Shtetit i shtohen edhe 138 veteranë

Ekonomia July 02, 2018 - 08:20
Mësoni më shumë shumë detaje

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti shtetit i janë shtuar edhe 138 veteranë të rinj në listat e përfitimit të pensioneve. Aktualisht pensionin e veteranit e marrin 37.598 qytetarë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Njëqindetridhjetetetë veteranë të rinj janë shtuar në listat e përfitimit të pensioneve të veteranit.

Plot 37 mijë e 598 përfitues pensionesh do të marrin pensione nga shteti.

Duke iu referuar statistikave zyrtare që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ia ka dhënë Zërit, numri i përfituesve të pensioneve të veteranëve në janar të këtij viti ka qenë 36 mijë e 794, në shkurt 36 mijë e 989, në mars 37 mijë e 44, në prill 37 mijë e 395, në maj 37 mijë e 460, ndërsa në qershor aktualisht 37 mijë e 598.

LEXO EDHE: Serbia shpërfaq synimet për ndarje të Kosovës

Vetëm për pensionet e 37 mijë e 598 veteranëve shteti ka shpenzuar 6 milionë e 353 mijë e 858 euro vetëm për një muaj.

Të paktën kështu thonë zyrtarët për informim në Ministrinë e Punës.

“Numri i veteranëve në pagesë për muajin qershor 2018 është 37 598, kurse shuma për këtë muaj është 6 353 858.50 €”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri, të cilën ua kanë bashkëngjitur shifrave zyrtare.

Për keqpërdorimet me listat e veteranëve nuk ka dashur të lëshohet shumë ish-kryetari i Komisionit për verifikimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agim Çeku.

Ai i ka thënë gazetës Zëri se nuk posedon fakte për keqpërdorim të këtyre listave, përveç përshtypjes së përgjithshme që i referohet për numrin e madh të veteranëve.

“Prej 20 majit 2016, qe dy vjet, nuk kam fare lidhje. Ka përfunduar mandati i Komisionit, nuk kam kurrfarë njohurie për diçka të tillë. E di se Prokuroria është duke hetuar problemet e mundshme. A ka pasur ose nuk ka pasur keqpërdorime do të tregojnë ata”, ka deklaruar ai teksa ia ka kaluar kompetencat Prokurorisë së Shtetit.

Çeku ka insistuar se nuk ka fakte për një keqpërdorim të tillë.

“Fakte nuk kam se ka pasur keqpërdorime. Një përshtypje e përgjithshme ekziston që ka pasur, pasi që ka dalë numri më i madh sesa kemi pritur, atëherë përshtypja është se ka pasur, por kjo duhet të dëshmohet. Unë fakte nuk kam për një gjë të tillë”, ka përfunduar Çeku.

Abazi: Përmes pensioneve po blihet paqja sociale

Mosveprimi i sistemit gjyqësor po ua lejon të drejtën të gjithë njerëzve që duan të dëmtojnë shtetin që për interesa ta bëjnë këtë pa pikë problemi. Kështu është shprehur edhe njohësi i rrethanave politike në vend, Haki Abazi.

Abazi në një prononcim për gazetën ka thënë se rritja e veteranëve është në raport me kaosin politik dhe tentimin për të përfituar prej buxhetit shtetëror në çfarëdo forme të mundshme.

“Nuk është çudi, sepse çështja e veteranëve nuk është e veçantë prej formës qysh janë duke udhëhequr Qeveria dhe udhëheqësit e vendit me buxhetin. Po tentojnë të blejnë paqen sociale dhe të akomodojnë partizanë politikë për zgjedhjet. Duke parë mosveprimin e sistemit gjyqësor dhe kapjen e sistemit gjyqësor sigurisht nuk ua kanë frikën hetimeve e as veprimeve”, ka theksuar në mes të tjerash ai.

Në mesin e mosveprimit të sistemit gjyqësor Abazi thekson lirinë e dy ish-kryetarëve të komunave në Kosovë, Xhabir Zharkut e Ramadan Mujës.

“Çështja e Xhabir Zharkut dhe e Ramadan Mujës ka treguar që kushdo mundet të bëjë çfarëdo dhe nuk ka dënim për ata që dëmtojnë shtetin dhe interesin e vendit të vet. Sigurisht se këto standarde të ulëta të zbatimit të drejtësisë kanë bërë që njerëzit me guxim të plotë të bëjnë shkeljen e ligjit dhe të përfitojnë financiarisht. Kjo puna e veteranëve nuk është ndryshe”, ka shtuar Abazi.

Ndërkombëtarët kërkojnë riklasifikimin e listave të veteranëve

Përveç alarmimeve të vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar që të bëhet një proces i riklasifikimit të veteranëve, një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjithashtu Kosova u dakordua t’i plotësojë proceset e certifikimit dhe të riklasifikimit të veteranëve të luftës, t’i forcojë kapacitetet institucionale për planifikimin dhe menaxhimin e investimeve, si dhe ta përmirësojë qasjen në financa për ndërmarrjet. Autoritetet u angazhuan ta përmirësojnë politikën monetare dhe ta finalizojnë kornizën e zgjidhjeve të bankave dhe të menaxhimit të krizave”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga BE-ja javë më parë.

Të njëjtën zgjidhje e kishte kërkuar para dy muajsh në një intervistë për “Zërin” shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermuelen.

“Pa një riklasifikim sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët e Luftës, si dhe verifikimin e përfituesve, shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë eurove, duke sjellë shpenzime në 1,2 për qind të GDP-së, ose ½ për qind mbi tavanin 0,7 për qind të GDP-së, që do të hyjë në fuqi sapo riklasifikimi të përfundojë”, pati thënë shefi i FMN-së në Kosovë.

Ndryshe, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara për mirëqenien sociale thuhet se numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës, duke u bazuar në gjendjen e muajit dhjetor të vitit të kaluar, ishte 36 mijë e 32 veteranë.