Supremja hedh poshtë ankesën e anëtares së KQZ-së për votimin me dokumente të skaduara
Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e anëtares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Violeta Salihu, e cila kishte kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me votimin në përfaqësitë diplomatike me dokumente identifikimi të skaduara.
PZAP-i kishte aprovuar më 5 qershor ankesën e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke anuluar vendimin e KQZ-së që lejonte votimin me dokumente të skaduara të Republikës së Kosovës për qytetarët e regjistruar jashtë vendit.
Sipas PZAP-it, KQZ-ja nuk kishte autorizim ligjor për të lejuar një praktikë të tillë përmes një vendimi administrativ, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon paraqitjen e dokumenteve të vlefshme të identifikimit për ushtrimin e të drejtës së votës.
Pas këtij vendimi, Salihu kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke argumentuar se vendimi i KQZ-së synonte garantimin e ushtrimit të së drejtës kushtetuese të votës për qytetarët që votojnë nga diaspora.
Megjithatë, Gjykata Supreme konstatoi se ankesa ishte e palejuar, pasi ankuesja nuk kishte legjitimitet aktiv procedural për ta paraqitur atë.
Sipas Gjykatës, një anëtar individual i KQZ-së nuk ka të drejtë të ushtrojë mjete juridike në emër personal kundër vendimeve të PZAP-it, përderisa nuk është palë e drejtpërdrejtë në procedurë dhe nuk dëshmon cenim të një interesi juridik personal.
Gjykata theksoi se KQZ-ja funksionon si organ kolegjial dhe se pjesëmarrja e anëtarëve në vendimmarrje nuk u jep automatikisht statusin e palës në procedurat gjyqësore apo të drejtën për të vepruar individualisht në emër të institucionit.
Po ashtu, Supremja vlerësoi se vendimi i PZAP-it nuk prodhon pasoja juridike të drejtpërdrejta ndaj të drejtave apo detyrimeve personale të Salihut, por lidhet me ligjshmërinë e një vendimi institucional të KQZ-së.
Për këto arsye, Gjykata Supreme e hodhi poshtë ankesën si të palejuar, pa shqyrtuar përmbajtjen e pretendimeve lidhur me ligjshmërinë e vendimit të PZAP-it. /Zëri