‘S’do të ketë liberalizim këtë vit’

Aktuale May 28, 2018 - 15:18
Mësojeni se kush thotë kështu

Pavarësisht se krerët e institucioneve po shprehen të bindur se Kosova këtë vit do ta marrë liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, të kundërtën e mendojnë përfaqësuesit politikë të opozitës, raporton "Zëri".

Sipas tyre, këtë vit Kosova nuk do ta ketë liberalizimin e vizave.

LEXO EDHE: Politikanët po e dëmtojnë liberalizimin

Fatmire Kollçaku anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane (LVV), ka konsideruar se deklaratat e krerëve institucionalë se shumë shpejt do të hiqen vizat po bëhen vetëm për konsum politik.

“Këto deklarata janë më shumë për konsum të brendshëm për të qenë në vijë me atë çfarë kanë deklaruar në vazhdimësi. Mirëpo të gjitha provat të cilat janë tregojnë se nuk bëhet fjalë fare për këtë vit që do të ketë liberalizim, përveç nëse mbyllen sytë nga ana e vendimmarrësve”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Sipas saj, Qeveria aktuale më shumë është duke punuar drejt asaj se si ta mbajë pushtetin edhe më tej sesa si të finalizohet procesi i liberalizimit.

“Ende jemi larg përmbushjes së kritereve edhe sa i përket liberalizimit të vizave, por edhe sa i përket faktit që të jemi kandidat për anëtar të BE-së”, ka përfunduar ajo. /ZËRI/