I akuzuari në rastin “Bon Vivant 1”: Për doktor s’jam, unë jam për tjetër sen, s’jam për ekspertizë

I akuzuari në rastin “Bon Vivant 1”: Për doktor s’jam, unë jam për tjetër sen, s’jam për ekspertizë

Aktuale May 08, 2024 - 18:33

I akuzuari në rastin “Bon Vivant 1”, Masar Gërdovci, me të filluar seanca ndaj tij dhe të akuzuarit tjetër Sherif Krasniqi u ngritë në këmbë duke u ankuar se që dhjetë vite ndaj tij është duke u bërë padrejtësi.

“Që 10 vjet padrejtësi jeni duke me bo mua”, tha Gërdovci.

Një deklarim i tillë i të akuzuarit Gërdovci pasi paraprakisht mbrojtësi i tij, avokati Naim Rudari kishte parashtruar kërkesë për ekspertizë psikiatrike ndaj Gërdovci.

Avokati Rudari tha se duhet të bëhet një ekspertizë tillë që të vërtetohet nëse i njëjti është i gatshëm të përcjell gjykimin.

Ndërkaq, i akuzuari Gërdovci tha se është mirë dhe se kundërshtojë kërkesën e avokatit dhe të familjes së tij që të i bëhet një ekspertizë psikiatrike.

Për doktor s’jam,  unë jam për tjetër sen, s’jam për ekspertizë,  e kundërshtojë edhe avokatin edhe familjen, shume jam mirë”, deklaroi i akuzuari Gërdovci.

Gjithashtu një ekspertizë të re e kundërshtojë edhe prokurori, Armend Hamit,  duke thënë se  Qendra e Paraburgimit nuk ka njoftuar për ndonjë ndryshim të gjendjes psikike të të akuzuarit.

I pyetur nga gjykatësi i rastit Avni Syla, edhe eksperti psikiatrik, Bujar Obertica tha se nuk është nevoja për një ekspertizë të re psikiatrike dhe se i njëjti është në gjendje që të përcjell gjykimin.

Më pas trupi gjykues nxori aktvendim duke refuzuar kërkesë e avokatit Rudari për ekzaminim të ri psikiatrik ndaj Gërdovcit me arsyetimin se janë bërë ekzekutimet e nevojshëm dhe se vet i akuzuari shprehet se nuk ka nevojë për ekzaminim të ri.

Më pas i akuzuari Gërdovci  propozoi që në cilësi të dëshmitari të ftohet avokati, Asdren Hoxha.

Ai tha se avokati Hoxha ka qenë dëshmitarë okular i ngjarjes dhe se sipas tij,  nga i njëjti gjatë kohës sa ka qenë në dalim 48 orësh i është thënë se Uran Ismajli ka dërguar kamerat e lokalit “Bon Vivant” në fshatin Brogoliq.

Gjithashtu i akuzuari Gërdovci sqaroi se në procedurën hetimore avokat i tij ishte Asdren Hoxha dhe vazhdimisht i njëjti insistoi që të ballafaqohet me të lidhur me deklarimin se Uran Ismaili i ka dërguar kamerat në Brogoliq

“Uran Ismajli ka dërguar kamerat në Brogoliq”, tha Gërdovci.

Propozimin e të akuzuarit Gërdovci, nuk e kundërshtoi prokurori Hamiti, duke thënë se po paraqitet si rrethanë e re, duke kërkuar nga trupi gjykues që të vlerësohet çështja e konfidencialiteti që avokatët kanë me të mbrojturit e tyre.

Ndërkaq, avokati i të akuzuarit Krasniqi, Haxhi Millaku tha se Ismajli ka qenë dëshmitar i rastit dhe se ka mundur që të ballafaqohet me këtë rrethanë dhe se paraqitja e këtij propozimi lë vend për spekulim.

Megjithatë, trupi gjykues refuzoi propozimin e të akuzuarit Gërdovci, me arsyetimin se çështje e avokatëve të diskutuara me të mbrojturit e tyre në procedurë hetimore janë konfidenciale dhe i njëjti lirohet nga detyrimi për të dëshmuar.

Seanca vijoi me mbrojtjen e të akuzuarve Gërdovci dhe Krasniqi, të cilët shfrytëzuan të drejtë që të mbrohen në heshtje.

Më pas seanca u ndërpre me kërkesë të vet Gërdovci në mënyrë që në seancën e radhës të jetë i gatshëm për fjalën përfundimtare.

Pas ankesave, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Më 18 dhjetor 2020, gjykata e shkallës së parë në rigjykim sërish kishte marrë aktgjykim dënues, ashtu që të akuzuarit Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e rojës në lokalit “Bon Vivant”, duke i dënuar me 24 vjet burgim (së bashku).

Lidhur me ketë vendim, Gjykata Supreme rastin e kishte kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.

Vendimi i fundit lidhur me këtë rast është marrë më 13 janar 2023,  ku Themelorja, Gërdovcin e dënoi me 18 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, kurse Krasniqin me 7 vite burgim. Apeli e ktheu çështjen në rigjykim më 13 qershor 2023.

Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015. Ata thuhet se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, duke kryer kështu veprat penale vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. /BetimipërDrejtësi