Pahori interesohet për ta drejtuar dialogun Kosovë - Serbi, a do ta zëvendësojë Lajçakun?
Foto: Laura Hasani

Pahori interesohet për ta drejtuar dialogun Kosovë - Serbi, a do ta zëvendësojë Lajçakun?

Aktuale May 06, 2024 - 09:37

Dialogu Kosovë - Serbi vazhdon të jetë një temë thelbësore në politikën rajonale dhe ndërkombëtare.

Pas shumë vitesh tensionesh dhe konfliktesh, përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për marrëdhëniet midis dy vendeve po vazhdojnë ende.

Pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij procesi, Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur deri tek marrëveshja përfundimtare që do të sillte edhe njohën reciproke.

E një drejtim të ri pritet të marrë ky proces nga shtatori, kur do të bëhet edhe ndërrimi i ndërmjetësit të BE-së, e që aktualisht është Mirosllav Lajçak.

Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Miroslav Lajçak, pritet që në shtator të largohet nga pozita e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun dhe të marr pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër.

Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, dëshirën për të qenë në pozitën e tij tashmë e ka shprehur ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Pahori madje ka paralajmëruar se këtë javë do të dorëzojë kandidaturën e tij në Bruksel që të jetë emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi.

Ish-presidenti slloven ka thënë se Sllovenia dhe ai kanë statusin e një ndërmjetësi të ndershëm dhe po ashtu ide se si të ngjallet procesi i ngecur i dialogut.

“Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe politike në rajon është shumë shqetësuese”, ka thënë ai gjatë një interviste RTV Slovenia.

Ish-presidenti i Sllovenisë është i njohur për avokimin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por edhe për faktin se insistoi në përmbushjen e marrëveshjeve të Brukselit dhe formimin e Asociacionit.

Nga viti 2012 deri në vitin 2022 ishte president i Sllovenisë dhe së fundi me ish-shefen e tij të kabinetit Alja Brglez themeloi Institutin e Miqve të Ballkanit Perëndimor (FOVB).

Kujtojmë se bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, dialogu Kosovë-Serbi mbetet një proces i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon. /Telegrafi