Krasniqi: Subjektet politike janë përgjegjëse nëse përfshijnë në ekipet numëruese persona që janë evidentuar në parregullsitë e zgjedhjeve të fundit
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Subjektet politike janë përgjegjëse nëse përfshijnë në ekipet numëruese persona që janë evidentuar në parregullsitë e zgjedhjeve të fundit

Zgjedhjet 2026 June 02, 2026 - 12:57

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasnqi, në mbledhjen e mbajtur të martën tha se subjektet politike janë përgjegjëse nëse përfshijnë në ekipet numëruese persona që janë evidentuar në parregullsitë e zgjedhjeve të fundit.

Një gjë të tillë Krasniqi e tha derisa prezantoi rekomandimin për emërimin e anëtarëve të ekipeve të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN).

Ai tha se KQZ-ja u ka kërkuar subjekteve politike të mos nominojnë emra të cilët kanë qenë të përfshirë në parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të fundit.

“Dua të theksoj këtu gjithashtu faktin që KQZ-ja kur ka dërguar njoftimin për nominimin e anëtarëve të këshillave apo të ekipeve të numërimit të QKN-së, ka kërkuar nga subjektet politike që ato të mos dërgojnë emra të cilët kanë qenë të përfshirë në parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të fundit”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se për këtë përgjegjësi mbajnë subjektet politike.

“Dhe për këtë mbajnë përgjegjësi subjektet politike nëse në ndonjë prej rasteve kanë dërguar persona apo individë që kanë mund të jenë të përfshirë”, u shpreh Krasniqi.

Sipas tij, anëtarët dhe Sekretariati i KQZ-së, me aq sa kanë pasur mundësi, janë kujdesur për mospërfshirjen e këtyre personave.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja miratoi ekipet e numërimit në 38 QKN. Lidhur me këtë, u tha se në këto qendra do të angazhohen 2 mijë e 213 anëtarë në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor.

KQZ-ja njoftoi se ekipet e numërimit do të verifikojnë rezultatet e subjekteve politike të evidentuara në formularë pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime, si dhe do të bëjnë numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.

Gjithashtu, KQZ-ja miratoi edhe emërimin e 153 anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta nga komuna të ndryshme për vendet e paplotësuara.

Sipas KQZ-së, në mbledhjen e kaluar ishte vendosur për emërimin e 12 mijë e 678 anëtarëve, prej të cilëve 1 mijë e 43 rezervë, të cilët do të angazhohen në 2 mijë e 498 vendvotime për votimin e rregullt në 911 qendra votimi, ndërsa emërimi i pjesës tjetër ishte planifikuar të bëhej në mbledhjen pasuese.

Ndërkaq, KQZ-ja njoftoi edhe për emërimin e 192 anëtarë të 52 Këshillave të Vendvotimeve me kusht, të cilat do të funksionojnë në 38 qendra votimi.

Sipas KQZ-së, anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjës për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.

Në fund, KQZ-ja aprovoi rekomandimin për miratimin e stafit rezervë të Këshillave të Vendvotimeve dhe stafit asistues që do të angazhohen në procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor 2026. Sipas vendimit, numri i personave të emëruar është 66.

KQZ-ja rikujtoi se në mbledhjen e kaluar kishte emëruar anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike.

Sipas atij vendimi, në 47 vendvotime që do të hapen në kuadër të 30 përfaqësive diplomatike, përkatësisht 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të vendosura në 18 shtete të ndryshme, do të angazhohen rreth 200 anëtarë, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike. /BetimipërDrejtësi