Spitalet me mungesë të CT-ve

Aktuale July 02, 2018 - 08:33
Lexoni më shumë detaje

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme po ballafaqohen me mungesë të aparaturave, të cilat shërbejnë për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme. Njëra nga aparaturat e cila është shumë e nevojshme, por që mungon në spitale, është edhe CT-ja (metodë me të cilën bëhen imazhe, fotografi varësisht nga problemi klinik), shkruan sot Gazeta "Zëri"

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka thënë për gazetën Zërise spitalet e përgjithshme dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) janë në mungesë të CT-ve.

Ai ka treguar si institucionet publike shëndetësore në vend kanë nevojë për më shumë CT.

“CT nuk ka të mjaftueshme as në QKUK e të mos flasim për spitale. Kemi nevojë për CT. Për momentin na mungojnë aparatura dhe në këtë rast na mungojnë CT-të. Në QKUK është një CT 64-shtresore, që është pak më e re, ndërsa është edhe një më e vjetër, pra janë vetëm dy, ndërsa është edhe një CT që është në Intensivin Qendror. Nevojat janë të mëdha në këtë drejtim”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Shtetit i shtohen edhe 138 veteranë

Sipas tij, duhet të investohet në diagnostikë, sepse aty edhe zbulohen sëmundjet e rrezikshme.

“Për mua si mjek pa i anashkaluar problemet e tjera, mendoj që fjala e fundit e teknologjisë duhet të bëhet diagnostika, e kam fjalën sidomos për radiologjinë dhe biokiminë, sepse këtu përmes fotografive të ndryshme zbulohen sëmundjet. Në anën tjetër, në analiza të ndryshme tregojnë çdo ndryshim që mund të ndodhë, mundet të tregojë devijime të ndryshme dhe sëmundjet e fshehta dhe të rrezikshme siç është kanceri”, ka thënë ai për "Zërin".

Veseli ka treguar se nevojat për aparatura në SHSKUK dhe në QKUK kapin vlerën e 50 milionë eurove.

Në një raport të publikuar nga SHSKUK-ja për periudhën kohore 2014-2017 thuhet se duhet të investohet më shumë në CT-ja.

Sipas këtij raporti, në disa spitale ato nuk janë as në funksion.

“Në SHSKUK janë 9 CT, 3 në QKUK dhe në të gjitha spitalet e përgjithshme nga një. Ndërsa vetëm Spitali i Ferizajt nuk posedon asnjë. Duhet të ceket se CT-të në disa njësi përbërëse të SHSKUK-së janë jashtë funksionit. CT-ja në Spitalin e Prizrenit nuk është në gjendje funksionale, si dhe i ka kaluar vitet e përdorimit dhe duhet një CT e re. Pothuajse në të gjitha qendrat e Kosovës CT-të janë mjaft të amortizuara, prandaj duhet të bëhen investime të reja në blerjen e tyre”, shkruan më tej.

Sipas këtij raporti, edhe pse kërkesat e mëdha buxhetore për pajisje kapin vlerën 60 milionë euro, gjatë vitit të kaluar nuk kanë pranuar as edhe një pajisje të vetme, të cilat janë shumë të domosdoshme.

Spitalet e përgjithshme me CT të amortizuara

Përpos Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, me mungesë të CT-ve po ballafaqohen edhe spitalet e përgjithshme.

Për më shumë, edhe disa nga CT-të të cilat spitalet i posedojnë janë të amortizuara.

Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se në këtë spital është vetëm një CT, por që edhe ajo është e amortizuar.

“Në përgjithësi aparaturën e kemi të vjetërsuar dhe të amortizuar. Ne posedojmë një CT, por që është 2-shtresore dhe mjaft e amortizuar. Jemi në pritje të furnizimit me pajisje dhe me aparaturë të re sipas standardeve bashkëkohore. Disa nga aparaturat që janë jashtë funksionit janë në procedurë të servisimit”, ka thënë ai.

Avdaj ka treguar se këtë vit presin të furnizohen me një CT të re.

Ndërsa edhe udhëheqës të Spitalit të Pejës kanë thënë për gazetën se kanë vështirësi materiale për mirëmbajtjen dhe servirsimin e rregullt të aparaturave.

Në anën tjetër, drejtori klinik i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se CT-ja në këtë spital është funksionale.

Sipas tij, Spitali ka nevojë për një rezonancë magnetike.

“Aparatura që është në përdorim është funksionale, duke filluar nga CT-ja e rengeni, që momentalisht janë duke punuar. Ne kemi mungesë të një rezonance magnetike, me të cilën po planifikohet që në të ardhmen të furnizohet Spitali”, ka thënë ai.

Kadrijaj: Po e mbajmë ministrin Ismaili në presion, kemi qenë kritikë për mungesat

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë se ajo ka bërë kritika për mungesat e CT-ve dhe të rezonancës magnetike.

“Vazhdimisht ndoshta kam qenë një zë kritik, por vazhdimisht edhe tani jam kritike për këto mungesa që po ndodhin qoftë në SHSKUK ose nëpër qendra të tjera spitalore, ose në qendra familjare, mungesa e tyre po  shkakton pritje të gjata të pacientëve. Sidomos rezonanca magnetike ose CT-ja, e cila ka një kosto shumë të lartë buxhetore dhe është vërtet e pakuptueshme edhe mungesa e barnave nga lista esenciale dhe materiali shpenzues”, ka thënë ajo.

Sipas saj, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi do ta mbajnë nën presion ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin në mënyrë që të ketë edhe hapa pozitivë në shëndetësi.

“Ne e kemi pasur ministrin disa herë në Komision për këto çështje dhe për çështje të tjera. Në vazhdimësi i kemi ngritur qoftë nëpërmjet pyetjeve parlamentare të gjitha shqetësimet që kanë të bëjnë me shëndetësi ose në takime dhe njëkohësisht do të vazhdojmë ta mbajmë ministrin në presion në kuptimin pozitiv për rregullim të të gjitha situatave në shëndetësi”, ka thënë ajo.

Qytetarët shumë herë kanë blerë kontrastin për CT, s’ka pasur furnizim

Ndonëse ka mungesa të CT-ve në spitale, edhe disa nga ato që funksionojnë ndodh që të mos furnizohen mjaftueshëm me kontrast (lëndë e nevojshme për të bërë kontrollin në CT), andaj edhe vetë pacientët duhet ta blejnë atë.

Në Klinikën e Radiologjisë në QKUK muajin që lamë pas pacientët është dashur ta blejnë vetë kontrastin. Ata kanë treguar për gazetën se kontrasti u ka kushtuar mbi 20 euro.

Shpend Fazliu, zyrtarë për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, gjatë periudhës sa ka pasur mungesë të kontrastit ka thënë për “Zërin” se kanë bërë shumë herë blerje urgjente të kontrastit, por që nuk ka qenë e mjaftueshme.

“Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së ka bërë disa herë blerje urgjente të kontrastit për nevoja të Klinikës së Radiologjisë dhe të Kardiologjisë Invazive. Po ashtu ka pasur disa donacione, por nuk kanë qenë në sasinë e nevojshme. Kërkesat i janë drejtuar Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta, në pritje të furnizimit nga ana e Fondit, i cili është duke lidhur numër të kontratave për furnizim së fundmi”, kishte thënë ai.

Megjithatë, ditë më parë ai përmes një përgjigjeje me shkrim për gazetën ka bërë të ditur se më 21 qershor është bërë furnizimi me kontrast, i cili do t’i përmbushë nevojat e të gjithë pacientëve. “

Ju njoftoj se QKUK-ja është furnizuar me kontrast me sasi të mjaftueshme për shërbimin e Radiologjisë dhe të Kardiologjisë Invazive. Sasia e kontrastit me të cilën QKUK-ja është furnizuar më datën 21.06.2018 është gjithsej 1666 copëë ‘Nonionic isosmotic Contrast’ 370 mg/50 ml sol. Gjithsesi sasia e furnizuar do t'i përmbushë nevojat e të gjithë pacientëve që drejtohen në këtë institucion për diagnostikim dhe trajtimë”, ka thënë ai.