Franca mbështet Forcën e Armatosur të Kosovës

Aktuale September 19, 2017 - 07:56

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka theksuar se Kosova është një shtet i pavarur e sovran dhe ka të drejtë ta ketë një forcë të armatosur. Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe për demarkacionin me Malin e Zi, ku ka bërë të ditur se Arbitrazhi Ndërkombëtar nuk është zgjidhje pasi që, sipas tij, është një proces i cili zgjat shumë dhe kjo e vonon procesin e liberalizimit të vizave me BE-në.

Franca e përkrah Kosovën që ta ketë një forcë të armatosur, mirëpo insiston që procesi i krijimit të një force ushtarake të ndërmerret në kohën e duhur, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e gjithë kosovarëve, në mënyrë që kjo forcë të jetë vërtet shumetnike dhe e pranuar nga të gjitha pjesët e shoqërisë.

Këto komente i ka bërë gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, duke shtuar se një vendim i tillë duhet të koordinohet me NATO-n dhe me aleatët e Kosovës, të angazhuar plotësisht për sigurinë e për stabilitetin e vendit dhe të cilët mund të mbështesin e të shoqërojnë transformimin e FSK-së.

“Kjo natyrisht duhet të bëhet duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës dhe në këtë aspekt Kushtetuta e vendit specifikon se çfarë është në kompetenca të ligjit dhe për çfarë janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese”, sqaron Chabert.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” diplomati francez ka folur edhe për vendimin e kryeministrit Haradinaj që ta shkarkojë Komisionin për Demarkacion, ku, sipas tij, duhet respektuar vendimi i shefit të Qeverisë.

Sa i përket dërgimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në Arbitrazh Ndërkombëtar, Chabert ka thënë se për këtë nevojitet marrëveshja mes dy palëve dhe nuk ka ndonjë indikacion që Mali i Zi është i gatshëm të pranojë të rihapë temën, të cilën e konsideron të zgjidhur përfundimisht.

“Nga ana tjetër, të kujtojmë se në rastin e mosmarrëveshjes territoriale midis Kroacisë dhe Sllovenisë, Gjykatës së Arbitrazhit të Përhershëm në Hagë i janë dashur tetë vjet për të marrë një vendim. Unë dyshoj që populli i Kosovës do të jetë i disponuar të presë kaq shumë kohë për liberalizimin e vizave”, ka nënvizuar ai.

Zëri: Z. Chabert, ditë më parë në Kuvendin e Kosovës u votua Qeveria e re në krye me z. Ramush Haradinajn. Cilat do të duhej të ishin prioritetet e kryeministrit Haradinaj gjatë mandatit të tij?

Chabert: Kryeministri Ramush Haradinaj përmendi linjat kryesore dhe prioritetet e programit të tij më 9 shtator para deputetëve të Parlamentit. Zbatimi i marrëveshjeve me Bashkimin Evropian, forcimi i sundimit të ligjit dhe reformimi i drejtësisë në përputhje me standardet më të mira evropiane, ngritja e një sistemi të sigurimit shëndetësor të drejtë dhe efektiv, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i klimës së biznesit, qasja e drejtë në energji dhe ujë, një mjedis i pastër që favorizon zhvillimin e turizmit, cilësi të lartë të arsimimit duke ua mundësuar të rinjve të Kosovës të marrin arsimim dhe njohuri që u japin atyre mundësi për punësim dhe që përshtatet me nevojat e vendit. Kjo sigurisht është baza për një të ardhme më të mirë ekonomike dhe sociale për popullin e Kosovë

Zëri: Në ditën e parë të punës Haradinaj shkarkoi Komisionin për Demarkacion, zgjidhja e së cilës çështje është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën nga BE-ja. Cili është komenti juaj?

Chabert: Natyrisht, duhet respektuar vendimin e kryeministrit. Unë e kuptoj se një komision i ri qeveritar do të takohet për të punuar në demarkacionin e kufirit dhe unë nuk mund dhe nuk do të paragjykoj rezultatin e punës së tij. Megjithatë, do të theksoja se derisa disa kanë vënë në pikëpyetje për dy vjet me radhë vijën kufitare, siç është rënë dakord me Malin e Zi dhe po bllokojnë procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit në dëm të afër dy milionë qytetarëve të tyre, që duan të jenë në gjendje të udhëtojnë lirisht, deri më tani nuk kanë dhënë dëshmi konkrete dhe të pakundërshtueshme të pohimeve të tyre.

Zëri: Zyrtarë të Ambasadës Amerikane deklaruan se nuk mbështesin version tjetër për demarkacionin përpos atij të vitit 2015. Cili është qëndrimi i Francës?

Chabert: Një marrëveshje për demarkacionin e kufirit u nënshkrua nga qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi. Vija kufitare u pranua nga të dyja shtetet. Kosova synon integrimin e plotë në strukturat ndërkombëtare, por ende ka pengesa për të kapërcyer, pavarësisht mbështetjes që vendet mike, sikurse Franca, i japin asaj. Prandaj, duhet pasur kujdes me imazhin dhe me besueshmërinë e saj në organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe shtetet e tyre anëtare. Nëse Kosova nuk e respekton nënshkrimin e vet të vënë në një traktat ndërkombëtar, për fat të keq do të ishte një dhuratë për ato vende që nuk duan të njohin sovranitetin e saj, duke u dhënë argumente të reja për të mbajtur bllokadën e tyre.

 Marrëveshja në Arbitrazh Ndërkombëtar shtyn liberalizimin

Zëri: Për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, të cilat nuk i ka Qeveria e re. Si të gjendet zgjidhja për miratimin e një marrëveshjeje të tillë?

Chabert: Ky është një problem që i përket klasës politike në Kosovë dhe sidomos parlamentarëve te të cilët duhet të mbizotërojnë interesat e përgjithshme para kalkulimeve politike. Pritjet e njerëzve për liberalizimin e vizave janë të mëdha dhe varet nga deputetët e zgjedhur nga populli për t'u përgjigjur aspiratave të popullit. Prandaj është përgjegjësia e tyre për të votuar për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.

Zëri: A mund të hiqet kushti i Demarkacionit nëse Qeveria e Kosovës e dërgon këtë marrëveshje në Arbitrazh Ndërkombëtar?

Chabert: Për Arbitrazh nevojitet marrëveshja e të dyja palëve dhe nuk ka asnjë indikacion se Mali i Zi, i cili ka nënshkruar dhe ka ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit të saj me Kosovën, është i gatshëm të pranojë të rihapë temën, të cilën ai e konsideron të zgjidhur përfundimisht. Nga ana tjetër, të kujtojmë se në rastin e mosmarrëveshjes territoriale midis Kroacisë dhe Sllovenisë, Gjykatës së Arbitrazhit të Përhershëm në Hagë i janë dashur tetë vjet për të marrë një vendim. Unë dyshoj që populli i Kosovës do të jetë i disponuar të presë kaq shumë kohë për liberalizimin e vizave.

Zëri: Po ashtu u premtua se shumë shpejt do të bëhet transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. A do të duhej të bëhet një transformim i tillë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese apo duhen të sigurohen 80 vota në Parlament?

Chabert: Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran që ka të drejtën të ketë një forcë të armatosur. Ky proces i krijimit të një force ushtarake duhet të ndërmerret në kohën e duhur, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e gjithë kosovarëve, në mënyrë që kjo forcë të jetë vërtet shumetnike dhe e pranuar nga të gjitha pjesët e shoqërisë. Ky vendim do të duhej gjithashtu të koordinohet me NATO-n dhe me aleatët e Kosovës, të angazhuar plotësisht për sigurinë dhe për stabilitetin e vendit dhe të cilët mund të mbështesin dhe të shoqërojnë transformimin e FSK-së. Kjo natyrisht duhet të bëhet duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës dhe në këtë aspekt Kushtetuta e vendit specifikon se çfarë është në kompetenca të ligjit dhe për çfarë janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese.

Kosova t’i arrestojë kriminelët

Zëri: Kur kosovarët do të mundnin të lëvizin pa viza në BE dhe vonesat në procesin e liberalizimit a ndërlidhen me dështimet e klasës politike që të përmbushen dy kushtet e BE-së: Demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit?

Chabert: Një perspektivë e qartë dhe ambicioze evropiane i është ofruar Kosovës me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Agjendës Evropiane për Reformën dhe liberalizimin e vizave. Kosova duhet t’i zbatojë me rigorozitet dhe me përgjegjësi angazhimet që vetë i ka miratuar nëse dëshiron të ecë përpara në këtë drejtim. Një politikë e vendosur e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkohet nga Bashkimi Evropian, por kërkohet në veçanti nga populli i Kosovës, i cili dëshiron që kriminelët të arrestohen dhe të gjykohen në mënyrë që të kenë kushte më të mira jetese.

Franca nuk jep azil për kosovarët

Zëri: Javën e fundit është raportuar për një fluks të mundshëm të kosovarëve drejt BE-së. A keni informacione nëse janë paraqitur kërkesa të reja nga kosovarët për azil në Francë?

Chabert: Nga informatat që kemi si Ambasadë, nuk ka pasur rritje të kërkesave për azil gjatë javëve të fundit.

Zëri: A jep Franca azil për kosovarët apo shumica e kërkesave refuzohen, njëjtë si shtetet tjera të BE-së?

Chabert: E drejta e azilit në Francë është e përcaktuar me kushte shumë të sakta të qasjes nga pikëpamja ligjore dhe ushtrohet nën mbikëqyrjen e gjyqtarit. Shtetasit e vendeve që konsiderohen "të sigurta" nuk mund të pretendojnë të gëzojnë të drejtën e azilit në Francë. Vende "të sigurta" janë ato ku nuk ka dhunë të përgjithshme dhe ku shteti është në gjendje të kujdeset për sigurinë e qytetarëve të saj. Kosova është klasifikuar në Francë nga organi përgjegjës për regjistrimin e kërkesave për azil, në listën e vendeve "të sigurta".

Zëri: Nëse ndodh një eksod i mundshëm drejt BE-së a i humbin kosovarët të gjitha gjasat për heqjen e vizave nga Bashkimi Evropian dhe si duhet të veprojnë zyrtarët politikë në Kosovë?

Chabert: Nuk ka asnjë arsye që në këtë fazë të parashikohet një eksod i popullatës kosovare në BE. Megjithatë, është e dobishme të qartësohet dallimi midis çështjes së vizave dhe emigracionit. Heqja e kërkesës për vizë nuk është e drejtë për të emigruar, është e drejtë për të udhëtuar. Ata që nuk do të kuptojnë dallimin midis këtyre dy koncepteve kur liberalizimi i vizave ndodh dhe që zgjedhin të qëndrojnë në zonën Shengen përtej kohës së udhëtimit të parashikuar në marrëveshje, do t’u kërkohet të largohen nga Bashkimi Evropian dhe nuk do të mundë të rikthehen. Marrëveshjet e liberalizimit të vizave ende parashohin një klauzolë të riatdhesimit. Një mekanizëm për të pezulluar liberalizimin e vizave i lejon Bashkimit Evropian të reagojë, përkohësisht dhe si mjet i fundit, kur rregullat nuk respektohen.

Zëri: A do të ketë vëzhgues nga BE-ja në monitorimin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit dhe sa prej tyre do të vijnë nga Franca?

Chabert: Do të ketë një ftesë për shtetet anëtare të BE-së që të dërgojnë vëzhgues në Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së dhe shpresoj që edhe këtë herë do të ketë pjesëmarrës francezë. Unë, tani për tani, ende nuk mund t'ju them sa, por dua që ata të jenë të shumtë.

Zëri: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të zhvillohet në nivel presidentësh. Cili do të jetë roli i Qeverisë në këtë dialog?

Chabert: U takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin vetë. Presidenti Thaçi bëri propozime në këtë drejtim më 14 shtator. Tani i takon Qeverisë të tregojë nëse ajo pajtohet me ato propozime.

 Përfaqësuesja e Francës në të ardhmen mund të luajë në Kosovë

Zëri: Olimpiada e vitit 2024 do të mbahet në Francë. Çfarë urimi keni për sportistët kosovarë që pritet të marrin pjesë në këtë eveniment?

Chabert: Lojërat Olimpike në Paris në vitin 2024 do të jenë një kohë e festimit, bashkimit dhe shkëmbimit në mes popujve dhe kulturave. Do të jetë një përvojë e mrekullueshme për të gjithë atletët, të cilët do të jenë me fat që të jenë atje, por edhe për të gjithë ata që do të udhëtojnë për të marrë pjesë në ceremonitë dhe garat. Nuk duhet të harrojmë faktin se për një sportist asgjë nuk është më e bukur sesa fitorja dhe ju dëshiroj shumë suksese pjesëmarrësve kosovarë: "Le të fitojë më i miri!".

Zëri: Përfaqësuesja e Francës ka shumë simpatizues në Kosovë. A do të ishte e mundshme që kjo skuadër me plot yje të zbarkojë një ditë në Prishtinë për të zhvilluar ndeshje miqësore me Përfaqësuesen e Kosovës?

Chabert: Është shumë e mundshme dhe do të ishte një takim i bukur. Megjithatë, duhet që të dyja federatat kombëtare të futbollit të diskutojnë për këtë që punimet në stadiumin e Prishtinës të përfundojnë dhe të bëhet homologimi i tij nga Federata Ndërkombëtare.