Zërat
Ramadan Shkodra
Ramadan
Shkodra

Kur historia bëhet pronë: mohimi, tjetërsimi dhe përvetësimi i figurave shqiptare – rasti i Skënderbeut

Zërat August 28, 2026 - 22:22

Historia e një populli nuk është vetëm një varg datash, betejash, emrash dhe ngjarjesh të renditura në kohë. Ajo është kujtesa e tij, mënyra se si e kupton të kaluarën dhe, në një masë të madhe, mënyra se si e ndërton të ardhmen. Për këtë arsye, kur historia mohohet, tjetërsohet ose përvetësohet, çështja nuk mbetet vetëm në fushën e një debati për të kaluarën. Preket edhe mënyra se si një shoqëri e kupton vetveten dhe si e përcakton perspektivën dhe të ardhmen e saj.

Kohëve të fundit, në hapësirën shqiptare, po shohim një përplasje rreth figurave historike që, në pamje të parë, mund të duket si debat i thjeshtë për një person ose për një periudhë të caktuar, por në të vërtetë problemi është shumë më i gjerë se kaq. Po shfaqet një prirje për t’i parë disa figura kombëtare përmes përkatësisë fetare, politike ose ideologjike dhe, mbi këtë bazë, për t’i afruar me një grup e për t’i larguar nga një tjetër. Në disa raste kemi përvetësim, në disa të tjera mohim, ndërsa në raste të tjera tentohet që një figurë historike t’i paraqitet një pjese të shqiptarëve si “e tyre”, me nënkuptimin se pjesa tjetër nuk ka të drejtë ta konsiderojë të tillë.

Nga mohimi i jashtëm te përçarja e brendshme

Rasti i Skënderbeut është sot shembulli më i dukshëm i gjithë kësaj që po themi, por problemi nuk fillon me Skënderbeun dhe as nuk përfundon me të. Për ta kuptuar këtë dukuri, duhet të kthehemi pak pas, sepse ajo ka një histori më të gjatë dhe lidhet me mënyrën se si është trajtuar historia shqiptare nga historiografi të ndryshme të fqinjëve tanë, nga nacionalizmat ballkanikë, nga ideologjitë politike dhe, në një periudhë më të vonshme, edhe nga vetë shqiptarët.

Në Ballkan, historia ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e betejës për identitetin, territorin dhe legjitimitetin politik. Me formimin e nacionalizmave moderne, nuk mjaftonte më pretendimi mbi një territor, por duhej krijuar edhe një e kaluar që ta mbështeste atë pretendim. Për këtë arsye, në historiografitë e ndryshme të rajonit u zhvilluan rrëfime që, në raste të caktuara, e vendosën historinë në shërbim të projekteve kombëtare e politike.

Shqiptarët, për shkak të pozitës së tyre në Ballkan, të shpërndarjes së tyre në disa shtete dhe të historisë së ndërlikuar politike të rajonit, janë përballur vazhdimisht me këtë problem. Në periudha të ndryshme, pjesë të historiografive fqinje janë përpjekur të zvogëlojnë praninë historike shqiptare, ta paraqesin atë si të vonshme ose të ardhur, të mohojnë vazhdimësinë e saj apo të shkëpusin nga historia shqiptare figura që kanë luajtur role të rëndësishme politike, ushtarake, kulturore e intelektuale, duke krijuar kështu një narrativë që e dobëson vetëdijen historike të shqiptarëve dhe e bën më të lehtë nënshtrimin dhe sundimin e tyre.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të gjithë historianët e rajonit dhe të vendeve të tjera e kanë parë historinë shqiptare në të njëjtën mënyrë. Problemi nuk qëndron te kombësia e historianit, por te mënyra se si shkruhet dhe interpretohet historia. Ka studiues të huaj që kanë bërë punë të çmuar për historinë shqiptare dhe ka edhe historianë shqiptarë që kanë gabuar. Problemi fillon kur historia nuk kërkon më të vërtetën, por përdoret për të vërtetuar një përfundim të vendosur më parë.

Kështu, kur një figurë nuk mund të mohohet përballë dokumenteve dhe veprës që ka lënë pas, mund të provohet një rrugë tjetër: përvetësimi. Figura pranohet se ka ekzistuar, por mohohet ose zvogëlohet përkatësia e saj shqiptare, duke u përvetësuar dhe vendosur brenda një historie tjetër kombëtare, fetare apo kulturore.

Shembuj që e ilustrojnë këtë ka me shumicë. Dhe kjo dukuri nuk është shfaqur vetëm me një figurë. Në historiografinë dhe diskursin publik të rajonit janë diskutuar në mënyra të ndryshme figura shqiptare të politikës, ushtrisë, kulturës, artit e letërsisë, prej figurave të periudhës osmane deri te personalitetet e kohëve më të reja. Administratorë, dijetarë, poetë, arkitektë, ushtarakë, udhëheqës, klerikë, pashallarë e figura të tjera që kanë vepruar në hapësirën osmane dhe para saj janë parë shpesh vetëm përmes shtetit ose periudhës në të cilën kanë shërbyer. Janë shkëputur nga prejardhja, veprimtaria, lidhjet familjare, kulturore e shoqërore dhe raportet e tyre me hapësirën shqiptare, duke bërë që një pjesë e kontributit të tyre të mbetet jashtë vëmendjes së historisë shqiptare.

Mirëpo, kjo nuk është vetëm një çështje që vjen nga jashtë. Përveç këtij problemi, shqiptarët kanë pasur edhe një problem të brendshëm, i cili e ka komplikuar edhe më tej këtë çështje.

Historia shqiptare dhe trashëgimia e një kornize ideologjike

Për dekada, gjatë sistemit komunist, historia shqiptare u trajtua brenda një kornize të fortë ideologjike. Kjo shihet qartë në mënyrën se si u trajtuan periudha osmane, Mbretëria Shqiptare, lëvizjet nacionaliste dhe tradita politike antikomuniste. Periudha osmane u shpjegua kryesisht përmes kategorive të pushtimit, shfrytëzimit dhe prapambetjes, ndërsa Mbretëria, nacionalizmi dhe traditat antikomuniste u trajtuan kryesisht përmes kategorive të “reaksionit”, “borgjezisë” dhe luftës së klasave. Këto aspekte nuk mund të mohohen dhe duhet të jenë pjesë e studimit historik, por problemi qëndronte në faktin se periudha dhe dukuri kaq të gjata e komplekse u reduktuan në skema shumë më të ngushta sesa realiteti që përfaqësonin.

Së këndjemi, shqiptarët gjatë periudhës osmane, nuk jetonin jashtë historisë së Perandorisë Osmane. Ata ishin pjesë e saj në mënyra të ndryshme. Kishte shqiptarë në administratë, ushtri, diplomaci, arsim, tregti, jetën fetare dhe në strukturat politike të Perandorisë. Kishte familje shqiptare që patën ndikim të madh në jetën politike e shoqërore të shekujve XV - XIX, kishte dijetarë, myderrizë, poetë, klerikë, administratorë, ushtarakë etj. Kishte edhe kundërshtime, kryengritje, konflikte, kërkesa për autonomi dhe procese të ndryshme politike që, në rrethana të caktuara, çuan drejt formave më të qarta të vetëdijes kombëtare. Të gjitha këto janë pjesë e historisë shqiptare.

Në këtë aspekt duhet parë edhe përkatësia e madhe e shqiptarëve në Islam, e cila gjatë shekujve u bë pjesë e rëndësishme e jetës së tyre shoqërore, kulturore, arsimore dhe politike. Kjo prani nuk mbeti vetëm çështje e besimit individual, por u shpreh edhe përmes institucioneve dhe formave të ndryshme të jetës shoqërore. Xhamitë, medresetë, bibliotekat, mektebet, teqetë dhe vakëfet krijuan një hapësirë të gjerë institucionale, arsimore e kulturore, në të cilën vepruan dijetarë, myderrizë, imamë, poetë, administratorë dhe intelektualë shqiptarë. Një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së shkruar shqiptare të shekujve osmanë u krijua pikërisht në këtë mjedis. Prandaj, kjo trashëgimi nuk mund të trajtohet si diçka e jashtme ndaj historisë shqiptare; përkundrazi, ajo është pjesë e saj dhe dëshmon për një dimension të rëndësishëm të jetës së shqiptarëve gjatë kësaj periudhe.

Prandaj, periudha osmane nuk mund të studiohet vetëm duke pyetur se si shqiptarët iu kundërvunë apo si e luftuan Perandorinë. Duhet të dimë edhe si jetuan brenda saj, çfarë institucionesh krijuan, çfarë roli luajtën, çfarë veprash lanë dhe si ndryshoi shoqëria shqiptare gjatë këtyre shekujve.

Historia shqiptare nuk ka ndodhur vetëm brenda kufijve të shtetit të sotëm shqiptar dhe as vetëm brenda kufijve etnikë që përfytyrojmë sot. Ajo është zhvilluar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Sanxhak, Çamëri, por edhe në qendra të tjera ku shqiptarët kanë jetuar dhe vepruar, si Stambolli, Bukureshti, Sofja, Kajroja dhe Selaniku. Këto qendra nuk janë pjesë e hapësirës shqiptare në kuptimin territorial, por janë pjesë e historisë shqiptare përmes pranisë dhe veprimtarisë së shqiptarëve atje.

Pikërisht këtu kemi nevojë për një kthesë në studimet tona. Historia shqiptare e periudhës osmane duhet të shihet me një horizont më të gjerë, me më shumë dokumente dhe me më pak paragjykime të trashëguara. Nuk bëhet fjalë për ta idealizuar Perandorinë Osmane dhe as për të zëvendësuar një interpretim ideologjik me një tjetër.

Historia shqiptare e periudhës së Perandorisë Osmane, në një pjesë të konsiderueshme të historiografisë sonë, është trajtuar mbi premisa dhe interpretime që, jo rrallë, kanë qenë të ndikuara nga narrativat e historiografisë serbe dhe ruse, si dhe nga qasje të mbështetura në doktrina dhe interpretime filokatolike. Një qasje e tillë ka ndikuar që periudha osmane të paraqitet pothuajse ekskluzivisht si burim i prapambetjes, dhunës dhe ndërprerjes së zhvillimit historik të shqiptarëve, ndërsa rrethanat e tjera historike nëpër të cilat kanë kaluar trojet shqiptare janë trajtuar me një standard krejtësisht tjetër.

Në këtë kontekst shtrohet pyetja: si është e mundur që për pothuajse çdo dukuri negative në historinë shqiptare përgjegjësia t’i ngarkohet periudhës së Perandorisë Osmane, ndërsa historiografia dhe qarqe të caktuara rrallë ose fare nuk flasin për pasojat e periudhës bizantine, të sundimit të shteteve mesjetare serbe dhe, në veçanti, të periudhës së Dushanit?

Sidomos “Kodi i Dushanit”, i njohur për karakterin e tij të rreptë juridik dhe fetar, dëshmon për një politikë të ashpër ndaj Kishës Katolike dhe ndjekësve të saj, duke vendosur kufizime të konsiderueshme mbi ushtrimin e besimit dhe jetën fetare të katolikëve. Megjithatë, kjo periudhë dhe ndikimi i saj në strukturën fetare, kulturore dhe shoqërore të trojeve shqiptare nuk duket se zënë të njëjtin vend në interpretimet që i kushtojnë periudhës osmane një përgjegjësi pothuajse absolute për çdo pasojë negative të së kaluarës.

Një historiografi serioze dhe e paanshme kërkon që çdo periudhë historike të shqyrtohet në kontekstin e saj, duke u mbështetur në burime dhe duke iu nënshtruar të njëjtit standard kritik. Vetëm një qasje e tillë mund të shmangë interpretimet selektive dhe të ideologjizuara, duke e trajtuar historinë shqiptare si një proces kompleks, të formësuar nga periudha, pushtete dhe rrethana të ndryshme historike.

Pasojat e një mënyre të tillë të trajtimit të historisë nuk zhduken menjëherë me ndryshimin e sistemit politik. Ato mbeten në literaturë, në tekstet shkollore, në kujtesën shoqërore dhe edhe në mënyrën se si disa njerëz me shkollim të mirë vazhdojnë t’i shohin figurat historike përmes kategorive të trashëguara nga literatura e mëparshme. Dikush është “osman”, dikush “reaksionar”, dikush “progresiv”, dikush “kombëtar”, sikur një njeri i shekullit XVII, XVIII apo XIX të mund të vendosej pa vështirësi në kategoritë politike të shekullit XXI.

Kjo është një prej arsyeve pse kemi ende nevojë për studime të reja, sidomos mbi periudhën osmane dhe mbi figurat që për shumë kohë janë parë vetëm nga njëra anë.

Nga problemi i jashtëm te problemi që po krijojmë vetë

Dhe pikërisht këtu fillon problemi i sotëm. Në një kohë kur kemi më shumë mundësi se kurrë për të hyrë në arkiva, për të konsultuar dokumente të ndryshme, për të krahasuar historiografi dhe për të rishikuar përfundime të vjetra, po shfaqet një paradoks: në vend që ta zgjerojmë historinë shqiptare, po fillojmë ta ngushtojmë atë nga brenda.

Dikur dikush nga jashtë përpiqej të na thoshte se kjo figurë nuk ishte shqiptare. Sot po ndodh që një shqiptar, - të shumtën i mbështetur në interpretime spekulative dhe paragjykime fetare dhe ideologjike, - t’i thotë një shqiptari tjetër se kjo figurë nuk është heroi yt. (sic!).

Një gjë është ta kritikosh një figurë historike dhe krejt tjetër është t’ia mohosh një pjese të shoqërisë të drejtën për ta konsideruar atë pjesë të historisë së vet.

Këtu duhet të jemi të qartë: figurat kombëtare shqiptare nuk mund të vlerësohen sipas dogmave fetare apo ideologjike të atij që i gjykon, as sipas interesave të politikës së ditës dhe as sipas nevojave të një grupi që kërkon të ndërtojë identitetin e vet duke ia mohuar një figure përmasën e saj të përbashkët.

Kjo vlen edhe për ata që, në emër të një “rikthimi në identitet” apo të një “rikthimi në fenë e të parëve”, përpiqen ta shohin historinë shqiptare vetëm përmes një përkatësie fetare. Kontributi i shqiptarëve të krishterë në historinë tonë është i jashtëzakonshëm dhe nuk ka nevojë të mbrohet duke lënë në hije rolin e shqiptarëve myslimanë. Po kështu, kontributi i shqiptarëve myslimanë nuk mund të përdoret për të lënë në hije atë të shqiptarëve të krishterë. Të dyja janë pjesë e historisë sonë.

Në të njëjtën mënyrë, prania myslimane nuk është një shtresë e jashtme e historisë shqiptare që mund të pranohet ose të refuzohet sipas bindjeve të sotme, por ajo është një pjesë historike e formimit dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare, me institucionet, personalitetet, veprat dhe trashëgiminë e saj.

Prandaj, edhe ndaj disa zërave të skajshëm në diskursin fetar mysliman duhet të mbajmë të njëjtin standard. Nëse Skënderbeu paraqitet vetëm si luftëtar kundër myslimanëve dhe, mbi këtë bazë, shqiptarëve myslimanë u mohohet e drejta ta konsiderojnë hero kombëtar, atëherë historia reduktohet në një konflikt fetar të kohës sonë. Por po aq problematike është edhe përpjekja e disa zërave të skajshëm katolikë për ta lidhur shqiptarësinë kryesisht me katolicizmin dhe për ta bërë Skënderbeun, apo figura të tjera kombëtare, pronë të një komuniteti.

Të dyja këto qasje bëjnë të njëjtin gabim: marrin një pjesë të identitetit të një figure dhe e shndërrojnë në tërësinë e saj. Por historia nuk funksionon kështu.

Skënderbeu nuk është pronë e askujt

Rasti i Skënderbeut e tregon më së miri këtë problem. Skënderbeu është një figurë historike e dokumentuar, që i përket një kohe dhe një hapësire të caktuar dhe që, me veprimtarinë e tij, ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë shqiptare dhe më gjerë. Jeta e tij duhet parë dhe studiuar në tërësinë dhe kompleksitetin e saj: origjina dhe përkatësia e tij etnike e fetare, lidhjet me botën osmane, përvoja ushtarake, kthimi në Krujë, marrëdhëniet me fuqitë e kohës, luftërat kundër Perandorisë Osmane, si dhe lidhjet politike e fetare me botën evropiane. Asgjë nga këto nuk ka arsye të fshihet. Përkundrazi, pikërisht këto duhet t’i studiojmë dhe t’i kuptojmë në kontekstin e kohës.

Nëse dikush e quan Skënderbeun “atlet të Krishtit” dhe këtë shprehje e përdor për ta bërë figurën ekskluzivisht të një komuniteti, atëherë e tejkalon kufirin e një vlerësimi historik. Por edhe nëse dikush e sheh atë vetëm si luftëtar kundër një perandorie islame dhe, mbi këtë bazë, kërkon t’ua mohojë shqiptarëve myslimanë të drejtën ta konsiderojnë hero, atëherë po bën të njëjtin gabim, vetëm nga ana tjetër.

Perandoria Osmane ishte një perandori me karakter të fuqishëm islam, me institucione, norma dhe një legjitimitet politik të lidhur me Islamin, por njëkohësisht ishte edhe një perandori shumëetnike, shumëgjuhëshe dhe politike. Përplasjet e saj me principatat dhe fuqitë e kohës nuk mund të shpjegohen thjesht si një përballje “myslimanësh kundër të krishterëve”. Në marrëdhëniet e asaj kohe ndërthureshin politika, dinasti, territore, interesa ekonomike, aleanca dhe fe.

Edhe më e rëndësishme është kjo: nëse kriteri do të ishte vetëm feja e shtetit kundër të cilit ka luftuar një figurë, atëherë çfarë do të bënim me gjithë ata shqiptarë myslimanë që përgjatë shekujve dhe sidomo në shekujt XVIII dhe XIX, kundërshtuan pushtetin osman, u ngritën kundër administratës së tij, luftuan me ushtritë osmane dhe kërkuan autonomi apo ndryshime politike? A do t’ua mohonim edhe atyre vendin në historinë shqiptare vetëm sepse kundërshtuan një shtet me karakter islam? Sigurisht që jo. Atëherë pse duhet ta bëjmë këtë me Skënderbeun? Pikërisht për këtë arsye, një figurë historike duhet të vendoset në kohën e vet dhe të mos gjykohet vetëm përmes kategorive fetare të sotme.

Figurat dhe heronjtë kombëtarë nuk ndahen sipas fesë

E njëjta gjë vlen edhe, fjala vjen, për Fan Nolin, Gjergj Fishtën, Papa Kristo Negovanin, Dom Nikollë Kaçorrin dhe shumë të tjerë. Përkatësia e tyre fetare është pjesë e pandashme e jetës dhe veprimtarisë së tyre dhe nuk ka arsye të fshihet apo të zbehet. Por as nuk mund të përdoret për t’u thënë shqiptarëve të tjerë se ata nuk janë pjesë e historisë sonë.

Në të njëjtën mënyrë, një figurë shqiptare myslimane nuk mund të bëhet pronë vetëm e myslimanëve. Haxhi Ymer Prizreni, Dervish Cara, Haxhi Zeka, Bajram Curri dhe Isa Boletini nuk janë vetëm të atyre që pajtohen me ta në politikë. Hasan Prishtina nuk është pronë e një krahu politik. Adem Demaçi nuk mund të lexohet vetëm përmes etiketave që iu vunë gjatë jetës së tij. Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe figurat e tjera të luftës së fundit nuk mund të bëhen pronë e një partie apo grupi politik. Me çfarë të drejte ia ndajmë njëri-tjetrit këto figura? Askush nuk na e ka dhënë këtë të drejtë.

Kritika është e domosdoshme, por mohimi nuk është kritikë

Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se figurat historike duhet të mbrohen nga kritika. Përkundrazi. Një shoqëri e pjekur nuk ka nevojë t’i shohë heronjtë si të pagabueshëm. Një hero nuk është shenjtor dhe një figurë historike nuk është e paprekshme. Ne duhet t’i studiojmë figurat tona përmes dokumenteve. Duhet të kemi edhe guximin të korrigjojmë atë që është ekzagjeruar nga tradita jonë dhe historia e ndërtuar mbi premisa ideologjike.

Por këtu qëndron dallimi i madh: kritika historike nuk është e njëjtë me mohimin. Kritika nis nga burimi dhe e ndjek argumentin aty ku të çon. Mohimi, shpesh, nis nga një përfundim i paracaktuar dhe pastaj kërkon vetëm atë që mund ta mbështesë. Një historian mund të kritikojë, fjala vjen, Marin Barletin, të diskutojë burimet për Skënderbeun, të rishqyrtojë një betejë apo një ngjarje. Kjo është historiografi. Por nëse një figurë mohohet që në fillim vetëm sepse nuk i përshtatet një bindjeje fetare, politike apo ideologjike, atëherë nuk kemi më të bëjmë me kritikë historike.

Pikërisht për këtë arsye, duhet të jemi kritikë edhe ndaj disa historianëve tanë, disa klerikëve dhe disa intelektualëve që i shohin figurat tona përmes bindjeve të tyre të paracaktuara. Shkollimi nuk e çliron automatikisht njeriun nga paragjykimet. As titulli akademik dhe as petku fetar nuk janë garanci për një gjykim të drejtë historik. Shkurt thënë: Figurat nuk duhet të mbrohen apo të rrëzohen sipas autoritetit të atij që flet, por sipas argumentit dhe burimit.

Nuk mund të mohohet një figurë, aq më pak një periudhë e tërë e historisë sonë

Këtu duhet thënë edhe diçka që është shumë e rëndësishme për historinë shqiptare. Nuk mund të mohohet një figurë shqiptare e dokumentuar vetëm sepse nuk na përshtatet. E aq më pak nuk mund të mohohet një periudhë e tërë prej rreth pesë shekujsh të historisë shqiptare.

Periudha osmane është pjesë e historisë sonë, pavarësisht se si e vlerësojmë politikisht atë sistem. Nuk mund ta fshijmë nga historia dhe as ta shohim vetëm si një hapësirë në të cilën shqiptarët kanë qenë thjesht viktima pa veprimtari, pa institucione, pa figura dhe pa krijimtari. Po ashtu, nuk kemi arsye ta romantizojmë. Detyra e historianit është ta studiojë.

Në këtë periudhë kemi familje, dinasti lokale dhe personalitete që meritojnë të rishikohen seriozisht. Bushatlinjtë, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, Mahmutbegollajt, Kurtpashajt, Asllanpashalitë, Toptanajt, Vlorajt, Rrotllajt, Gjinollët, Dërrallajt dhe shumë e shumë familje e personalitete të tjera shqiptare që përgjatë këtyre shekujve kanë luajtur role të rëndësishme në historinë politike të Perandorisë Osmane dhe të rajonit. Disa prej tyre kanë luftuar kundër pushtetit qendror osman, kanë ndërtuar pushtete lokale dhe kanë ndjekur politika që, në rrethana të caktuara, prekën edhe çështjen e autonomisë.

Nuk po themi se duhet t’i shpallim automatikisht të gjithë heronj kombëtarë. Kjo do të ishte një tjetër mënyrë e thjeshtimit të historisë. Po themi se duhet t’i studiojmë.

Nëse Skënderbeu është i rëndësishëm edhe për shkak të përballjes së tij me Perandorinë Osmane, atëherë nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes ata shqiptarë që shekuj më vonë sfiduan po atë perandori nga brenda, ndërtuan pushtete lokale dhe kontribuuan në zhvillimet politike që paraprinë periudhën e zgjimit kombëtar. Dhe madje e luftuan shumë. Kjo është histori dhe duhet studiuar si histori. Në vend që të merremi vetëm me pyetjen se kujt i përket një figurë, duhet të shkojmë te burimet dhe të zbulojmë edhe ata njerëz që ende nuk i kemi studiuar. Në arkivat dhe bibliotekat e vendeve që kanë qenë në kontakt me shqiptarët ruhen dorëshkrime, dokumente lokale, kodikë, kronika, vakëfname, berate, defterë, shtypi i kohës dhe burime të huaja, të cilat përbëjnë një pasuri të madhe materiale që ende kërkon të studiohet.

Çfarë është heroi?

Dhe këtu shtrohet një pyetje e rëndësishme: Çfarë është heroi?

Heroi nuk është njeriu që nuk ka gabuar kurrë dhe as ai që duhet patjetër të përputhet me bindjet tona të sotme. Një figurë bëhet e rëndësishme në histori për atë që ka bërë, për ndikimin dhe rolin që ka pasur, por edhe për mënyrën se si është kujtuar dhe përjetuar nga brezat që kanë ardhur pas saj.

Vlerësimi për një figurë mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Mund të rrëzohet një mit, të korrigjohet një datë, të zbulohet një dokument i ri ose të rishikohet një interpretim. Kjo është pjesë normale e punës së historianit dhe e zhvillimit të shkencës historike. Por kur ndryshon një vlerësim, ndryshimi duhet të vijë nga dokumenti dhe argumenti, jo nga dëshira për ta përshtatur historinë me bindjet tona.

Në këtë kuptim, shumë me rëndësi është edhe fjala e Adem Demaçit në iftarin e Ramazanit të vitit 2000, në hotelin “Iliria” në Prishtinë, gjatë promovimit të librit “Skicë e mendimit politik shqiptar” të Hysamedin Ferajt. Në praninë e më shumë se dyqind të pranishmëve, Demaçi, duke folur për mënyrën se si trajtoheshin disa figura kombëtare, tha:

“Populli shqiptar është popull i vogël, është popull i ndarë, është popull që çështjen e vet nuk e ka të zgjidhur akoma, prandaj dhe si i tillë nuk ka heronj për të gjuajtur, nuk ka heronj për të mohuar dhe për të përbuzur e përbaltur.”

Kjo fjalë ka një peshë që e tejkalon rastin për të cilin u tha. Një popull që ka kaluar nëpër aq shumë përpjekje për t’ia mohuar historinë dhe figurat e veta nuk mund ta kthejë sot historinë në një fushë ku shqiptarët gjuajnë njëri-tjetrin përmes heronjve.

Por Demaçi nuk duhet kuptuar sikur ka kërkuar që figurat historike të mos kritikohen. Përkundrazi, historia duhet të kritikohet dhe të rishikohet. Ajo që duhet të refuzohet është përbaltja, mohimi pa argument dhe përdorimi i figurave historike për të goditur njëri-tjetrin. Ky është një dallim shumë i rëndësishëm.

Historia shqiptare është trashëgimi e përbashkët

Në fund, çështja nuk është vetëm Skënderbeu. Ai është thjesht rasti më i dukshëm i një problemi që po shfaqet gjithnjë e më shumë në shoqërinë shqiptare. Nëse dikush përpiqet ta përvetësojë një figurë për shkak të fesë dhe t’ia mohojë atë pjesës tjetër të shqiptarëve, duhet ta kundërshtojmë. Nëse dikush tjetër e mohon një figurë sepse ajo nuk përputhet me bindjet e tij fetare, duhet ta kundërshtojmë po aq. Nëse një historian e deformon figurën për arsye ideologjike, duhet ta kritikojmë. Nëse një klerik e përdor atë për një qëllim fetar që shkon përtej asaj që dëshmojnë burimet, duhet ta themi. E njëjta gjë vlen edhe kur një politikan e përdor historinë për nevojat e ditës. Kriteri duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Nuk mund të mbajmë anën e të krishterëve kundër myslimanëve, as të myslimanëve kundër të krishterëve. Nuk mund të mbajmë anën e historianëve kundër klerikëve, as të klerikëve kundër historianëve. Duhet të shohim çfarë thonë burimet dhe çfarë mund të argumentohet. Shkurt: historia shqiptare nuk është pronë e të krishterëve. Nuk është pronë e myslimanëve. Nuk është pronë e komunistëve. Nuk është pronë e nacionalistëve. Nuk është pronë e një partie politike dhe as e një grupi intelektualësh apo klerikësh. Ajo është trashëgimi e përbashkët shqiptare dhe si e tillë duhet trajtuar.

Përfundim

Në fund të kësaj trajtese, ajo që bëhet e qartë është se rreziku nuk qëndron vetëm te mënyra se si të tjerët e kanë mohuar, tjetërsuar apo përvetësuar historinë shqiptare. Rreziku më i madh do të ishte që ne vetë të fillojmë ta ndajmë atë histori, duke i ndarë figurat dhe heronjtë tanë sipas bindjeve politike, ideologjike apo fetare.

Nëse Skënderbeu bëhet vetëm hero i shqiptarëve të krishterë, ndërsa figurat e traditës islame vetëm të shqiptarëve myslimanë, atëherë nuk kemi krijuar një histori më të drejtë, por kemi filluar të krijojmë dy histori shqiptare. Njëra do të jetë “e jona”, tjetra “e tyre”. Dhe kur fillojmë ta shohim të kaluarën kështu, nuk i ndajmë më vetëm figurat; fillojmë të ndajmë edhe kujtesën, trashëgiminë dhe, në fund, vetë njëri-tjetrin.

Kjo do të ishte pasoja më e rëndë. Sepse historia shqiptare është ndërtuar nga njerëz të besimeve të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme. Këto dallime nuk janë një mangësi që duhet ta fshehim, por pasuri dhe pjesë e vetë historisë sonë. Ajo që duhet të shmangim është shndërrimi i tyre në kufij që na ndajnë.

Prandaj, nuk kemi nevojë të zgjedhim ndërmjet Skënderbeut dhe figurave të traditës shqiptare islame, ndërmjet trashëgimisë së krishterë dhe asaj myslimane, apo ndërmjet pjesëve të ndryshme të së kaluarës sonë. Historia shqiptare nuk bëhet më shumë e jona duke ia hequr dikujt një pjesë të saj; bëhet më shumë e jona vetëm atëherë kur e pranojmë në tërësinë e saj.

Mund t’i kritikojmë figurat tona, mund të mos pajtohemi me veprimet e tyre dhe mund t’i shohim nga këndvështrime të ndryshme. Por nuk kemi nevojë t’ia marrim njëri-tjetrit. Sepse, nëse fillojmë të pyesim se cilit shqiptar i përket një figurë, rrezikojmë të harrojmë pyetjen më të rëndësishme: çfarë vendi ka ajo figurë në historinë tonë të përbashkët? Dhe pikërisht për këtë arsye, Skënderbeu nuk ka nevojë të bëhet pronë e askujt. Ai është pjesë e historisë shqiptare.

Për ne, si shqiptarë, Skënderbeu është hero kombëtar. Këtë të drejtë nuk kemi nevojë të na e japë askush dhe askush nuk ka të drejtë të na e kushtëzojë me përkatësinë fetare. As shqiptari mysliman nuk duhet të ndihet i detyruar të heqë dorë nga Skënderbeu për shkak të besimit të tij, as shqiptari i krishterë nuk duhet të ndihet i detyruar të heqë dorë nga trashëgimia e shqiptarëve myslimanë për shkak të përkatësisë së tyre fetare.

Po kështu, askush nuk mund të mohojë pesë shekuj të historisë sonë vetëm sepse ajo periudhë nuk përputhet me një interpretim të sotëm të shqiptarësisë. Ajo periudhë ka ndodhur. Shqiptarët kanë jetuar brenda saj, kanë vepruar, kanë krijuar, kanë luftuar, kanë bashkëpunuar, kanë kundërshtuar dhe kanë lënë gjurmë. Prandaj ajo duhet studiuar, jo fshirë.

Prandaj, kjo nuk është vetëm çështje e historianëve. Është përgjegjësi e përbashkët e studiuesve, intelektualëve, klerikëve, politikanëve dhe e shoqërisë shqiptare në përgjithësi që historia të mos kthehet në mjet për të na ndarë dhe që dallimet tona fetare, politike e ideologjike të mos shndërrohen në kufij brenda kujtesës sonë kombëtare. Në këtë frymë duhet kuptuar edhe ky shkrim yni: si një përpjekje për ta parë historinë shqiptare në tërësinë e saj, pa e ndarë atë sipas përkatësive fetare, politike apo ideologjike dhe pa e bërë pronë të njërit apo të tjetrit.

Sepse historia shqiptare është e jona. Është e të gjithëve. Është e përbashkët. Është një. Dhe pikërisht për këtë arsye, nuk duhet ta bëjmë pronë të askujt.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK