Kosova festoi “Ditën e Evropës”, nën sanksione
Foto: Laura Hasani

Kosova festoi “Ditën e Evropës”, nën sanksione

Aktuale May 09, 2024 - 23:16

“Dita e Evropës” sivjet e gjeti Kosovën nën sanksione. Po bëhen gati një vit që kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndaj vendit, e nën të njëjtat Kosova festoi sot.

Dëshmi e pro-evropianizmit ishte cilësuar më parë futja e kësaj dite në listën e festave zyrtare, edhe pse Kosova s’ka shumë arsye për ta festuar atë. Vendi është i vetmi në Evropë i cili që gati një vit është nën sanksione të Bashkimit Evropian, derisa po e feston këtë ditë pa qenë fare pjesë e BE-së,

Njohës të proceseve integruese flasin për ngecje në rrugën e integrimeve evropiane, derisa e vetmja arsye për festë në “Ditën e Evropës” po konsiderohet lëvizja pa viza.

“Kemi stagnim, flasim për nota shumë të dobëta. Kemi harruar edhe çështjen e njohjes dhe çështjen e anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtar. Jemi i vetmi vend në Evropë i cili po jeton nën masat e bashkimit evropian dhe kjo është për keqardhje”, tha Afrim Hoti, profesor universitar.

“Fatkeqësisht procesi i integrimit të Kosovës lidhet ekskluzivisht me një arritje të një marrëveshjeje potenciale me Serbinë dhe ky është defekti më I madh që ka ky proces. Për faktin që Serbia duke qenë euroskeptike, duke qenë penguese e çdo procesi integrues që Evropa ka në rajonin e Ballkanit, e lënë peng Kosovën në këtë proces”, tha Dorajet Imeri, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se nga masat e Bashkimit Evropian, Kosova për rreth 11 muaj ka humbur shumë.

“Dita e Evropës” e gjeti Kosovën larg anëtarësimit në BE, Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Interpol, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e mekanizma tjerë ndërkombëtarë. /Rtk