Mbi 7 mijë pako me fletëvotime nga diaspora janë verifikuar, 142 të refuzuara
Foto: Laura Hasani

Mbi 7 mijë pako me fletëvotime nga diaspora janë verifikuar, 142 të refuzuara

Zgjedhjet 2026 June 10, 2026 - 10:51

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, të dërguara përmes postës.

Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën, më 10 qershor 2026, deri në orën 10:00, janë verifikuar mbi 7 mijë pako, prej të cilave 7.153 janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.

Arsyeja më e shpeshtë e refuzimit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokumenti unik që i lëshohet votuesit të regjistruar për votim me postë.

Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor 2026 në orën 16:00 dhe ka për qëllim verifikimin nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ pritet të publikojë numrin final të pakove të vlefshme që do të numërohen në QNR.

Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur edhe tërheqja e pakove me fletëvotime nga diaspora, e cila është realizuar nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete dhe në Kosovë. Në total, nga 23 kuti postare janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat tashmë janë sjellë në vend për procesim të mëtejshëm. /Zëri