Canaj: Pres që mbi 60% e votave të diasporës të shkojnë te LVV-ja
Ish-diplomati Blerim Canaj, ka analizuar rezultatet e zgjedhjeve të 8 qershorit.
Ai ka thënë se shumica e votave nga diaspora do t’i shkojnë Lëvizjes Vetëvendosje.
Canaj këtë e ka bazuar edhe në raportin e auditimit, ku sipas tij diplomatët e dërguar së fundmi duket se më shumë kanë kryer punë të politikës së brendshme sesa të përfaqësojnë vendin.
“Kur e pashë raportin e auditorit, mu krijua përshtypja që diplomatët gjatë këtyre viteve janë dërguar kryesisht për të bërë punë të politikës së brendshme, të partisë në pushtet. E kam pritur këtë numër të votave nëpër përfaqësi diplomatike. Por ata të cilët kanë votuar përmes postës janë njerëz që nuk e kanë pasur besimin e duhur që të paraqiten për të votuar nëpër misionet diplomatike”, ka thënë Canaj.
Sipas tij, nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim drastik, por vetëm minimal.
“…Pres që mbi 60 për qind e votave të diasporës të shkojnë te Lëvizja Vetëvendosje…”, ka thënë ai.