të fizibilitetit, për këtë projekt nuk ka asnjë studim tjetër të detajuar.

"Kreditë po merren pa përgatitjet e nevojshme e pastaj po shtyhet afati i ekzekutimit të tyre. Marrëveshja është miratuar në Këshillin Administrativ dhe ju e keni nënshkruar në janar. Përgatitjet për këtë projekt janë zero. Është vetëm një studim i fizibilitetit dhe përtej saj nuk ka asnjë studim të realizuar se sa është numri i ndërtesave sociale, sa është kosto, si do të adresohet kjo çështje...", tha ai.

Informacione shtesë kërkoi edhe deputeti i LVV-së Eman Rrahmani, i cili tha se nuk mund ta mbështesë këtë projekt nëse nuk dihet destinimi i saktë i ndërtesave e informacione tjera të rëndësishme.

"Nuk ka destinim të saktë. Dua të di sa ndërtesa do të ndërtohen në Deçan, sa në Prishtinë. A do të jenë banesat kolektive apo të shpërndara", shtoi ai.

Ndërsa për projektin më shumë dha informacione zëvendësministri i Mjedisit, Jeton Raka.

Ai theksoi se nuk duhet të bëhet politikë me kategoritë e ndjeshme, pas kritikave që mori nga anëtarët e këtij komisioni.

“Projekti do të zbatohet në komuna. Gjithçka do të jetë transparente, bëhet identifikimi i lokacioneve dhe pas thirrjes publike komunat do të bëjnë analizën e projektit. Sipas Ligjit, komunat kanë përgjegjësi të hartojnë raporte për programet trevjeçare për banimin social. Janë diku 17 komuna që i kanë këto programe. 7 prej tyre u ka skaduar programi, tri komuna i kanë vetëm si draft, ndërsa 10 komuna nuk kanë hartuar fare program", shtoi ai.

Anëtarët e Komisionit ftuan ministrin e Financave, Hekuran Murati të raportojë në lidhje me këtë projekt, andaj edhe nuk i dhanë mbështetje të njëjtit për ta dërguar në seancën e Kuvendit. /Rtk