Politikanët po e dëmtojnë liberalizimin

Aktuale May 28, 2018 - 08:41
Lexoni më shumë detaje

Ekspertët e procesit të integrimit thonë se datat e dhëna për liberalizim të vizave nga krerët institucionalë vetëm sa po e dëmtojnë procesin. Sipas tyre, nuk duhet ngutur me deklaratat politike, por duhet të pritet raporti i Komisionit Evropian, i cili do të vlerësojë se a është përmbushur kriteri i fundit për vizat, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pavarësisht se zyrtarët e Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar nga krerët institucionalë në Kosovë që të mos përmendin data se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave, këta të fundit tashmë e një dekadë po vazhdojnë ta bëjnë të kundërtën.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli gjatë ditës së djeshme është shprehur i bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave, andaj gjatë muajit qershor do të ketë rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian.

LEXO EDHE: Rakiq s’po e hap urën, dëshiron ta negociojë kufirin e Mitrovicës

Se do të ndodhë ky skenar është shprehur e sigurt edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila gjatë një deklarate përZërin është shprehur optimiste se ky proces do të finalizohet brenda këtij viti.

Mirëpo, ekspertët e së drejtës evropiane konsiderojnë se askush s’mund ta dijë saktë se kur do të hiqen vizat për kosovarët.

Andaj, sipas tyre nuk duhet nxituar me deklarata rreth datës së vizave, pasi një gjë e tillë vetëm sa e pengon procesin.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës mbeten skeptikë nëse liberalizimi i vizave do të marrë epilog gjatë vitit 2018.

Hoxha: Procesi i vizave përmbyllet sivjet

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur e bindur se rekomandimi i Komisionit Evropian, i cili do të publikohet në qershor lidhur me atë se sa është përmbushur kriteri i fundit për liberalizim, do të jetë pozitiv.

“Në bazë të rezultateve dhe të plotësimit të kritereve që janë kërkuar e të cilat kanë qenë gjithsej 95, besoj se do të kemi rekomandim pozitiv sa i përket heqjes së vizave për qytetarët tanë. E them këtë sidomos duke pasur parasysh faktin se në vitin 2016 Komisioni Evropian kishte dhënë rekomandimin pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave. Nuk shoh ndonjë arsye që të mos kemi rekomandim pozitiv duke pasur parasysh se jemi të vetmit në rajon me regjim të vizave”, ka deklaruar Hoxha për “Zërin”.

E para e MIE-së me këtë rast është shprehur optimiste se procesi i liberalizimit të vizave do të finalizohet përgjatë këtij viti.

“Afatet nuk janë strikte sepse nuk varen nga ne, por nga procedurat dhe nga institucionet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, duke u bazuar në përvojën e vendeve të tjera dhe kohën që ka marrë pas rekomandimit, votimit e deri në hyrjen në fuqi, unë jam optimiste se ky proces do të duhej përmbyllur sivjet”, ka potencuar ajo.

Veseli: Presim rekomandim pozitiv në qershor

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është shprehur i vendosur se gjatë muajit qershor Kosova do ta marrë dritën jeshile sa i përket vizave.  

“Kosova tashmë e meriton liberalizimin e vizave, qytetarët e Kosovës pa të drejtë janë të privuar për 8 vjet nga lëvizja e lirë. Ne presim vendimmarrje pozitive, e cila është ‘fair’, e drejtë ndaj qytetarëve tanë. Kosova i plotëson të gjitha kushtet që janë teknike. Besojmë shumë se do të kemi vendimmarrje pozitive, e cila është vendimmarrje e drejtë”, ka thënë Veseli në një intervistë për “Ora News”.

Megjithëkëtë, pos zyrtarëve të BE-së, të cilët në vijimësi kanë bërë thirrje që të mos jepen data rreth liberalizimit, një gjë të tillë së fundmi e ka kërkuar edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson.

Ai me këtë rast ka thënë se një praktikë e tillë nuk është aspak frytdhënëse për procesin e liberalizimit.

Ujkani: Nuk i kontribuojmë procesit duke dhënë data

Në anën tjetër Emrush Ujkani, profesor i së drejtës evropiane, ka konsideruar se datat e dhëna për liberalizim nga ana e krerëve institucionalë vetëm sa e dëmtojnë procesin e liberalizimit.

Ndonëse, sipas Ujkanit, aktualisht ka një situatë më të favorshme për Kosovën, duhet të pritet patjetër raporti i KE-së, i cili do të vlerësojë se sa është përmbushur kriteri i fundit.

“Ajo që e bën diferencën është se kemi një situatë më të mirë momentalisht për faktin se kemi ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, por mendoj që duhet të presim ditët dhe javët në vijim që të shohim se si do ta vlerësojë Komisioni Evropian”, ka shtuar ai.

E në rast se KE-ja del me një rekomandim pozitiv, sipas tij, më së paku nevojiten gjashtë muaj për t’i përfunduar procedurat drejt liberalizimit.

“Minimumi i kohës që i duhet BE-së për të pasur një vendimmarrje është diku 6 muaj, po flasim në rastet më ideale. Në qoftë se Komisioni Evropian jep rekomandimin, nuk e besoj që Këshilli merr menjëherë vendimin për diçka të tillë. Por nëse do të ndodhë kah fundi i vitit do të ishte vërtet diçka e mirë. Por nuk e besoj që i kontribuojmë procesit duke dhënë data”, ka shtuar ai. 

Kryeziu: S’kemi bllokadë te vendet jonjohëse, por te ato njohëse

Duke folur rreth liberalizimit Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit, ka vlerësuar se në tërë këtë mes është tejet i rëndësishëm pozicioni i vendeve anëtare të BE-së, për arsye se ato vendosin në Këshill.

“Vendet anëtare janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por shihet që ka një skepticizëm te disa vendet kryesore si: Belgjika, Holanda, Austria, Franca, kryesisht për çështjet e emigrimit ilegal që janë më shqetësuese për ta. Kjo pasi brengën më të madhe që ato kanë ka të bëjë me atë se në momentin që ne përfitojmë prej liberalizimit të vizave të mos bëhemi barrë për taksapaguesit e vendeve anëtare”, ka theksuar ai.

Ndërkaq ka bërë të ditur se pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën nuk paraqesin rrezik për liberalizimin e vizave.

E në rast se në qershor merret rekomandimi pozitiv për viza, sipas Kryeziut, atëherë ai duhet të votohet në PE dhe në Këshill me shumicë të dyfishtë.

“Duhet votuar në Parlament Evropian, në lexim të parë me shumicë të thjeshtë, në lexim të dytë me shumicë absolute dhe në Këshill me shumicën e dyfishtë që nënkupton 55 për qind e vendeve anëtare (16) që përfaqësojnë së paku 65 për qind të popullsisë së BE-së”, ka nënvizuar ai.

Kollçaku: S’do të ketë liberalizim këtë vit

Ndërkaq Fatmire Kollçaku, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane (LVV), ka konsideruar se deklaratat e krerëve institucionalë se shumë shpejt do të hiqen vizat po bëhen vetëm për konsum politik.

“Këto deklarata janë më shumë për konsum të brendshëm për të qenë në vijë me atë çfarë kanë deklaruar në vazhdimësi. Mirëpo të gjitha provat të cilat janë tregojnë se nuk bëhet fjalë fare për këtë vit që do të ketë liberalizim, përveç nëse mbyllen sytë nga ana e vendimmarrësve”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, Qeveria aktuale më shumë është duke punuar drejt asaj se si ta mbajë pushtetin edhe më tej sesa si të finalizohet procesi i liberalizimit.

“Ende jemi larg përmbushjes së kritereve edhe sa i përket liberalizimit të vizave, por edhe sa i përket faktit që të jemi kandidat për anëtar të BE-së”, ka përfunduar ajo.