Serbia shpërfaq synimet për ndarje të Kosovës

Aktuale July 02, 2018 - 08:06
Mësoni më shumë shumë detaje

Ndarja e Kosovës përmes dialogut të Brukselit është njëri nga synimet e Serbisë. Madje së fundi kjo është konfirmuar nga vetë kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiq. Ndërkohë që ky opsion konsiderohet i papranueshëm dhe i rrezikshëm në Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pushteti në Serbi tashmë e konsideron të humbur Kosovën, megjithatë nuk i fsheh ambiciet për ndarje të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është sukses edhe në qoftë se vetëm një metër arrijnë ta kthejnë nga ajo që e ka humbur Serbia, shkruan më tutje "Zëri".

“Nga e gjitha që ata e humbën (qeveritë e kaluara të Serbisë) nëse veç një metër e marrim është fitore, sepse tani nuk kemi asgjë”.

LEXO EDHE: Partitë, kundër ekipit negociator të Thaçit

Ndërsa partitë në pushtet në Kosovë thonë se tashmë dihen pretendimet e Serbisë, por thonë se territori dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të paprekshme.

Kurse opozitarët thonë se më shumë po i frikësohen presidentit të Kosovës Hashim Thaçit sesa atij serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas tyre, më shqetësuese janë deklaratat e Thaçit për heqje të “vijave të kuqe” në fazën e fundit të dialogut me Serbinë sesa pretendimet e Serbisë për ndarje të Kosovës.

Selmanaj: I paprekshëm territori i Kosovës

Deputeti Rasim Selmanaj nga radhët e partitë së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt ka thënë për “Zërin” se pavarësisht deklaratave të presidentit serb territori dhe sovraniteti i Kosovës mbeten të paprekshme.

“Serbia mund të pretendojë çfarë të dojë, por sovraniteti dhe territori i Kosovës janë të paprekshme dhe si të tilla ne e kemi obligim shtetëror t’i ruajmë, sepse kufijtë dhe sovraniteti janë bërë me gjakun e dëshmorëve dhe me sakrificën e popullit”, është shprehur deputeti i AAK-së.

Ai ka thënë se këto deklarata nuk janë befasi, por siç tha ai për Kosovën është e rëndësishme që me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë ta përfundojë procesin e dialogut.

“Nuk është befasi sepse me politikat e Serbisë jemi mësuar, por e rëndësishme për ne është që ta bëjmë punën tonë dhe ta kemi përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për ta përmbyllur edhe këtë proces të dialogut”, shtoi Selmanaj.

Kurteshi: Më shqetësuese deklaratat e Thaçit se të Vuçiqit

Ndërkaq Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për “Zërin” se ndarja e Kosovës gjithmonë ka qenë synim i Serbisë dhe deklarata të tilla nuk duhet të jenë shqetësuese sa duhet të jetë brengosës fakti që presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar se duhet të hiqen “vijat e kuqe” në fazën e fundit të dialogut.  

“Ne nuk duhet të shqetësohemi shumë nga deklaratat e presidentit serb sa duhet të shqetësohemi për deklaratat e presidentit të Kosovës, i cili në këtë fazë të bisedimeve deklaron se në dialog me Serbinë duhet të hiqen ‘vijat e kuqe’, kurse që në vitin 2011 janë përcaktuar ‘vijat e kuqe’ dhe është përcaktuar për çka mund të flitet dhe për çka jo. Natyrisht që Serbia karshi Kosovës ka ushtruar një politikë hegjemoniste, synon që të marrë qoftë edhe një metër tokë, flet për mungesë të parimësisë dhe logjikë gllabëruese të Serbisë”, ka thënë ai.

Kurteshi ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet t’i fillojë procedurat e shkarkimit të presidentit, që siç tha ai në prag të fillimit të dialogut përfundimtar me Serbinë deklaron se nuk ka nevojë për “vija të kuqe” në këtë dialog.

Për këtë kërkesë Kurteshi tha se nuk e di nëse do të marrë mbështetje, por që sipas tij një president me deklarata të tilla në asnjë vend të botës nuk do të qëndronte më në të njëjtën pozitë.

“Nuk e di nëse do ta marrë mbështetjen e deputetëve për shkarkimin e presidentit, por e di që është e arsyeshme një kërkesë e tillë dhe në asnjë vend tjetër përveç në Kosovë një president vendi që i heq të gjitha vijat e kuqe, që do të thotë se mund të bisedohet për sovranitetin, integritetin e Kosovës..., nuk do të mundë të qëndronte në atë pozitë as 24 orë”, ka thënë ai.

Baraliu: Ndarja sjell destabilizim e konflikt që s’i dihet fundi

Njohësi i rrethanave politike, Mazllum Baraliu, ka thënë se nuk do të duhej që në asnjë mënyrë dikush nga Kosova të ketë guximin të negociojë territorin e Kosovës me Serbinë.

“Një tendencë e tillë është pretenduar qysh moti nga Serbia që ta ndajnë Kosovën dhe ai aludim i deklaratës së fundit të tij është i papranueshëm dhe nuk do të duhej në asnjë mënyrë që dikush të ketë guximin që në emër të Kosovës të negociojë për të tilla tema dhe pretendime territoriale të Serbisë”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se është në interesin e Kosovës që ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë të zbatohen parimet e saj. Ai tha se pas një deklarate të tillë partitë politike duhet ta kuptojnë rëndësinë e dialogut dhe të arrijnë konsensus.

“Është brengosëse një deklaratë e tillë dhe do të duhej të ishte edhe alarmuese për institucionet që ta kuptojnë peshën dhe rëndësinë e momentit e që duhet domosdoshmërisht të bashkohen dhe të kenë një platformë konsensuale”, tha ai.

Sipas Baraliut, ndarja e Kosovës do të ishte rrezik për destabilizim në rajon dhe në Evropë dhe për konflikt të vazhdueshëm.

“Ndarja do të ishte e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin e Evropën sepse do të prodhonte destabilizim në rajon dhe konflikte që s’mund t’u dihet fundi”, ka përfunduar Baraliu.