ATK largon nga puna dy zyrtarë për keqpërdorim të detyrës

Aktuale July 14, 2016 - 17:03

Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar se ka larguar nga puna dy zyrtarë për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare

“Strategjia e Administratës Tatimore të Kosovës, kundër korrupsionit është të kontribuojë në reduktimin progresiv dhe të qëndrueshëm të dukurive korruptive, me qëllim të forcimit të integritetit dhe rritjes së besimit të qytetarëve në Administratën Tatimore të Kosovës”.

“Administrata Tatimore gjatë vitit të fundit në bashkëpunim me institucionet tjera të zbatimit të ligjit, ka ndërmarrë një varg aktivitetesh për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative, përmes: trajnimeve adekuate, parandalimin e konfliktit të interesit, implementimin e planit të veprimit kundër korrupsionit 2013-2017, lëvizjeve të stafit në pozita ekuivalente, analizën e deklaratave të pasurisë, etj”, bëhet e ditur në një njoftim të ATK-së.

LEXO EDHE: Mustafa: Përqendrim më i madh në luftën kundër korrupsonit

Në kumtesë poashtu thuhet se nga të gjitha këto veprime ATK ka arritur që të identifikojë shkelje ligjore, dhe si rezultat brenda një viti ka larguar nga puna gjashtë zyrtarë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ka shqiptuar një numër konsiderueshëm të masave tjera disiplinore, transmeton Klan Kosova.