Kadrijaj: Deputetët e mazhorancës me kauza po mbrojnë aferat korruptive
Foto: Laura Hasani

Kadrijaj: Deputetët e mazhorancës me kauza po mbrojnë aferat korruptive

Aktuale May 06, 2024 - 10:18

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar se me kauza të ndryshme deputetët e pozitës po i mbrojnë aferat korruptive.

Kadrijaj thotë se të vërtetën nuk po duan ta zbardhin.

Bllokimi i Komisionit Hetimor, sipas saj, asnjëherë s’ka ndodhur në historinë parlamentare.

“Është një kauzë e mazhorancës që t’i mbrojnë të gjitha këto afera korruptive që po ndodhin. Nuk po dëshirojnë të zbardhët e vërteta dhe pretendimet për Martin Berishajn, rezervat shtetërore dhe të tjera. Asnjëherë në historinë parlamentare nuk ka ndodh të pengohen punimet e komisioneve hetimore. Për shkak të moszbulimit të aferave po ndodh krejt kjo, sepse komisionet hetimore kanë të drejtë me ndjek rastin edhe tek organet e Prokurorisë në bazë të analizës dhe fakteve”, përfundoi Kadrijaj për Front Online.

Më 21 shtator të 2023-shit 69 deputetë kanë votuar pro themelimit të Komisionit, derisa gjashtë deputetë kanë abstenuar dhe vetëm një ka votuar kundër.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ia ka vazhduar mandatin Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore, duke e hedhur poshtë kërkesën e adresuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili njëherësh ishte edhe kryesues i Komisionit, të cilit i ka skaduar mandati më 21.03.2024.